Presidenti Meta priti Ministrin e Maqedonisë për Investimet e Huaja, Ramiz Merko

2 gusht 2017

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta priti sot në një takim të veçantë kortezie Ministrin pa Portofol të Republikës së Maqedonisë, përgjegjës për Investimet e Huaja, zotin Ramiz Merko, i cili po zhvillon një vizitë pune në Shqipëri.

Presidenti Meta përshëndeti vizitën e Ministrit Merko në Shqipëri dhe vlerësoi qasjen dhe interesin e Qeverisë së re të Maqedonisë për të nxitur dhe rritur edhe më tej bashkëpunimin politik dhe ekonomik mes dy vendeve. Duke u ndalur në mënyrë të veçantë në eksperiencën e suksesshme të Maqedonisë me zonat e lira ekonomike dhe turistike, Presidenti Meta shprehu besimin se komunitetet e biznesit të të dyja vendeve do t’i vlerësojnë seriozisht këto mundësi, si dhe frymën e re të bashkëpunimit mes tyre.

Të një rëndësie vendimtare e me impakt të drejtpërdrejtë për nxitjen si të investimeve të ndërsjella, ashtu edhe të gjenerimit të projekteve të përbashkëta rajonale, Presidenti Meta konsideroi realizimin sa më shpejt të lidhjes hekurudhore mes dy vendeve, si dhe të realizimit të projektit multimodal të Korridorit VIII.