Reagim i Institucionit të Presidentit të Republikës, nëpërmjet Zëdhënësit Tedi Blushi

7 nëntor 2017

Presidenti i Republikës, me cilësinë e Kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, pasi u njoh me lajmin dhe reagimin publik të institucionit të Prokurorisë, për veprimtarinë e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, në lidhje me lirimin e shtetasit Genc Tafili, ka urdhëruar menjëherë Inspektoriatin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, që në përputhje me kërkesat e ligjit, të fillojë urgjentisht verifikimin e rastit në fjalë dhe veprimtarinë proceduriale të kësaj gjykate.

Presidenti i Republikës garanton se pretendimet e institucionit të Prokurorisë do të verifikohen nga Inspektoriati dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë, në përputhje me kushtet dhe kriteret e ligjit.

Presidenti i Republikës mbështet të gjitha institucionet ligjzbatuese dhe Prokurorinë në veprimtarinë e tyre, në luftën kundër krimit dhe sundimit të ligjit.