Presidenti Meta në Konferencën vjetore të Bankës së Shqipërisë: Progresi i reformave strukturore është jetik për të mbështetur konvergimin e shpejtë ekonomik dhe institucional me vendet e Bashkimit Evropian.

9 nëntor 2017

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta mori pjesë sot në Konferencën vjetore të organizuar nga Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me Qendrën e Studimeve për Evropën Juglindore në Universitetin e Oksfordit, me temë: “Zhvillimet në tregun bankar dhe infrastruktura e tregjeve financiare. Roli i strukturës, madhësisë dhe infrastrukturës së tregjeve në zbutjen e rreziqeve dhe ecurinë e ndërmjetësimit financiar”.

Gjatë fjalës së mbajtur në këtë konferencë, Presidenti Meta vlerësoi Bankën e Shqipërisë për rolin që luajti në zbutjen dhe menaxhimin e efekteve të krizës botërore financiare.

Politika monetare akomoduese e ndjekur prej saj, ka kontribuar në rritjen e ekonomisë së vendit dhe në lehtësimin e barrës financiare mbi kredimarrësit privatë, nëpërmjet lehtësimit të kushteve të financimit dhe zgjerimit të kredisë në lekë”, – tha Presidenti, teksa theksoi se zhvillimet pozitive ekonomike në vendet e eurozonës dhe jo vetëm kanë ndihmuar në rritjen e eksporteve dhe të aktivitetit turistik.

Megjithatë, edhe pse trendi rritës i ekonomisë shqiptare pritet të vazhdojë gjatë periudhës 2017-2019, sfidat që kemi përpara janë të shumta dhe të natyrave të ndryshme. Së dyti, kthimi i ekonomisë në ekuilibër duke nënkuptuar një rritje ekonomike afatmesme dhe afatgjatë prej 3.5-4% është sërish i pamjaftueshëm për të garantuar një efekt të prekshëm mbi mirëqenien e shtresave të gjëra të shoqërisë, si dhe për të konverguar më shpejt me standardet e vendeve të Bashkimit Evropian”, – shtoi Presidenti i Republikës.

Gjithashtu, Presidenti Meta nënvizoi faktin se modeli i rritjes së ekonomisë ka mangësi të theksuara dhe se në tregun e punës kualifikimi i fuqisë punëtore mbetet ende larg kërkesave.

Modeli i rritjes së ekonomisë sonë vazhdon të karakterizohet nga mangësi të theksuara, të cilat duhen targetuar sa më parë: Kështu, shkalla e diversifikimit sektorial mbetet e ulët me shërbimet që zënë rreth 45% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, njëkohësisht, pesha e kërkesës së brendshme mbetet e lartë dhe diversifikimi në terma të eksporteve mbetet i ulët. Ndërkohë, në tregun e punës kualifikimi dhe arsimimi i fuqisë punëtore mbeten larg kërkesave të kohës”, – vijoi Presidenti.

Në fjalën e tij Presidenti Meta ndër të tjera deklaroi se progresi i reformave strukturore është jetik për të mbështetur konvergimin e shpejtë ekonomik dhe institucional me vendet e Bashkimit Evropian.

“Reformat e ndërmarra duhet të ndikojnë në ndryshimin e strukturës së ekonomisë si dhe në përmirësimin e ambientit ligjor e institucional që përcakton nivelin dhe përbërjen e investimeve në vend. Nevojiten masa të menjëhershme për të përmirësuar seriozisht klimën e biznesit, për të reduktuar informalitetin dhe korrupsionin, si dhe për të promovuar konkurrencën ndër-sektoriale”, – tha Presidenti i Republikës.

Fjala e plotë e Presidentit të Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta:

“I nderuar Guvernator Sejko,
I nderuar zoti Anastasakis,
I nderuar zoti Ministër,
Të nderuar të pranishëm!

Kriza botërore financiare na rikujtoi disa mësime bazë të cilat interesi politik i ditës tenton shpesh t’i anashkalojë duke krijuar mangësi të theksuara strukturore, si dhe duke na bërë shumë vulnerabël përpara krizave të tilla që kanë efekt frenues të fortë dhe të shtrirë në kohë.

Padiskutim që për një organizim relativisht të ri ekonomik siç është eurozona, përballimi i efekteve të krizës ishte një moment sprove dhe kërkonte vendimmarrje të shpejtë për të vlerësuar efektivitetin e mekanizmave mbrojtës ekzistues, si dhe krijimin e mekanizmave të rinj për t’iu përshtatur situatave të krijuara.

Efektet e krizës në ekonominë reale dhe segmentin financiar u shoqëruan me nivele të larta të borxhit publik, tolerancë të ulët ndaj riskut në investime, ritëm të ulët në zgjerimin e tregtisë botërore, si dhe riatdhesim të investimeve të huaja direkte jashtë.

Edhe pse disi me vonesë, efektet e krizës u ndjenë edhe në ekonominë tonë duke u shoqëruar me një trend të qartë ngadalësues të ritmit të rritjes. Ky ngadalësim nxori në pah mangësi të shumta strukturore duke ndikuar drejtpërdrejtë në rritje të borxhit publik, rritje të papunësisë, rritje të kredive me probleme në sistemin bankar, si dhe vështirësi financiare për bizneset dhe familjet.

Gjej rastin të vlerësoj Bankën e Shqipërisë për rolin proaktiv në zbutjen dhe menaxhimin e efekteve të kësaj krize.

Politika monetare akomoduese e ndjekur prej saj, ka kontribuar në rritjen e ekonomisë së vendit dhe në lehtësimin e barrës financiare mbi kredimarrësit privatë, nëpërmjet lehtësimit të kushteve të financimit dhe zgjerimit të kredisë në lekë.

Kjo politikë monetare rezultoi me efekte pozitive në disa drejtime: duke kontribuar në uljen e normave të interesit në të gjitha produktet e tregut financiar, në reduktimin e primeve të rrezikut në tregjet financiare, si dhe në ruajtjen e një situate të qëndrueshme të likuiditetit.

Të dhënat e fundit ekonomike të disponuara konfirmojnë trendin rritës të ekonomisë shqiptare i mbështetur kryesisht prej zgjerimit të kërkesës së brendshme të sektorit publik dhe privat, si dhe nga rritja e kërkesës së huaj.

Zhvillimet pozitive ekonomike në vendet e eurozonës dhe jo vetëm kanë ndihmuar në rritjen e eksporteve dhe të aktivitetit turistik.

Megjithatë, edhe pse trendi rritës i ekonomisë shqiptare pritet të vazhdojë gjatë periudhës 2017-2019, sfidat që kemi përpara janë të shumta dhe të natyrave të ndryshme.

Së pari, ambienti rregullator evropian i postkrizës dhe politikat e bankave evropiane për uljen e ekspozimit të tyre ndaj vendeve jashtë BE-së mbeten faktorë shtrëngues dhe frenues ndaj zhvillimit.

Së dyti, kthimi i ekonomisë në ekuilibër duke nënkuptuar një rritje ekonomike afatmesme dhe afatgjatë prej 3.5-4% është sërish i pamjaftueshëm për të garantuar një efekt të prekshëm mbi mirëqenien e shtresave të gjëra të shoqërisë, si dhe për të konverguar më shpejt me standardet e vendeve të Bashkimit Evropian.

Së treti, modeli i rritjes së ekonomisë sonë vazhdon të karakterizohet nga mangësi të theksuara, të cilat duhen targetuar sa më parë: Kështu, shkalla e diversifikimit sektorial mbetet e ulët me shërbimet që zënë rreth 45% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, njëkohësisht, pesha e kërkesës së brendshme mbetet e lartë dhe diversifikimi në terma të eksporteve mbetet i ulët. Ndërkohë, në tregun e punës kualifikimi dhe arsimimi i fuqisë punëtore mbeten larg kërkesave të kohës.

Dhe së katërti, sektori financiar shqiptar karakterizohet nga diversifikimi i ulët sektorial ku sektori bankar përfaqëson segmentin më aktiv dhe më të zhvilluar të sistemit financiar duke përbërë rreth 90% të aktiveve të tij.

Në këtë kuadër, progresi i reformave strukturore është jetik për të mbështetur konvergimin e shpejtë ekonomik dhe institucional me vendet e Bashkimit Evropian.

Reformat e ndërmarra duhet të ndikojnë në ndryshimin e strukturës së ekonomisë si dhe në përmirësimin e ambientit ligjor e institucional që përcakton nivelin dhe përbërjen e investimeve në vend.

Nevojiten masa të menjëhershme për të përmirësuar seriozisht klimën e biznesit, për të reduktuar informalitetin dhe korrupsionin, si dhe për të promovuar konkurrencën ndër-sektoriale.

Duhet të ndërmerren politika strukturore që rrisin nivelin e kapitalit njerëzor, përmirësojnë infrastrukturën e zhvillimit dhe promovojnë qeverisjen e shëndetshme të kompanive publike dhe private.

Gjithashtu, krijimi i tregut të kapitalit mbetet një domosdoshmëri pasi ndikon drejtpërdrejtë në shtimin e fondeve për t’u përdorur për investime, në diversifikimin dhe në uljen e kostos së burimeve të financimit për kompanitë, si dhe në rritjen e mirëqenies së përgjithshme.

Në çdo rast, parakusht për zhvillimin e tregut të kapitalit mbeten reformat institucionale, forcimi i kornizës ligjore e rregullative dhe stabiliteti makroekonomik.

Duke e mbyllur fjalën time këtu, dua të shpreh një falënderim të veçantë për Bankën e Shqipërisë që është një institucion mjaft i besueshëm i shtetit tonë, për Guvernatorin Sejko për punën e mirë të bërë në kuadër të garantimit të stabilitetit makroekonomik të vendit, si dhe për iniciativën në realizimin e kësaj konference në bashkëpunim me Qendrën e Studimeve për Evropën Juglindore në Universitetin e Oksfordit.

Punë të mbarë konferencës suaj! Ju faleminderit!”