Ceremonia në Presidencë, Sh.T.Z. Ilir Meta merr detyrën e Presidentit të Republikës së Shqipërisë

24 korrik 2017

Pas betimit në Kuvendin e Shqipërisë si President i Republikës së Shqipërisë, Sh.T.Z. Ilir Meta, u drejtua në Presidencë për ceremoninë e marrjes së detyrës.

Fillimisht, zoti Meta është pritur në një takim kortezie nga ish-Presidenti i Republikës, zoti Bujar Nishani në ambientet e Presidencës.

Më tej, ish-Presidenti i Republikës, Bujar Nishani bashkë me Presidentin e Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta, u drejtuan për nga hyrja kryesore e Presidencës për nisjen e ceremonisë.

Pas ekzekutimit të Himnit Kombëtar nga Banda e Forcave të Armatosura, i shoqëruar nga 21 të shtëna topi, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, z. Bashkim Dedja, i ka dorëzuar Presidentit Meta në mënyrë simbolike Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Në vijim të ceremonisë, Presidenti Ilir Meta mbajti një fjalë përshëndetëse ku nënvizoi rëndësinë e dialogut, duke theksuar se do të ishte “besnik i palëkundur i dialogut dhe konsensusit, si gjuha e vetme e suksesshme e politikës, si gjuha që ndërton komunikim, bashkim mes qytetarëve dhe mirëqenie”.

Fjalimi i Presidentit të Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta gjatë ceremonisë së marrjes së detyrës:

I nderuar Z. Nishani,

I nderuar Z. Kryeministër,

Të nderuar përfaqësues të Kuvendit dhe të Qeverisë,

Të nderuar përfaqësues të komuniteteve fetare,

Shkëlqesi Ambasadorë e diplomatë,

Miq e të ftuar,

Zonja dhe zotërinj,

Ju falënderoj të gjithëve në këtë moment solemn të marrjes së përgjegjësisë së lartë shtetërore si President i Republikës. Një vlerësim të veçantë kam për presidentin Nishani, për qetësinë dhe qëndrimin e ekuilibruar institucional dhe njerëzor, me të cilin kam pasur mundësinë dhe kënaqësinë të bashkëpunoj edhe si Kryetar i Kuvendit në mjaft rrethana të zhvillimeve politike dhe komunikimeve ndërinstitucionale. Shteti shqiptar në 105 vitet e ekzistencës së tij ka mbi vete peshën e historisë së lashtë të një populli që ka krijuar ndër shekuj vlera madhore dhe njerëz të mëdhenj.

Lavdia e përbotshme e Skënderbeut, urtësia e Ismail Qemalit, mendimi vizionar i Sami Frashërit, humanizmi i Nënë Terezës, janë arsye krenarie dhe reflektimi të thellë e të vazhdueshëm. Të jesh në krye të këtij shteti që ia ka dalë t’u japë shqiptarëve këtë histori të denjë, është më shumë se përgjegjësi para Kushtetutës. Është përgjegjësi para historisë së qytetërimit të këtij vendi, populli e kombi. Unë sapo u betova përpara ligjvënësve shqiptarë duke u angazhuar solemnisht që të gjitha aftësitë e mija politike, morale dhe intelektuale do të jenë në funksion të ruajtjes dhe forcimit të vlerave më të larta, të bashkëjetesës, tolerancës dhe pranimit të ndryshimit si filozofia e vetme që sjell zhvillim. Përvoja politike më inkurajon të pohoj sot se gjithnjë ia ka vlejtur të mos kursehesh për të gjetur dhe eksploruar se çfarë na bashkon si për të bërë lëshimet e kompromiset e domosdoshme, për hir të mbarësisë kombëtare.

Dua t’ju riafirmoj sërish se jam besnik i palëkundur i dialogut dhe konsensusit si gjuha e vetme e suksesshme e politikës, si filozofi që ndërton mirëkuptim, bashkim mes qytetarëve dhe mirëqenie. Demokracia është jetike për një vend si i yni, të cilit i rëndon një e shkuar totalitare 50 vjeçare ku liritë dhe të drejtat themelore të njerëzve u asgjësuan në emër të popullit. Do të punoj pa reshtur që shoqëria demokratike në Shqipëri të konsolidojë vlerat dhe liritë themelore si dhe të jetë vigjilente ndaj çdo cenimi të tyre. Demokracia dhe shoqëria demokratike janë themeli i lirive, të drejtave dhe mundësive të çdo qytetari për përfshirje, siguri dhe prosperitet.

Demokracia e ka dimension jetik lirinë e medias si formë e patjetërsueshme e shprehjes së opinionit, të kritikës, e të mendimit alternativ të shoqërisë në anën e interesit më të mirë publik. Në funksion të një shoqërie demokratike, të hapur dhe reflektuese, me bindje ju afirmoj se shoqëria civile si një vlerë dhe instrument vital i demokracisë do ta ketë gjithmonë vëmendjen dhe bashkëpunimin e institucionit të Presidentit të Republikës.

Nuk mund të ketë një demokraci të shëndetshme e funksionale pa një shoqëri civile aktive, oponente, por edhe mbështetëse ndaj zhvillimeve më dinamike ekonomike e shoqërore për të cilat ka aq shumë nevojë vendi. Shqipëria evropiane që duam të ndërtojmë kërkon cilësi të lartë mendimi dhe profesionalizëm të spikatur, gjë që nuk mund të arrihet pa një përfshirje më aktive të botës akademike e universitare si niveli më i lartë i mendimit shkencor.

Dialogu me të do të jetë i vazhdueshëm dhe intensiv, për të dhënë zgjidhje sa të bazuara dhe solide për çështje ku mendimi shkencor është i pazëvendësueshëm. Aspirata e madhe evropiane e shqiptarëve nuk mund të matet e vlerësohet vetëm me përqindjet e rritjes ekonomike apo me gjithfarë statistikash e raportesh, qofshin ato edhe nga më optimistet. Unë do të jem i qetë se Shqipëria është vërtetë në rrugën e duhur vetëm kur të rinjtë e të rejat e vendit tonë ta duan Shqipërinë jo vetëm si vendlindjen e tyre por mbi të gjitha si vendin ku do të realizojnë me sukses ëndrrat e tyre.

Vetëm atëherë ne mund ta konsiderojmë të kryer e të përmbushur misionin tonë. Dhe unë jam i bindur se Shqipëria jonë i ka të gjitha mundësitë dhe resurset për ti realizuar plotësisht këtu ëndrrat e të rinjve dhe të fëmijëve tanë. Shqipëria do të bëhet evropiane këtu ku është, ndaj unë do të jem inkurajues i të gjitha reformave që kanë si qëllim pavarësinë e pushteteve, rikthimin e besimit te drejtësia, rritjen e besimit të qytetarëve tek shteti dhe institucionet.

Zonja dhe Zotërinj,

Kemi arsye të jemi optimistë sepse aleancat tona të jashtme janë sot më progresivet. Shqiptarët nuk kanë qenë ndonjëherë më të lartësuar si subjekte shtetformuese sa sot. Jemi anëtarë të NATO-s, një aleance që garanton rendin botëror dhe mbron të pambrojturit, që godet terrorizmin e diktaturat dhe mbështet demokracinë dhe lirinë.

Jemi krenar për forcat tona të armatosura që kontribuojnë me përkushtim dhe sakrifica, jo vetëm në Afganistan por edhe në misione të tjera, në mbrojtje të lirisë e paqes së popujve të tjerë në botë. Si President i Republikës do të promovoj dhe inkurajoj me forcë gjithçka që forcon e konsolidon unitetin e Shqipërisë në të gjithë aspektet e tij.

I ndërgjegjshëm se mundësitë tona janë modeste për të ndikuar ndaj rreziqeve të jashtme jam po kaq i bindur në mundësitë tona të pashfrytëzuara të brendshme për të forcuar stabilitetin e vendit, për të forcuar sigurinë kombëtare, për një rritje ekonomike më të lartë e gjithëpërfshirëse dhe për të përmirësuar cilësisht kredencialet demokratike të vendit. Ky është qëndrimi më patriotik, më efikas e më i dobishëm në një botë të trazuar ku shumë ngjarje dhe fenomene ndodhin jashtë nesh dhe ku mundësitë për të influencuar mbi to janë të kufizuara.

Duke forcuar dhe intensifikuar më tej marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimin rajonal jam i bindur se do ti përballojmë edhe më suksesshëm këto sfida. Shqiptarët kanë zgjedhur me bindje rrugën e tyre të integrimit evropian dhe ky rrugëtim është në momente të reja të cilat kërkojnë ndërmarrjen e reformave të shpejta, të gjithanshme dhe këmbëngulje për ti çuar ato përpara.

Personalisht, që nga Lëvizja Studentore në dhjetor të 1990, kam qenë mbështetës i palëkundur i rrugës drejt Bashkimit Evropian dhe kam kontribuar pa reshtur gjatë gjithë veprimtarisë sime në politikë për të ecur sa më shpejt për realizimin e këtij objektivi. Sot si President i Republikës me të njëjtin motivim do të vazhdoj të mbështes dhe inkurajoj çdo reformë e bashkëpunim që shpejton anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian.

Zonja e Zotërinj,

Ne shqiptarët kemi krijuar tashmë një kulturë të pranimit të njëri-tjetrit në ndryshim. Këtu e ka themelin edhe një nga kryevlerat tona, bashkëjetesa dhe toleranca fetare shembullore, e cila ka qenë edhe përçuese e një mesazhi paqeje e mirëkuptimi fetar që i ka kaluar kufijtë e Shqipërisë dhe për të cilën jemi me të drejtë krenarë. Politika ka shume ç’të mësojë nga kjo tolerancë dhe ajo do të bëhet gjithmonë e më e dobishme dhe më e frytshme për qytetarët për të ecur në udhën e bashkëjetesës së mendimit ndryshe, të pranimit të alternativave, të së mirës së përbashkët. Le të na inkurajojnë vlerat themelore tradicionale të popullit shqiptar si toleranca, bashkëjetesa dhe mirëkuptimi, që janë bekimi i këtij vendi, për të bërë punë të mbara për Shqipërinë.

Më lejoni ta mbyll fjalën time duke perifrazuar Papa Françeskun, një mik të madh të Shqipërisë dhe promovues të pashoq të këtyre vlerave në gjithë botën, që vetëm pak ditë më parë në urimin e bërë, shkruante: “Lutem që për të gjithë shqiptarët të ketë bekime hyjnore për paqe dhe prosperitet!”

Faleminderit!