Presidenti Meta priti Presidentin e Zyrës së Lartë të Auditimit të Republikës Çeke, Miloslav Kala

2 gusht 2017

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta priti sot në një takim të veçantë Presidentin e Zyrës së Lartë të Auditimit të Republikës Çeke, zotin Miloslav Kala, i cili po zhvillon një vizitë pune në Shqipëri me ftesë të Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, zotit Bujar Leskaj.

Presidenti Meta vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve dhe, duke iu referuar ecurisë pozitive të bashkëpunimit në vitet e fundit, theksoi se eksperienca çeke në fushën e kontrollit dhe auditimit, veçanërisht për çështjet evropiane është shumë e rëndësishme për institucionet shqiptare.

Duke vlerësuar ekspertizën dhe programet e trajnimit të Zyrës së Lartë të Auditimit të Republikës Çeke për institucionin shqiptar të auditimit, KLSH-në, Presidenti Meta theksoi se ato do të kenë një impakt pozitiv në përmirësimin e punës së institucioneve shtetërore dhe të administrimit të pasurisë publike, konform standardeve më të mira evropiane të transparencës.