Presidenti Meta priti të Ngarkuarin e Posaçëm gjerman për Evropën Juglindore, Turqinë dhe Vendet e EFTA-s, Dr. Christian Hellbach

9 nëntor 2017

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta priti sot në një takim të veçantë të Ngarkuarin e Posaçëm gjerman për Evropën Juglindore, Turqinë dhe vendet e EFTA-s, Dr. Christian Hellbach.

Të dy bashkëbiseduesit vlerësuan rolin e Procesit të Berlinit, si për forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe lehtësimin e procesit të anëtarësimit në BE, ashtu edhe për krijimin e një perspektive më të mirë e të qartë për të rinjtë e këtij rajoni.

Nga ana e tij, diplomati i lartë gjerman vlerësoi rolin dhe kontributin e Shqipërisë për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe e siguroi Presidentin Meta për vijimin e mbështetjes gjermane, veçanërisht në kuadrin e adresimit të sfidave të lidhura me forcimin e sundimit të ligjit, zbatimin e reformës në drejtësi dhe progresin me pesë prioritetet kyçe.