Presidenti Meta takohet me Presidentin e Rajonit PACA, Renaud Muselier

7 dhjetor 2017-Marsejë, Francë

Gjatë vizitës së tij në Marsejë, Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta u prit në takim nga Presidenti i Këshillit Rajonal të Provence-Alpes-Cotes d’Azur (PACA) dhe eurodeputet, Renaud Muselier dhe zhvilloi gjithashtu një takim pune mbi partneritetin e Shqipërisë me këtë rajon.

Presidenti Meta vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Francës dhe vuri në dukje nevojën për të nxitur dhe inkurajuar edhe më tej bashkëpunimin dypalësh dhe shumëpalësh mes dy vendeve.

Presidenti Meta theksoi rëndësinë e rritjes së bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Rajonit të PACA-s, veçanërisht në fushën e mjedisit, atë të turizmit të infrastrukturës detare dhe në kuadër të projekteve të përbashkëta zhvillimore.

“Rajoni i Mesdheut ka potenciale të jashtëzakonshme, të cilat mund të shfrytëzohen nga vendet e këtij rajoni për të forcuar lidhjet dhe bashkëpunimin në të ardhmen,” – nënvizoi Presidenti Meta.

Presidenti i Rajonit PACA e cilësoi vizitën e Presidentit Meta si një tregues mjaft domethënës dhe ilustrues të nxitjes së këtyre marrëdhënieve dypalëshe.

Gjatë takimit të punës mbi partneritetin me drejtues të Rajonit PACA, me praninë edhe të Drejtores së Portit të Marsejës Christine Cabau-Woerhel, Presidenti i Republikës pasi u njoh me funksionimin e Portit dhe veprimtarinë e shumëllojshme të tij duke e quajtur “universitet më vete, edhe gjeo-politik, edhe gjeo-ekonomik”, vuri në dukje se marrëdhëniet e shkëlqyera politike dhe diplomatike dëshirojmë t’i forcojmë, t’i zgjerojmë e t’i lulëzojmë edhe më tej.

“Ne duam ta bëjmë edhe më të spikatur dimensionin tonë mesdhetar.” – u shpreh Presidenti Meta.

Duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit me Rajonin PACA dhe Marsejën, si një qendër e fuqishme jo vetëm për Francën, por për mbarë Mesdheun, Presidenti Meta përmendi disa fusha të mundshme bashkëpunimi si infrastruktura bregdetare, shfrytëzimi dhe menaxhimi i kësaj pasurie të vijës bregdetare shqiptare, mjedisi dhe mbrojtja e tij, turizmi, arsimimi dhe përgatitja profesionale, shkëmbimi i përvojave, etj.

“Një nga aspektet kryesore të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Rajonit PACA do të ishte rritja e kapaciteteve të njerëzve tanë në përgatitjen e projekteve për të thithur fonde të Bashkimit Evropian, dhe kontributi e ndihmesa juaj e vyer, si dhe ndarja e përvojës pozitive do të ishte tepër e vlerësuar në këtë drejtim.” – u shpreh Presidenti Meta.

Presidenti i Republikës i siguroi pjesëmarrësit se “do të gëzojnë mbështetjen e plotë për çdo nismë të mundshme që do të ndërmarrin për çështje dhe projekte me interes për Mesdheun”.

Presidenti Meta, i shoqëruar nga Presidenti i Këshillit Rajonal Muselier, Presidentja e Portit Cabau-Woerhel, Ambasadorja e Francës në vendin tonë Christina Vasak si dhe Ambasadori i Republikës së Shqipërisë Dritan Tola vizitoi Portin e Marsejës.