Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta përshëndet Festën e 100-vjetorit të Pavarësisë së Finlandës

12 dhjetor 2017

I nderuar Ambasador Juha Pyykko,
Të nderuar Ministra, deputetë dhe përfaqësues të institucioneve,
Të nderuar Ambasadorë, finlandezë dhe miq të Finlandës,

Kur Ambasadori Pyykko më paraqiti letrat kredenciale një muaj më parë, ramë dakord se nuk mund të mungonte një ceremoni në Tiranë, që do të shënonte 100-vjetorin e pavarësisë së Finlandës.

Përparimi që ka bërë Finlanda në 100 vitet e shtetformimit të saj është vërtetë mbresëlënës dhe frymëzues.

Edhe pse vend modest në reklamimin e zhvillimit të madh të arritur falë punës së palodhur të popullit të saj energjik, Finlanda ka vendosur sot siglën e saj, si vendi më i gjelbër në botë, shembull i mirëqeverisjes, transparencës dhe demokracisë, respektimit të të drejtave të njeriut dhe barazisë gjinore. Finlanda është vend lider në avancimin e teknologjisë, inovacionit dhe ekonomisë së dijes, falë reformave shembullore në arsim.

Në këtë përvjetor Finlanda kujton figurat e çmuara të historisë së saj, që kanë lënë shenjën e tyre në 100 vitet e para të pavarësisë. Ne i bashkohemi në këtë gëzim, duke bashkëndarë vlerësimin dhe mirënjohjen më të thellë për një personalitet të spikatur politik, Nobelist të paqes, dhe një prej arkitektëve të pavarësisë së Kosovës, Presidenti Marti Ahtisaari.

Propozimi i guximshëm i Ahtisarit për pavarësinë e kushtëzuar të Kosovës, si fazë e parë, që do të çonte në ndërtimin e shtetit më të ri në Ballkan në shekullin e 21, qe një arritje e madhe jo vetëm ëpr Kosovën, për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit.

Unë uroj, që kjo lidhje e veçantë mes nesh të jetë një ogur fatbardhë që edhe Shqipëria edhe Kosova të kenë një zhvillim po kaq të vrullshëm sa Finlanda, të maturohen në arritjen e konsensusit për çështjet e mëdha e me rëndësi jetike për vendin, dhe të jenë të afta të ndërtojnë mbi vlerat dhe parimet demokratike të Europës që aspirojmë t’í bashkohemi.

Dua të kujtoj një tjetër personalitet finlandez, Komisionerin për Zgjerimin Olli Rehn, gjatë mandatit të të cilit Shqipëria firmosi Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, dhe nisi procesin e negociatave për liberalizimin e vizave me Bashkimin Europian.

Duke besuar në mbështetjen e Finlandës edhe në të ardhmen, jam i bindur se pikëtakime të tjera do t’í afrojnë më shumë vendet tona, duke eksploruar të gjitha mundësitë e bashkëpunimit me interes të ndërsjelltë. Ashtu sikurse Nokia këtu i lidh njerëzit me njëri-tjetrin, po ashtu edhe Finlanda me diplomacinë dhe pozitivitetin e saj.

I uroj popullit finlandez dhe Finlandës gjithë të mirat dhe prosperitet!

Gëzuar 100 vite pavarësi Finlandë!