Presidenti Meta mori pjesë në pritjen e organizuar nga Ambasadori i Japonisë me rastin e Ditëlindjes së Perandorit Akihito

6 dhjetor 2017

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta mori pjesë në pritjen e organizuar nga Ambasadori i Japonisë me rastin e Ditëlindjes së Perandorit Akihito.

Në këtë aktivitet, Presidenti Meta mbajti edhe një fjalë përshëndetëse ku shprehu vlerësimin dhe përgëzimet e tij për hapjen e Ambasadës së Japonisë në Tiranë.

Fjala e plotë e Presidentit të Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta:

I nderuar Ambasador Ito,
Të nderuar ministra, deputetë,
Të nderuar Shkëlqesi Ambasadorë,
Zonja dhe zotërinj,

Dëshiroj së pari t’i përcjell urimet më të përzemërta, në datëlindjen e tij, Perandorit të Japonisë Akihito, duke i uruar jetë të gjatë e shëndetplotë, si dhe popullit mik japonez zhvillim e përparim të mëtejshëm.

Së dyti, shpreh vlerësimin dhe përgëzimet e mia më të sinqerta për hapjen e Ambasadës së Japonisë në Tiranë, me bindjen se ky vendim i shumëpritur do të afrojë më shumë vendet dhe popujt tanë.

Me hapjen e Ambasadës, pritshmëritë e dinamikës së bashkëpunimit rriten, dhe jam i sigurt se të dyja palët do të bëjmë përpjekje të shtuara që ta zgjerojmë gamën e marrëdhënieve tona edhe në fusha të paeksploruara më parë.

Ju Ambasador Ito keni shumë sfida përpara, por të jeni i bindur se do të gëzoni kurdoherë mbështetjen time të plotë dhe të autoriteteve shqiptare për të realizuar agjendën e përbashkët ambicioze.

Ky vit përkon me 95-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Japonisë, të cilat kanë një bilanc të përgjithshëm pozitiv, ku spikat mbështetja konkrete që Japonia i ka ofruar Shqipërisë nëpërmjet projekteve zhvillimore dhe ndihmës financiare, duke u renditur ndër donatorët më të rëndësishëm për ne.

Përfitoj nga ky rast të shpreh mirënjohjen për këtë ndihmë të çmuar, që shënon një bilanc prej 382 milionë dollarë, të kanalizuar tashmë nëpërmjet Agjencisë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar.

Japonia është jo vetëm një vend demokratik me fuqi të madhe ekonomike por edhe një vend mik me një kulturë e histori të jashtëzakonshme.

Shpresoj që heqja e afërt e vizave për qytetarët shqiptarë që duan të udhëtojnë drejt Japonisë të jetë një faktor i shtuar nxitës për njohjen më të afërt mes popujve, kulturave e traditave tona reciproke.

Në Kuvendin e Shqipërisë është krijuar edhe Grupi i Miqësisë Shqipëri-Japoni, një dritare tjetër bashkëpunimi mes vendeve tona që duhet shfrytëzuar në të gjithë potencialin e saj.

I bindur se, falë dëshirës e vullnetit të përbashkët, marrëdhëniet midis dy vendeve tona do të jenë gjithnjë e më dinamike, ju uroj edhe një herë ju, Ambasador Ito, zonjën tuaj, stafin e Ambasadës dhe të gjithë popullin japonez këtë Ditë të shënuar.