Presidenti Meta priti Komisionerin për Politikën e Fqinjësisë dhe Negociatat e Anëtarësimit, z. Johannes Hahn

10 nëntor 2017

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta priti sot në takim Komisionerin për Politikën e Fqinjësisë dhe Negociatat e Anëtarësimit, zotin Johannes Hahn.

Presidenti Meta mirëpriti zhvillimin e konferencës “Ditët e Medias BE-Ballkani Perëndimor”, që po zhvillohet në Tiranë, duke iu bashkuar mesazhit të Komisionerit Hahn se liria e shprehjes është një vlerë themelore dhe nxitëse e fuqishme e transformimit demokratik.

Presidenti i Republikës theksoi se Shqipëria e konsideron anëtarësimin në BE një projekt kombëtar strategjik, që meriton të gjithë angazhimin institucional dhe qytetar për plotësimin e 5 prioriteteve, zbatimi i të cilave do të sjellë çeljen e negociatave të anëtarësimit. Presidenti Meta vlerësoi se lufta e pakompromis kundër krimit të organizuar dhe zbatimi i reformës në drejtësi duhet të njohin hapa të shpejtë e cilësorë përpara, jo vetëm në funksion të vendimit për çeljen e negociatave të anëtarësimit, por edhe në një plan afatgjatë për forcimin e sundimit të ligjit në vend.

Duke vlerësuar investimin e madh të BE dhe SHBA në reformën në drejtësi, Presidenti Meta vuri në dukje rëndësinë jetike që ka zbatimi i qenësishëm i saj. Ai kërkoi vëmendjen e posaçme të ekspertëve të EURALIUS që asistojnë në këtë proces, për interpretimin e saktë të legjislacionit në interes të krijimit sa më të shpejtë e të besueshëm të institucioneve të reja të drejtësisë.

Presidenti Meta dhe Komisioneri Hahn diskutuan edhe mbi zhvillimet në rajon, ku u theksua rëndësia që ka angazhimi i shtuar i BE-së për përshpejtimin e proceseve demokratizuese dhe integruese të të gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Presidenti Meta theksoi rëndësinë jetike të anëtarësimit sa më të shpejtë të Maqedonisë në NATO, me bindjen se do të gjenerojë më shumë siguri për të gjithë rajonin, si dhe domosdoshmërinë e liberalizimit të shpejtë të vizave për Kosovën.