Presidenti Meta shpreh ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Akademikut Farudin Hoxha

11 shtator 2017

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta shpreh ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Akademikut dhe projektuesit të disa veprave madhore hidroenergjetike në Shqipëri, Prof. Farudin Hoxha.

Presidenti i Republikës, duke i shprehur ngushëllimet e sinqerta familjes për këtë humbje të madhe e të pazëvendësueshme, theksoi se: “Shqipëria dhe bota akademike humbën një figurë të shquar të shkencës dhe përfaqësues të spikatur e të denjë të plejadës së projektuesve të veprave madhore hidroenergjetike në Shqipëri.”

“Profesor Hoxha do të mbahet mend si një shkencëtar i rrallë e i mirëfilltë, i cili me kontributet e çmuara e thelbësore në fushën e tij të ekspertizës, projektoi e u dha jetë veprave mbresëlënëse hidroenergjetike anembanë vendit tonë, të cilat vazhdojnë të na japin dritë e të ndriçojnë shtëpitë e çdo qytetari shqiptar.

I pastë dritë shpirti!” – u shpreh Presidenti Meta.