Njoftim për shprehjen e interesit për vendin vakant të 1 kancelari pranë Institucionit të Komisionerëve Publikë

Institucioni i Komisionerëve Publikë, bazuar në ligjin nr.84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, dhe vendimit të Kuvendit nr.94/2017, shpall vendin vakant për 1 (një) kancelar.

Të gjithë aplikimet duhet të dorëzohen nga data  6 nëntor deri më 10 nëntor 2017  në një nga format e dhëna më poshtë:

  • Paraqitjes së kërkeses nga aplikanti, së bashku me dokumentet përkatëse, pranë Institucionit të Komisionerëve Publikë, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, Pallati i Kongreseve, Tiranë, nga e Hëna në të Premte, ora: 12:00-16:00.

  • Dërgimin e kërkesës së bashku me dokumentet përkatëse, me anë të postës zyrtare pranë institucionit të Komisionerëve Publikë në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, Pallati i Kongreseve, Tiranë. Aplikimi në rrugë postare duhet të kryhet brenda datës 10 nëntor 2017, i cili duhet të vërtetohet me fletë-mandatin e lëshuar nga institucioni përkatës postar. Institucioni i Komisionerëve Publikë do të konfirmojë nëpërmjet postës elektronike marrjen e aplikimit përkatës.

  • Dërgimin e kërkesës së bashku me dokumentacionin përkatës me anë të postës elektronike nga data 6 nëntor deri më 10 nëntor 2017 në adresën info@ikp.al. Institucioni i Komisionerëve Publikë konfirmon nëpërmjet postës elektronike marrjen e aplikimit përkatës.

Në kërkesën që paraqet, kandidati përcakton vendin vakant, për të cilin është i interesuar të aplikojë. Bashkëlidhur me kërkesën, kandidati dorëzon 1 kopje të dokumenteve që vërtetojnë plotësimin e kritereve të mëposhtme:

  1. Jetëshkrim (CV), përfshirë të dhënat e kontaktit, postën elektronike dhe adresën postare;

  2. Kopje të dokumenteve të noterizuara ose të njësuara nga organi përkatës, dhe vetdeklarim që vërtetojnë kriteret e mëposhtme:

a) të jetë shtetas shqiptar;

b) ka përfunduar ciklin e dytë të studimeve universitare për drejtësi ose në shkenca ekonomike me diplomë “Master i shkencave” në Shqipëri ose studimet universitare për drejtësi ose në shkenca ekonomike jashtë vendit dhe ka marrë një diplomë të njësuar sipas rregullave për njësimin e diplomave, të parashikuar me ligj;

c) ka pasur një përvojë pune në nivel menaxherial dhe drejtues, jo më pak se 8 (tetë) vjet;

ç) ndaj tij të mos të ketë nisur një hetim penal, të mos jetë i dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e një krimi ose për kryerjen e një kundërvajtjeje penale me dashje;

d) të zotërojë shumë mirë gjuhën angleze;

dh) ndaj tij të mos jetë marrë masa disiplinore e largimit nga puna ose ndonjë masë tjetër disiplinore, e cila është ende në fuqi, sipas legjislacionit, në momentin e aplikimit;

e) nuk ka ushtruar funksione politike në administratën publike ose nuk ka mbajtur pozicione drejtuese në një parti politike gjatë 10 viteve të fundit.

ë) nuk ka qenë anëtar, bashkëpunëtor ose i favorizuar nga ish-Sigurimi i Shtetit para vitit 1990, sipas ligjit “Mbi të drejtën e informimit me dokumentet e ish-shërbimit të sigurimit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë” (vetëdeklarim);

Kandidatët të cilët aplikojnë nëpërmjet postës elektronike, nëse do të vlerësohen që plotësojnë kriteret ligjore, duhet të paraqesin ditën e intervistës dokumentet origjinale ose të njësuara me origjinalin, që vërtetojnë plotësimin e kritereve të mësipërme.