Presidenti Meta uron Vitin e Ri 2018 në “Shtëpinë e të Moshuarve” në Kavajë

29 dhjetor 2017

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta vizitoi sot “Shtëpinë e të Moshuarve” në Kavajë, ku u uroi Vitin e Ri 2018.

Gjatë kësaj vizite, duke u takuar dhe përshëndetur përzemërsisht me rezidentët, Presidenti Meta u shpreh: “Unë dua të shpreh kënaqësinë që jam sot në këtë qendër solidariteti dhe dashurie, do të thoja. Dua të shpreh falënderimet më të mira për Fisnikun dhe për të gjithë stafin këtu që punon dhe që ju përkushtohet, për Kryetarin e Bashkisë dhe për të gjithë institucionet, për të gjithë ata që kontribuojnë për t’ju mbështetur dhe për t’ju ndihmuar.

Siç e thatë dhe vetë, ju keni nevojë në radhë të parë për më shumë solidaritet dhe dashuri dhe ky është një detyrim i gjithë shoqërisë për atë kontribut që ju keni dhënë për gjithë jetën tuaj, për vendin, për shoqërinë tonë. Sigurisht që, një shoqëri ka të ardhme, është optimiste dhe është e shëndetshme ku asnjë nuk ndihet i vetmuar. Ndaj, edhe unë si President shpreh kënaqësinë që vij për herë të parë këtu në këtë qendër, por do të vijë përsëri. Kavaja është qendër dhe do të jetë e tillë. Do të jemi gjithashtu në bashkëpunim edhe me Kryetarin e Bashkisë, edhe me Fisnikun për çdo ndihmë dhe për çdo mbështetje që mund të japim që të shtohen dhe përmirësohen shërbimet akoma më tej, sepse jam i bindur që ky është një investim shumë i mirë dhe është një mesazh shumë i mirë që duhet shpërndarë në të gjithë Shqipërinë.”

Presidenti i Republikës theksoi se: “Kam ardhur t’ju uroj Gëzuar Vitin e Ri! Më shumë dashuri, solidaritet edhe gjithçka të mirë për ju dhe për të gjithë vendin tonë!”