Presidenti Nishani merr mesazh falënderimi nga Presidenti francez Macron

28 qershor 2017

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani ka marrë një mesazh falënderimi nga Presidenti i Republikës Franceze, Emmanuel Macron në të cilin shkruhet:

“Zoti President,

Dëshiroj t’ju falënderoj për dashamirësinë e madhe që treguat duke më dërguar urimet tuaja me rastin e zgjedhjes sime si President i Francës.

Duke më zgjedhur në postin e Presidentit të Republikës, francezët zgjodhën Evropën, një Evropë më të fortë dhe të orientuar drejt së ardhmes.

Më lejoni të vlerësoj punën e kryer gjatë mandatit tuaj në dobi të afrimit të Shqipërisë me Evropën. Vendi juaj ka bërë përparime të rëndësishme, veçanërisht në fushën e reforëms së drejtësisë dhe luftën kundër korrupsionit. Unë kam besim në mundësitë e Shqipërisë për të vazhduar më tej reformat.

Duke ju përsëritur falënderimet e mia për urimet e përzemërta, ju lutem të besoni Zoti President në shprehjen e konsideratës sime shumë të lartë.”