Presidenti Meta zhvillon një takim me Kursin e Lartë të Sigurisë dhe Mbrojtjes (KLSM – 2017)

4 dhjetor 2017

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sh.T.Z Ilir Meta zhvilloi sot një takim me Kursin e Lartë të Sigurisë dhe Mbrojtjes (KLSM – 2017), me pjesëmarrës nga Shqipëria, Kosova, Italia, Greqia, Turqia, Maqedonia, Rumania, Gjeorgjia dhe për herë të parë nga Mbretëria e Bashkuar.

Në takim, Presidenti i Republikës përsëriti urimin për 105-Vjetorin e themelimit të Forcave të Armatosura, si dhe respektin më të lartë shtetëror për sakrificat e burrave dhe grave me uniformë në mbrojtje të atdheut e interesave kombëtare, si dhe kudo ku ata shërbejnë në dobi të demokracisë, paqes, sigurisë dhe lirisë.

Presidenti ndau vlerësimin se Shqipëria anëtare e NATO-s do përmbushë me përkushtim e profesionalizëm të gjitha angazhimet, detyrimet dhe objektivat përballë sfidave të sigurisë.

Presidenti theksoi se Kursi i Lartë për Sigurinë dhe Mbrojtjen do të vijojë të shërbejë për të promovuar vlerat e besueshmërisë, bashkëpunimit dhe përpjekjeve të përbashkëta drejt së ardhmes evropiane dhe euro-atlantike të vendeve të rajonit.