Presidenti Meta shpreh hidhërimin për ndarjen e parakohshme nga jeta të albanologut të shquar, Robert Elsie

2 tetor 2017

“Me hidhërim mësova për ndarjen sot nga jeta të Doktor Robert Elsie!

Ikja e pakthim e këtij albanologu të shquar, përkthyesi, hulumtuesi, studiuesi të palodhur të letërsisë dhe folklorit shqiptar dhe njëherazi mik i sinqertë e i çmuar i kombit tonë, është një humbje e madhe për letrat dhe kulturën shqipe.

I shpreh familjes, miqve e bashkëpuntorëve të tij ngushëllimet më të thella e të sinqerta për humbjen e të dashurit të tyre!

Doktor Elsie na la pas një trashëgimi të jashtëzakonshme, një numër të konsiderueshëm librash dhe shkrimesh dedikuar letërsisë, historisë, albanologjisë dhe kulturës kombëtare shqiptare. E gjithë bota akademike shqiptare, dhe të gjithë shqiptarët kudo gjenden, i mbetemi përjetë mirënjohës këtij njeriu që shkëlqeu përmes punës së palodhur, modestisë fisnike, dhe që e deshi e nderoi kombin tonë përmes veprës e fjalës.”