Ylli Asllani – Këshilltar i Presidentit të Republikës për Pushtetin Lokal

Ylli Asllani ka lindur më 24 Mars 1959 në qytetin e Gjirokastrës. Ai është Këshilltar i Presidentit Ilir Meta për Pushtetin Lokal prej shtatorit të vitit 2017 dhe ofron ekspertizë në fushën e qeverisjes vendore, demokracisë lokale, decentralizimit dhe zhvillimit rajonal.
Para kësaj date Ylli Asllani ka shërbyer po në funksionin e Këshilltarit për Pushtetin Lokal në kabinetin e Presidentit Bujar Nishani gjatë periudhës 2013-2017 si dhe në vitet 2005 – 2013 ka qenë pjesë e kabinetit të Kryeministrit Sali Berisha si Këshilltar për problemet vendore;
Në vitet 2001 – 2005 ka qenë President i Agjensisë jofitimprurëse AMIV;
Në vitin 1996 – 2000 zgjidhet Kryetar i Bashkisë Gjirokastër, 1995 – 1996 emërohet Sekretar i Këshillit tē Bashkisë Gjirokastër,
Ndërsa në vitet 1991 – 1995 zgjidhet nga asamblea e punonjësve Drejtor i Uzinës Metalike,
Pas mbarimit të studimeve në vitet 1987 – 1990 ka qenë Inxhinier Projektimi në Uzinën Metalike Gjirokastër;
Në vitin 1987 diplomohet në Universitetin e Tiranës si Inxhinier Mekanik ne profilin Impiante të Industrisë;
Në vitet 1980 – 1982 ka kryer shërbimin ushtarak; ndërsa arsimimin para universitar e ka kryer në vendlindjen e tij, Gjirokaster.
Kualifikuar në Administrim publik, Qeverisjen Vendore, Planifikimin e territorit, Trashëgimi monumentale, Marrëdhëniet me publikun … etj.
Në aktivitetin të tij publik Ylli Asllani është president i Agjencisë së Mbështetjes së Infrastrukturës Vendore AMIV ku ka realizuar mbi 40 projekte në adresë të demokratizimit të shoqërisë civile, përmirësimit të cilësisë së jetës, infrastrukturës dhe zhvillimit rajonal duke qenë partner me një seri programesh të Bankës Botërore, USAID –it, Europian Aid, Crossborder, IOM, UNHCR, OSBE , Fondacioni Soros, Interreg 2-3, Komisioni për Demokraci i U.S. Embassy. REC, Partners of Albania, etj
Ai ka qenë anëtar i Bordit ekonomik të Jugut, Këshillit administrativ të Universiteteve të Vlorës e Gjirokastrës dhe bordit të Portit të Sarandës si dhe ka qenë disa herë këshilltar bashkie e qarku.
Lidhur me kontributin në shoqërinë civile, Ylli Asllani në vitin 2000 është certifikuar nga Departamenti i Shtetit Amerikan me motivacionin “Për kontribut të veçantë në zhvillimin e shoqërisë shqiptare me profesionalizëm dhe aftësi të larta drejtuese”.
Ylli Asllani është gjithashtu prezent me publicistikën e tij në median e vendit me një seri temash, analiza dhe artikuj në fusha të ndryshme.