Presidenti Meta dekreton kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr. 98/2017

D E K R E T

PËR

KTHIMIN E LIGJIT NR. 98/2017 “PËR TARIFAT GJYQËSORE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”.

Në mbështetje të neneve 85, pika 1 dhe 93, të Kushtetutës,

D e k r e t o j

Kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr. 98/2017 “Për tarifat gjyqësore në Republikën e Shqipërisë”.

Nr. Dekretit 10656

Tiranë, më 22.11.2017

PRESIDENTI I REPUBLIKËS

ILIR META

Arsyet e kthimit të ligjit nr. 98/2017

“Për tarifat gjyqësore në Republikën e Shqipërisë”.

 

Të nderuar deputetë,

Në seancën plenare të datës 2 nëntor 2017, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar ligjin “Për tarifat gjyqësore në Republikën e Shqipërisë”.

Projektligji ka qenë pjesë përbërëse e paketës së depozituar në Kuvend, në kuadër të Reformës në Sistemin e Drejtësisë, por që nuk u shqyrtua nga Kuvendi në legjislaturën e mëparshme.

Nga relacioni që shoqëron projektligjin, por edhe nga Raporti i Komisionit të Çështjeve Ligjore, Administratës Publike dhe të Drejtave të Njeriut, dokumente këto të punës parlamentare që kanë shoqëruar projektligjin për shqyrtim, ndër të tjera arsyetohet:

- Qëllimi i këtij ligji është përcaktimi i tarifave për çështjet gjyqësore dhe shërbimet që ofrohen nga sistemi gjyqësor; duke synuar vendosjen e tarifave të arsyeshme dhe proporcionale për shërbimet që ofron pushteti gjyqësor, në funksion të kategorizimit të tyre sipas llojeve të mosmarrëveshjeve, si dhe duke parashikuar përjashtime nga pagimi i tarifave gjyqësore, të cilat synojnë të rrisin aksesin në gjykatë të individëve që janë në pamundësi ose në vështirësi financiare.

- Ndër të tjera, në relacionin shoqërues të deputetit propozues, parashikohet e arsyetuar se, duke qenë që sistemi i tarifave gjyqësore të sotme, nuk reflekton shpenzimet për funksionimin e sistemit të gjykatave dhe taksapaguesit ngarkohen me barrën e mbajtjes së këtij shërbimi, ky ligj ka për synim kalimin, për sa të jetë e mundur, të kësaj barre, fillimisht, te palët ndërgjyqëse, të cilat fillojnë procesin gjyqësor, duke i kushtuar vëmendje dhe përjashtimit nga pagimi i tarifës gjyqësore të individëve, të cilët kërkojnë drejtësi, por që nuk mund të përballojnë tarifat gjyqësore të larta.

Vlerësimi nga Institucioni i Presidentit të Republikës mbi përputhshmërinë e këtij ligji me Kushtetutën, është kryer duke bërë një analizë shumë të kujdesshme të çdo neni, në një balancë krahasuese midis efekteve pozitive që mund të vijnë nga zbatimi i tarifave gjyqësore, të rritura ndjeshëm, me mekanizmat që parashikon ky ligj për zbutjen e ndikimeve negative apo mbrojtjen  e shtresave të shoqërisë, të cilat nuk mund të përballojnë rritjen e tarifave gjyqësore.

Shprehur më qartë, nëse do të pranojmë a priori zbatimin e tarifave të rritura ndjeshëm, a ekzistojnë dispozitat e nevojshme në këtë ligj që parashikojnë mbrojtjen e sigurtë dhe në kohën e kërkuar të shtresave në nevojë, për të mos cënuar aksesin në drejtësi?!.

Në shqyrtim të kësaj çështjeje kaq delikate, kam dëgjuar e vlerësuar me shumë vëmendje shqetësimet e përcjella në adresë të Presidentit të Republikës, nga aktorë të shoqërisë civile, të cilët veç të tjerash, shprehin kundërshtimet për nivelin e lartë të tarifave të miratuara nëpërmjet këtij ligji.

Në shqyrtim të çdo pretendimi, çmoj se ligji nr. 98/2017 “Për tarifat gjyqësore në Republikën e Shqipërisë”, nuk është në përputhje të plotë me parimet kushtetuese, pasi me paqartësitë që ekzistojnë në disa dispozita të veçanta të tij, ky ligj mund të bëhet burim i krijimit të problematikave të theksuara, kryesisht në drejtim të kufizimit të mundësisë për t’iu drejtuar gjykatës apo, për t’u dëgjuar prej saj, për shkak të pamundësive dhe vështirësive financiare të qytetarit për të paguar tarifat e përgjithshme gjyqësore.

Reforma në sistemin e drejtësisë u ndërmor nga Kuvendi, me qëllim zgjidhjen e problematikave në pushtetin gjyqësor, përfshi këtu edhe aftësinë e vetë sistemit për të funksionuar sipas standardeve evropiane. Ndërmarrja e kësaj nisme ligjore, padyshim, që është një hap i domosdoshëm dhe tepër pozitiv i Kuvendit të Shqipërisë, por dispozita të veçanta të këtij ligji, kanë sërish nevojë të rivlerësohen e të përmirësohen, në mënyrë që reforma në drejtësi të garantojë të drejtat kushtetuese të qytetarëve.

Mbështetja buxhetore që kërkon përmirësimi i kushteve në sistemin gjyqësor është detyrim dhe interes publik, por kjo nuk mund të arrihet, duke parë si zgjidhje kryesore, rritjen a priori të tarifave gjyqësore, në mënyrë të mënjëhershme dhe jo proporcionale, pasi ky mekanizëm i zgjedhur, mund të cënojë një tjetër parim themelor të shtetit ligjor, atë të së drejtës së çdo individi për t’iu drejtuar një gjykate të paanshme, për t’u dëgjuar për pretendimet e tij, apo një gjykate më të lartë për t’u ankuar kundrejt një vendimi gjyqësor të padrejtë.

Në bindje të Kushtetutës së Shqipërisë dhe në ushtrim të së drejtës të parashikuar në pikën 1 të nenit 85 të saj, kam vlerësuar se ky ligj, i duhet kthyer për rishqyrtim Kuvendit, mbështetur në arsyet dhe argumentet e mëposhtme:

Së pari, niveli i tarifave, i parashikuar në këtë ligj, është bërë në mungesë të një studimi të thelluar dhe, në krahasim me tarifat e sotme, ka një rritje drastike dhe të menjëhershme të tarifave, gjë e cila paraqet rrezik të lartë për vështirësimin e aksesit në drejtësi për shtresat në nevojë. 

Duke vlerësuar me kujdes përmbajtjen e ligjit nr. 98/2017, relacionin fillestar të deputetit propozues e më pas Raportin e Komisionit të Çështjeve Ligjore në Kuvend, rezulton se projektligji ka pësuar ndryshime thelbësore gjatë fazës së konsultimit publik, falë kjo dhe komenteve dhe vlerësimeve kritike të bëra nga aktorë të ndryshëm, pjesë e sistemit gjyqësor, shoqërisë civile, apo institucione shtetërore, që kanë lidhje me fushën që ky ligj rregullon.

Nga tërësia e komenteve, bie dakord me komentet e bëra nga shoqëria civile, që parashikimet e këtij ligji, cënojnë aksesin në drejtësi, çka sjell që dispozitat e këtij ligji dhe, konkretisht, të nenit 5, pika 2, 3, bien ndesh me parimet kushtetuese, të vendosura e mbrojtura nga neni 42, 43 i Kushtetutës.

Shërbimi gjyqësor është një detyrim parësor për një shtet demokratik dhe, pavarësisht mundësisë fillestare të individit për të përballuar ose jo kostot e tij, ky shërbim duhet t’i ofrohet edhe të pamundurit, pasi Kushtetuta e mbron në mënyrë të veçantë këtë parim.

Sipas këtij ligji, tarifat e përgjithshme gjyqësore aplikohen përpara fillimit të çështjes dhe, mbi këtë bazë, nis gjykimi. Individi, në shumë raste, i drejtohet gjykatës për të kërkuar një të drejtë, të cilën pikërisht pushteti administrativ publik, nuk ia ka njohur, ia ka cënuar apo cunguar dhe, nga ana tjetër, individi vihet në pozitë të vështirë përballë gjykatës, pasi për t’iu drejtuar asaj dhe që ajo të ketë mundësinë për ta dëgjuar, do të duhet që ai të paguajë, paraprakisht, tarifën gjyqësore.

Në vijimësi, akorët e shoqërisë civile kanë pretenduar gjatë fazës së këshillimit se projektligji është hartuar në mungesë të një studimi për koston e dhënies së drejtësisë në çështjet me natyrë civile dhe me natyrë administrative. Ky pretendim i shoqërisë civile nuk është rrëzuar me ndonjë argument shterues qoftë në relacionin shoqërues të projektligjit, por as dhe tek raporti i Komisionit të Çështjeve Ligjore, dokumente këto që nuk japin indikacione të sakta në lidhje me koston që duhet të përballojë buxheti i shtetit për sistemin e drejtësisë dhe, veçanërisht, atë gjyqësor.

Referuar argumenteve në raportet shoqëruese të projektligjit, nuk arrihet të kuptohet se mbi çfarë baze të vlerësueshme janë vendosur nivelet maksimale të tarifave të përgjithshme të parashikuara në nenin 5, të ligjit të miratuar.

Në pikën 2, të nenin 5, parashikohet: “Masa e tarifave gjyqësore të përgjithshme, sipas pikës 1 të këtij neni, është jo më e ulët se 1000 (një mijë) lekë dhe jo me e lartë se 20 000 000 (njëzetë milionë) lekë”. Është e paarsyetuar në relacion se mbi çfarë baze u vendos parashikimi i nivelit maksimal i një tarife të tillë në ligj. Në jo pak raste, individë me të ardhura të pakta, që nuk plotësojnë as kushtet për të përfituar ndihmën juridike, apo për t’u përjashtuar nga tarifat, për të kërkuar një të drejtë, do të ndodheshin realisht në pamundësi që të fillonin një proces gjyqësor, pikërisht për shkak të detyrimit për të paguar tarifën.

Në raportin e Komisionit që shoqëron projektligjin, në lidhje me nivelin maksimal të tarifave të miratuara, arsyetohet se ky nivel tavan është caktuar, mbështetur në të dhënat e dërguara nga Zyra e Administrimit të Buxhetit Gjyqësor, për tre vjetët e fundit, bazuar në nivelin e tanishëm në fuqi prej 1 për qind, të vlerës së objektit të padisë. Në lidhje me këtë çështje, në relacionin që shoqëron projektligjin, nuk paraqitet e arsyetuar në mënyrë shteruese, apo nuk ka një studim se në sa raste gjatë këtyre 3 vjetëve të fundit, aplikimi i tarifave maksimale është përballuar nga shoqëritë tregtare me aftësi paguese dhe në sa raste kjo tarifë maksimale është aplikuar dhe përballuar nga individi.

Në këtë këndvështrim, aplikimi i tarifave të tilla që shkojnë në shifrat e parashikuara në pikën 2, 3 të nenit 5, të ligjit nr. 98/2017 dhe që do të duhet të paguhen paraprakisht, vlerësohet se nuk janë të përshtatshme për realitetin e vendit tonë dhe mund të sjellin cenim të aksesit në drejtësi për shtresat në nevojë. Për këtë arsye, çmoj se ky parashikim në këtë dispozitë ka nevojë për rivlerësim nga Kuvendi.

 Gjithashtu, në nenin 5, pika 3, parashikohet:

 “Masa e tarifave gjyqësore të përgjithshme për gjykimet në gjykatat e apelit dhe Gjykatën e Lartë është jo më e ulët se 2 000 (dy mijë) lekë dhe jo më e lartë se 10 000 000 (dhjetë milionë) lekë.  

Parashikimet e kësaj dispozite, dukshëm, tregon se kemi të bëjmë me një rritje drastike të tarifave të sistemin gjyqësor që, në mënyrë të drejtpërdrejtë, do të ndikojnë tek përcaktimi i vullnetit dhe mundësisë së një individi për t’iu drejtuar një gjykate më të lartë.

Në raportin e Komisionit të Çështjeve Ligjore që shoqëron projektligjin, arsyetohet se ky parashikim është mbështetur në “Analizën e Sistemit të Drejtësisë”, sipas të cilës rezulton se tarifa për t’iu drejtuar Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës së Lartë, sot është mjaft e ulët 200 lekë dhe duhet të ndryshohet, duke përfshirë një përqindje tjetër për çdo shkallë.

Gjithashtu, në këtë raport citohet edhe fakti se ekspertët që kanë punuar me projektligjin referuan edhe raportin e Komisionit Evropian për Eficencën në Drejtësi (CEPEJ), në të cilën argumentohet se sa më e lartë të jetë cilësia e drejtësisë që jepet, aq më të mëdha janë edhe shpenzimet që paguhen për përfitimin e saj.

Nga të dy referimet që bëhen në raport, dokumenteve të sipërcituara, vlerësohet se ka një keqinterpretim të konstatimeve dhe përmbajtjes së këtyre dokumenteve. Është pranuar nga Kuvendi në dokumentin analitik se niveli i tarifimit për t’iu drejtuar gjykatave të apelit, Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese tani mund të jetë në nivele të ulëta, por ky konstatim, nuk ligjëron aspak ndërmarrjen e nismave të tilla, që për t’iu drejtuar gjykatave të këtij niveli, do të duhet të paguash, së paku, 10-fishin e asaj që paguan sot e, më së shumti, shifra marramendëse, në mënyrë që të kesh mundësinë të kërkosh rivendosjen në vend të një të drejtë që një gjykatë tjetër nuk e ka dhënë siç duhet.

Për më tepër, midis vetë përmbajtjes së pikës 2 dhe 3, të nenit 5 ka një paqartësi, duke mos përcaktuar se në çfarë kufiri duhet të paguajë pala për paraqitjen e ankimit pranë gjykatave të apelit, apo Gjykatës së Lartë, ndërkohë që ka paguar më parë tarifë të lartë në hapjen e procesit gjyqësor në shkallën e parë. Është e vërtetë që u është lënë atribut organeve të tjera që të nxjerrin akte nënligjore për këtë qëllim, por sërish hapësira kaq të mëdha për të interpretuar ligjin lënë vënd për regullim nënligjor të gabuar me ndikim të drejtëpërdrejtë tek qytetarët dhe përdoruesit e gjykatës.

Në këto kushte, parashikimi i bërë në pikën 3, të nenit 5, të ligjit nr. 98/2017, bie ndesh me parimet e mbrojtura nga Kushtetuta në nenin 43 të saj ku citohet:

“Kushdo ka të drejtë të ankohet kundër një vendimi gjyqësor në një gjykatë më të lartë, përveç rasteve kur parashikohet ndryshe në ligj për kundërvajtje të lehta penale, për çështje civile ose administrative me rëndësi ose vlerë të vogël, në përputhje me kushtet e parashikuara në nenin 17 të Kushtetutës”.

Krijimi i barrierave të tilla financiare, do të krijonte kushtin që qytetari të frenohej për t’iu drejtuar një gjykate më të lartë, pasi pavarësisht vullnetit, ai do të ishte në pamundësi për t’iu përgjigjur kërkesave të ligjit për të realizuar pagesën e këtyre tarifave.

Krahasuar kjo edhe me gjendjen e tanishme të sistemit gjyqësor, mosndjekja në të gjitha shkallët e procesit, do të përbënte mundësi që një e drejtë e ligjshme, të mund të shtrembërohet, apo të humbasë, për shkak se pikërisht ajo palë që ka të drejtë, nuk do të kishte mundësi të ankohet për procesin gjyqësor.

Për këto arsye, vlerësoj se ky nen duhet të riformulohet tërësisht, duke gjetur balancën e nevojshme midis respektimit të parimit të aksesit në gjykatë dhe nevojës për të përballuar kostot e sistemit në dhënien e së drejtës. Tarifa duhet të synojë të përballojë koston e shërbimit dhe, në çdo rast kur parimi i financimit të pushtetit gjyqësor bie ndesh më parimin e aksesit në gjykatë, është ky i fundit që duhet të mbizotërojë.

Së dyti, mekanizmat e parashikuara në këtë ligj për mbrojtjen e shtresave të pamunduara të shoqërisë për të përballuar tarifat e reja gjyqësore, nuk janë të përshtatshme. Mungojnë dispozitat e qarta që garantojnë mbrojtjen e nevojshme. Dispozitat e miratuara në këtë drejtim nuk garantojnë sigurinë ligjore.

  • Kushtetuta në nenin 42, pika 2, të saj parashikon qartë:

Kushdo, për mbrojtjen e të drejtave, lirive dhe interesave të tij kushtetues dhe ligjorë ose në rastin e akuzave të ngritura kundër tij, ka të drejtën e një gjykimi të drejtë dhe publik brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme e caktuar me ligj”, duke njohur e mbrojtur kështu një nga parimet themelore të shtetit të së drejtës, ku për çdo shkelje, cenim, apo një të drejtë që individi pretendon, ai gëzon mbrojtjen kushtetuese se një gjykatë do ta dëgjojë atë për të gjitha pretendimet që ai do të ketë.

Rezulton se mbrojtja dhe zbatimi i këtij parimi kushtetues nuk realizohet në kufijtë e kërkuar nga parashikimet e këtij ligji të miratuar, pasi nuk ofrohet garancia e nevojshme ligjore, si dhe nuk krijohet mekanizmi i përshtatshëm, në mënyrë që të gjitha shtresat e shoqërisë, pavarësisht të ardhurave, gjendjes së tyre ekonomike apo sociale, do të kenë mundësi të aplikojnë një të drejtë kushtetuese për t’iu drejtuar gjykatës.  

Në relacionin që ka shoqëruar projektligjin, pranohet fakti: … “Me projektligjin e paraqitur, efektivisht, tarifat gjyqësore janë rritur. Nga ana tjetër, sërish në relacionin shoqërues pranohet se efektet e rritjes së tarifave gjyqësore duhet të zbuten për ato pjesë të shoqërisë, të cilët nuk mund të përballojnë as rritjen e tarifave gjyqësore dhe as të paguajnë tarifat gjyqësore, pasi publiku mund ta presë me hezitim (madje, edhe me kundërshtim) rritjen e tarifave gjyqësore dhe, rrjedhimisht, është thelbësore të vendoset një sistem efikas ndihme ligjore, në mënyrë që të sigurohet aksesi në drejtësi për personat apo grupet shoqërore në pamundësi financiare. Për këtë arsye, në relacion vlerësohet se ky projektligj duhet të miratohet njëkohësisht me projektligjin “Për ndihmën juridike”.

Nga arsyetimi që i bëhet nevojës së nxjerrjes së këtij ligji, vetë Kuvendi i Shqipërisë, nëpërmjet deputetit propozues, pjesë e Komisionit të Çështjeve Ligjore, parashikon të domosdoshme që të dy nismat ligjore që referojnë tek njera-tjetra (ligji për tarifat gjyësore dhe ligji për ndihmën juridike) duhet të shqyrtohen paralelisht, dhe mundësisht sëbashku.

Por nisma e projektligjit “Për ndihmën juridike”, në kalendarin e punës së Kuvendit, është ende në shqyrtim në Komisionin për Çështjet Ligjore Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut dhe nuk është miratuar deri më sot për t’iu përcjellë seancës plenare. Për më tepër, duhet evidentuar fakti se në Raportin e Komisionit të Çështjeve Ligjore, të datës 24.10.2017, (faqe 6, paragrafi 2), Komisioni i referohet mbrojtjes së ligjit të miratuar, duke u bazuar në parashikimet e zbardhura në projektligjin “Për ndihmën juridike”.

Ky argument do të mund të ishte në një logjikë, deri diku të pranueshme, nëse këto dy projektligje (Për ndihmën juridike” dhe “Për tarifat gjyqësore”) do të shqyrtoheshin dhe miratoheshin bashkërisht.

Megjithë vullnetin e mirë, rezulton se Kuvendit të Shqipërisë, i është propozuar për vendimmarrje një normë e re ligjore (ligji nr. 98/2017), vendimarrja e të cilit, përsa i takon nenit 9, pika 1, rezulton të jetë referuar tek një projekt për një tjetër projektligj, atë “Për ndihmën ligjore” që, për më tepër, nuk është përfshirë për diskutim të njëkohshëm.

Në kalendarin e punës së Kuvendit ky projektligj ishte parashikuar për shqyrtim në seancën plenare të datës 09.11.2017, po rezulton që deri më sot, nuk i është shtruar për diskutim deputetëve të kuvendit në seancë plenare.

Shkëputja në kohë e shqyrtimit të dy propozimeve ligjore, të lidhura kaq ngushtë me njeri-tjetrin, dhe me kaq ndjeshmëri publike, që lidhen me respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, paraqet shqetësim real tek individi. Qytetarët sot nuk kanë informacion sesi një normë tjetër do të miratohet (projektligji “Për ndihmën juridike) dhe kosto të tilla për t’iu drejtuar gjykatës, do të jenë të papërballueshme, ndërkohë që mekanizmi ligjor për t’u përjashtuar prej tyre, në këtë çast është i paqartë.

Vullneti shtetëror se në çfarë mase apo me çfarë procedure do të realizohet mbrojtja e shtresave në nevojë përkundrejt rritjes së tarifave, do të duhej të ishte shprehur bashkërisht me shqyrtimin për miratimin e ligjit “Për tarifat gjyqësore në Republikën e Shqipërisë”.

Këtë kërkesë e parashikon dhe përmbajtja e dispozitave të Kodit të Procedurës Civile, në nenin 105/b të tij, përcaktohet shprehimisht:

“Personat që, sipas dispozitave për tarifën, përjashtohen nga pagimi i taksës, përjashtohen edhe nga pagimi i shpenzimeve të tjera gjyqësore. Në këto raste, shpenzimet përballohen nga fondi përkatës i parashikuar në Buxhetin e Shtetit. Personat ligjorë që sipas ligjit “Për tarifat gjyqësore në Republikën e Shqipërisëpërjashtohen nga pagimi i tarifës, paguajnë shpenzimet e tjera gjyqësore.”

Pra, Kodi i Procedurës Civile, parashikon se përjashtimet nga pagimi i tarifave do të duhej të parashikoheshin në vetë ligjin “Për tarifat gjyqësore në Republikën e Shqipërisë” dhe jo tek një ligj tjetër, fakt ky që provon edhe më shumë se ligji nr. 98/2017, i miratuar, nuk është në koherencë as me ndryshimet e fundit të realizuara në Kodin e Procedurës Civile.

Është detyrim kushtetues përballë shoqërisë që Kuvendi i Shqipërisë, përpara se të vendoste tarifa të aplikueshme për qytetarët dhe përdoruesit e gjykatave, do të duhej më parë, ose së paku, paralel me këtë nismë, të shprehej publikisht me ligj se çfarë aftësie ka që të përballojë kostot e mbrojtjes së shtresave në nevojë dhe deri në çfarë niveli dhe, me çfarë procedure, mund t’i realizojë ato.

Vetë procedura e ndjekur nga Kuvendi, në miratimin fillimisht të ligjit nr. 98/2017 “Për tarifat gjyqësore në Republikën e Shqipërisë”, pa parashikuar aty procedurat dhe kushtet e përjashtimit apo, së paku, pa e shoqëruar këtë nismë me miratimin e projektligjit “Për ndihmën ligjore”, sjell në vetvete, për këtë rast, pasiguri të theksuar ligjore.

Në kushtet kur ligji i miratuar i referohet projektligjit “Për ndihmën juridike” dhe në gjëndjen kur, kjo nismë ligjore mund të jetë ende në diskutim, dhe ku askush nuk mund të garantojë cilësinë e produktit të mbrojtjes sociale që shteti do të ofrojë, tregon qartë se ligji i miratuar për tarifat gjyqësore, është rezultat i një vlerësimi jo objektiv përkundrejt shoqërisë dhe garancisë që do të duhet t’i ofrohet asaj.

  • Gjithashtu, në vlerësim të mbrojtjes së shtresave në nevojë të shoqërisë, kundrejt rritjes së tarifave gjyqësore nëpërmjet zbatimit të këtij ligjit, duhet t’i kushtohet vëmendje dhe nenit 9 të ligjit nr. 98/2017 “Për tarifat gjyqësore në Republikën e Shqipërisë” ku është parashikuar:

Palët ndërgjyqëse mund të përjashtohen nga detyrimi për të paguar tarifë gjyqësore ose shpenzimet e tjera gjyqësore kur është bërë kërkesë prej tyre, sipas kritereve dhe procedurave të përcaktuara nga legjislacioni në fuqi për ndihmën ligjore”.

Në formën e miratuar, kjo dispozitë është e paqartë dhe nuk parashikon siç duhet mbrojtjen e së drejtës kushtetuese, të parashikuar nga neni 42, pika 2 dhe neni 43 i saj.

Pikërisht në pjesën më delikate të këtij ligji, ku do të duhej që Kuvendi të parashikonte qartë çdo detyrim apo të drejtë dhe që përbën edhe themelin e diskutimit, pikërisht, në atë dispozitë të rëndësishme (neni 9) ligji shfaq paqartësi dhe, për më tepër, e referon problemin për zgjidhje, tek një tjetër normë ligjore që, në rastin konkret, nuk është miratuar ende dhe është në diskutim e sipër (projektligji “Për ndihmën juridike”).

Gjykata Kushtetuese, në vendimet dhe praktikën e saj, ka arësyetuar:

“Parimi kushtetues i shtetit të së drejtës do të konsiderohet i dhunuar, nëse mohohen ose shkelen siguria ligjore, stabiliteti ligjor dhe mbrojtja e pritshmërive të ligjshme. Për të kuptuar dhe zbatuar drejt këtë parim, kërkohet që ligji në një shoqëri të ofrojë siguri, qartësi dhe vazhdimësi, në mënyrë që individët t’i drejtojnë veprimet e tyre në mënyrë korrekte e në përputhje me të… . (shih vendimin nr. 36, datë 15.10.2007 të Gjykatës Kushtetuese).

Duke vlerësuar konkretisht respektimin e këtyre standardeve kushtetuese, rezulton se dispozita e nenit 9 pika 1, të ligjit nr. 98/2017, shfaq probleme të theksuara kushtetutshmërie, pasi nuk parashikon në mënyrë të qartë garantimin e të drejtës kushtetuese për t’iu drejtuar gjykatës, edhe pse fillimisht je në paaftësi paguese të tarifës gjyqësore.

Së fundmi, parashikimet e këtij ligji nuk ndihmojnë në mënyrën e duhur për zgjidhjen e problematikës së financimit të pamjaftueshëm të sistemit gjyqësor, megjithëse ky ligj parashikon rritjen e tarifave në shërbim.

Në dokumentin e Kuvendit “Analiza e Sistemit të Drejtësisë”, përgatitur në qershor të vitit 2015 është parashikuar ndër të tjera: “… Shqipëria ka nivelin më të ulët të raportit të buxhetit të gjykatave me buxhetin e shtetit dhe GDP-në, krahasuar me vendet e rajonit, si dhe me mesataren evropiane”. …Gjykatat lejohen të përdorin 10 për qind të shumës së siguruar për nevojat e tyre, në bazë të një udhëzimi të përbashkët midis Ministrisë së Financave dhe kryetarit të Bordit të ZABGJ-së”.

Nisur nga kjo analizë, në korrik të 2015-ës, Komisioni i Posaçëm miratoi Projektstrategjinë e Reformimit të Sistemit të Drejtësisë, së bashku me planin e veprimit ku një nga objektivat kryesorë që duhet të përmbushet ishte dhe vazhdon të mbetet “Mbështetja e nevojshme financiare dhe infrastrukturore e sistemit të drejtësisë, duke synuar në rritjen e pavarësisë, eficencës dhe profesionalizmit të tij”. (shiko planin e veprimit që shoqëron “Strategjinë e Kuvendit për Sistemin e Drejtësisë”).

Referuar vullnetit absolut të Kuvendit të Shqipërisë, gjatë fazës përgatitore të reformës në sistemin e drejtësisë, është e nevojshme që, e njëjta frymë, do të duhet të tregohet edhe në këtë fazë, kur po miratohet paketa e dytë e ligjeve të reformës dhe ku, pikërisht, një nga ligjet shumë të rëndësishëm, është dhe ligji nr. 98/2017 “Për tarifat gjyqësore në Republikën e Shqipërisë”.

Në nenin 10, pika 2, është parashikuar: “Nga shuma e përgjithshme e arkëtuar për tarifën gjyqësore 10 për qind i kalon buxhetit gjyqësor”.

Ky parashikim ligjor, në raportin shpjegues të Komisionit të Çështjeve Ligjore, arsyetohet si një risi, ndërkohë që referuar dokumentit të analizës së sistemit, vihet re qartë se ky nivel i të ardhurave të mbledhura që sistemi gjyqësor mund të vetadministrojë, nuk ka ndryshuar, ka qenë 10 për qind, por edhe sipas ligjit të miratuar, do të jetë sërish 10 për qind.

Për gjithë sa u parashrua më sipër, është i gjithëpranuar fakti se nuk mund të ketë pavarësi të pushtetit gjyqësor, pa pavarësinë financiare të tij. Referuar këtij parimi, vlerësoj se duhet të jetë në vëmendje të Kuvendit, rivlerësimi i çështjes për sa i takon nivelit të të ardhurave të krijuara që mund t’i mbetet për vetadministrim sistemit gjyqësor. Për këtë aspekt, e vlerësoj si objektiv propozimin e bërë nga shoqëria civile se, “Nga shuma e përgjithshme e arkëtuar për tarifën gjyqësore, jo më pak se 20 përqind e saj, i kalon buxhetit të pushtetit gjyqësor”. 

Kjo qasje, jo vetëm do të krijonte bindjen tek aktorët e sistemit gjyqësor se mbështetja financiare shtetërore për buxhetin gjyqësor ekziston, por realisht në praktikë ajo po materializohet, si një detyrim tashmë ligjor.

Rritja e nivelit të administrimit të të ardhura nga aplikimi i tarifave gjyqësore, do të ndihmonte vetë sistemin gjyqësor në mirëfunksionimin tij, për mbulimin e atyre shërbimeve të nevojshme dhe për më tepër do të shkonte në logjikë të plotë me frymën tërësore të ligjeve të tjera të reformës tashmë të miratuara.

Një parashikim më i lartë i përqindjes në nenin 10 pika 2 të ligjit, do të kontribuojë drejtpërdrejtë në pavarësinë financiare të gjyqësorit dhe në përmirësimin e shërbimeve të ofruara prej tij.

Të nderuar deputetë të Kuvendit të Shqipërisë,  

Referuar sa më sipër, me qëllimin e përmirësimit të këtij ligji në frymën e mbrojtjes të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut dhe garantimit sa më të mirë të pavarësisë së sistemit gjyqësor,  kërkoj mirëkuptimin Tuaj për rishqyrtimin e ligjit nr.98/2017 “Për tarifat gjyqësore në Republikën e Shqipërisë”,  pasi në formën e miratuar, ky ligj bie ndesh me parimet e mbrojtura nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, nuk është në harmoni me kuadrin ligjor të miratuar tashmë në këtë drejtim dhe nuk është aspak në përputhje me pritshmëritë e qytetarëve në drejtim të aplikimit të tarifave në sistemin gjyqësor.

Për më tepër, nisur nga çasti i parashikuar për hyrjen në fuqi të ligjit më datë 1 qershor 2018, vlerësoj se Kuvendi i Shqipërisë ka kohën e nevojshme në dispozicion për përmirësimin e tij, duke rekomanduar këtu rishqyrtimin e këtij ligji së bashku me projektligjin e ndihmës juridike.

Me respekt

 

PRESIDENTI I REPUBLIKËS

 Ilir META