Drejtori i Kabinetit Ambasadori Arben Cici

Ambasadori Arben Cici,

ka lindur në Korçë më 5 maj 1960.

Nga 1979 deri më 1981 ka kryer studimet në Fakultetin e Histori-Filologjisë të Universitetit të Tiranës pranë Katedrës së Gjuhës Frënge.

Në 1984 u diplomua në Universitetin e Algjerit, në Fakultetin e Përkthimit ku mori diplomën për përkthyes në gjuhët Frënge-Arabe.

Në 1991 kreu kursin e plotë të specializimit për përkthim në “Jacque Amiot Center” në Paris.

Nga 1993 deri në vitin 1995 përfundoi studimet pasuniversitare në aspiraturë pranë Akademinë Diplomatike të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Federatës Ruse në Moskë.

Në shtator 1997 mbaroi specializimin e plotë për integrimin evropian në Qendrën e Studimeve Diplomatike të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Greqisë.

Gjatë periudhës 1988-92 ka punuar si pedagog në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Histori-Filologjisë, në Katedrën e Gjuhës Frënge.

Në qershor të vitit 1999 u bë Doktor në Shkencat Historike.

Nga qershori 1992 deri në tetor 1992 ka punuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Drejtorinë e Parë.

Nga viti 1992 deri në 1995 Ambasador Cici ka qenë Ambasadori i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Federatën Ruse dhe Ambasador jo rezident në Bjellorusi, Moldavi, Armeni, Gjeorgji, Kazakistan dhe Uzbekistan.

Gjatë periudhës 1995-96 ka punuar sërish në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Drejtorinë e Evropës.

Nga 1996 deri në vitin 2000 ka qenë Drejtor i Protokollit të Shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Gjatë viteve 2000-2006 Ambasador Cici ka shërbyer si Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Kroacisë dhe ambasador jo rezident në Bosnje-Hercegovinë.

Nga gushti i vitit 2006 deri në gusht 2007 ka mbajtur postin e Drejtorit të Protokollit të Shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Nga gushti 2007 deri në shtator 2010 ka shërbyer si Këshilltar Diplomatik i Presidentit të Republikës.

Ndërsa në periudhën tetor 2010 deri në tetor 2014 ka qenë Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Danimarkës.

Nga tetori 2014 deri në prill 2015 shërbeu si Shef i Zyrës së Politikave të Jashtme dhe të Sigurisë të Bashkimit Evropian dhe Koordinimit në Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Në prill 2015 deri në shtator 2016 ishte Drejtor i Protokollit të Kuvendit të Shqipërisë.

Ndërsa nga shtatori 2016 deri në korrik 2017 ishte Drejtor i Kabinetit të Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë.

Nga nëntori i vitit 2015 është “Profesor i Asociuar” në Shkencat Historike në fushën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe është pedagog i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në disa nga universitetet e Shqipërisë.

Që nga 25 korriku 2017 Ambasador Arben Cici është emëruar Drejtor Kabineti i Presidentit të Republikës së Shqipërisë.

Ambasador Cici, dekorohet me Urdhrin e larte “Duka Branimir me Shirit” nga Presidenti i Republikës së Kroacisë, Stjepan Mesic në korrik 2006 dhe në dhjetor 2006 ai dekorohet me Medaljen e Mirënjohjes nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu.

Ambasadori Cici është një njohës i mirë i disa gjuhëve të huaja si dhe autor i një numri botimesh shkencore-historike.