Kreu i Shtetit shqiptar vlerëson Artan Cukun (pas vdekjes) me Dekoratën e Artë të Shqiponjës

28 qershor 2017

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani vlerësoi sot Komisarin Artan Cuku (pas vdekjes) me Dekoratën e Artë të Shqiponjës: “Në vlerësim dhe nderim të thellë për përkushtimin maksimal, devotshmërinë e pashembullt, sakrificën e rrallë në luftën pa kompromis kundër keqbërësve dhe krimit të oganizuar, si profesionist dhe misionar pararojë në radhët drejtuese të Policisë së Shtetit”.

Duke iu drejtuar të pranishmëve në ceremoninë solemne, mes të cilëve ishte Ministri i Brendshëm Dritan Demiraj, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Haki Çako, drejtues të lartë policie, kolegë, bashkëpunëtorë dhe familjarët e të ndjerit, Presidenti Nishani u shpreh: “se jemi mbledhur për të kujtuar, për të nderuar, për të vlerësuar njeriun e dashur të zemrës për familjen e të afërmit, babain dhe bashkëshortin shembullor, mikun dhe shokun e devotshëm e të papërtuar, oficerin e lartë të Policisë së Shtetit, i cili u godit në mënyrë të pamëshirshme e të pabesë nga dora e zezë e krimit të organizuar.

Ështe kjo një ceremoni modeste por që në vetvete flet shumë, duke vendosur në vendin e merituar jetën dhe veprën e këtij njeriu luftarak në mbrojtje të rendit kushtetues dhe qetësisë publike.

Të gjithë ndihemi të rënduar nga kjo ngjarje, e cila mbylli jetën tokësore të një të riu, të një familjari simbol, të një komisari që u angazhua personalisht për kryerjen e detyrës që i kishte ngarkuar shteti në një betejë pakompromis ndaj së keqes. Sot jemi të gjithë krenarë për bilancin dhe angazhimet e kontributet e jetës dhe veprës së tij, një bilanc vërtet i paharruar!

“Unë sot nga pozicioni i Presidentit të Republikës, marr të drejtën nga ligjet e vendit tim, për të nderuar figura të cilat kanë lënë gjurmë në jetën institucionale dhe administrative, por në të njëjtën kohë duke iu referuar rastit konkret, unë ndihem i privilegjuar pasi në praninë tuaj nderoj bashkëpunëtorin dhe mikun tim, një kontribues dhe shërbyes të denjë e të pazëvendësueshëm të shtetit dhe të vendit e shoqërisë sonë. Artan Cuku ishte dhe mbetet ne mendjen dhe bindjet e mia një simbol i përkushtimit, trimërisë, mendjemprehtësisë së një komisari që vuri në dispozicion të shtetit të gjithë potencialin intelektual, profesional e shpirtëror. Ai mbetet në kujtesën tonë një shtetar i pakompromis ndaj së keqes, i sinqertë maksimalisht në arritjen e objektivave që i kish vënë vetes duke mos llogaritur për asnjë çast pasojat nga rreziqet për shkak të detyrës së ruajtjes së rendit. Ai ishte i pamëshirshëm ndaj së keqes dhe një misionar i palëkundur në mbrojtje të së mirës. Por ai nuk arriti të parashikojë atë që mund të perifrazohet si më absurdja në një sistem normal demokratik, kur krimi të godet pas shpine dhe merr kurajë. Përfitoj nga rasti të vlerësoj punën e deritanishme të strukturave të Policisë dhe të Prokurorisë për zbardhjen e ngjarjes dhe zbulimin e autorëve. Dëshiroj të vlerësoj e t’u shpreh mirënjohjen e thellë institucionale edhe familjarëve, të afërmve, bashkëpunëtorëve, kolegëve dhe miqve të tij, që u bënë pjesë e rrugëtimit dhe suksesit të tij, për atë që Artani ofroi për dinjitetin e shtetit.

Është detyra dhe përgjegjësia jonë individuale dhe institucionale, që krahas nderimit, vlerësimit e përkujtimit, të mos harrojmë jetën dhe veprën e tij si dhe të kolegëve që nuk janë më, të njerëzve me uniformë që shërbejnë e luftojnë njëzet e katër orë në ditë kundër së keqes. Shpirti i tij u prehtë në paqe teksa vepra e tij do të mbetet e paharruar edhe për brezat e ardhshëm të atyre që do të shërbejnë me devotshmëri e përkushtim në radhët e policisë.” – theksoi Kreu i Shtetit shqiptar.