Presidenti Meta viziton Bashkinë e Pustecit

5 janar 2018

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta zhvilloi sot një vizitë në Bashkinë e Pustecit.

Presidenti Meta u prit nga Nënkryetari i Bashkisë së Pustecit, z. Andon Jani, përfaqësues të tjerë të pushtetit vendor si dhe nga dhjetra banorë të minoritetit maqedonas, të cilët i uruan mirëseardhjen dhe e falenderuan për mbështetjen e përkrahjen e tij të vazhdueshme.

Nënkryetari i Bashkisë së Pustecit, z. Andon Jani dhe Kryetarja e Këshillit Bashkiak, znj. Irena Vasilovski, e falenderuan Presidentin Meta për vëmendjen e treguar ndaj minoritetit maqedonas dhe e njohën me disa nga problemet që shqetësojnë banorët e zonës.

Në bashkëbisedim me ta, Presidenti Meta tha se “vëmendja ime ndaj minoritetit maqedonas do të jetë çdo ditë gjatë mandatit tim. Ne krenohemi me vlerat e minoritetit maqedonas, i cili është një pasuri për Shqipërinë.”

“Ju garantoj se do bëj çmos dhe do mbështes të gjitha përpjekjet tuaja për ruajtjen e identitetit, traditave dhe vlerave tuaja të shkëlqyera. Duhet të bashkëpunojmë të gjithë që Bashkia e Pustecit të jetë ndër më të begatat”, – theksoi Presidenti Meta.

Presidenti theksoi gjithashtu se “në kuadrin e Vitit të rëndësishëm mbarëkombëtar të Gjergj Kastriot Skënderbeut ramë dakord, bashkë me përfaqësuesit e Bashkisë së Pustecit të vlerësojmë disa nga ngjarjet dhe personalitetet më të rëndësishme historike të kësaj zone, sikundër është edhe shkrimtari i njohur, Sterjo Spasse, biri i komunitetit maqedonas”.

Më pas Presidenti Meta dhe autoritetet vendore vizituan Kishën e Shën Kryengjëllit Mihail në Pustec, nga ku kryetari i shtetit uroi minoritetin maqedonas për Festën e Shën Naumit dhe të Krishtlindjeve, që ky komunitet i feston me kalendarin e vjetër ortodoks.