Presidenti Meta u shpreh ngushëllimet familjarëve të atdhetarit dhe intelektualit të shquar, Beqir Ajazi

4 gusht 2017

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta u shpreh ngushëllimet e sinqerta familjarëve të atdhetarit dhe intelektualit të shquar, Beqir Ajazi:

“Të nderuar anëtarë të familjes Ajazi,

Mësova me hidhërim për ndarjen nga jeta të atdhetarit dhe intelektualit Beqir Ajazi, i cili ia kushtoi gjithë jetën e tij luftës së pareshtur për liri, demokraci dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe çështjes shqiptare.

Me ikjen nga kjo botë të një intelektuali të mirënjohur botërisht, të një frankofoni sui generis, familja dhe të afërmit e tij humbën njeriun e tyre të dashur, por Shqipërisë dhe shqiptarisë do t’i mungojë në mënyrë të pazëvendësueshme memorialisti i mençur dhe dëshmitari i papërsëritshëm i kujtimeve dhe ngjarjeve madhore historike që vendosën fatin e vendit tonë.

Ju lutem, më lejoni të ndaj me ju dhimbjen e thellë në këto çaste të vështira, t’ju shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta e t’ju gjendem pranë!

Shpirti i tij i dlirët i pushoftë në paqe! I qoftë i lehtë dheu i tokës shqiptare, të cilën e deshi aq shumë duke sakrifikuar rininë, jetën, pasurinë e katandinë, siç thuhet, për të!” – theksohet në mesazhin e Kreut të Shtetit shqiptar.