Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta priti në takim Ambasadorin e Spanjës, Sh.T.Z. Vicente Canelles Montero

5 dhjetor 2017

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta priti sot në takim kortezie Ambasadorin e Spanjës, Sh.T.Z. Vicente Canelles Montero.

Presidenti Meta vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera të bashkëpunimit mes dy vendeve e njëkohësisht i shprehu Ambasadorit mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që Spanja i ka dhënë Shqipërisë.

Presidenti Meta veçoi kontributin e rëndësishëm të Spanjës në anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe procesin e integrimit evropian duke nënvizuar se Shqipëria ndodhet në një fazë të rëndësishme ku angazhimi kryesor mbetet hapja e negociatave me BE-në vitin që vjen.

Duke folur për rëndësinë e rritjes së shkëmbimeve tregtare dhe prezencën e më shumë investimeve dhe kompanive spanjolle në Shqipëri, Presidenti Meta vuri në dukje mundësitë veçanërisht në fushën e energjisë, turizmit, agro-biznesit ku Spanja ka një përvojë dhe traditë të gjatë.

Në përfundim, Presidenti Meta i uroi Ambasadorit suksese dhe e siguroi për mbështetjen e tij gjatë misionit të tij diplomatik në Shqipëri, për të pasur në Shqipëri investime dhe më shumë kompani spanjolle.