Kreu i Shtetit shqiptar bën homazhe dhe shpreh keqardhjen për ndarjen nga jeta të ish-Kancelarit gjerman, Helmut Kohl

21 qershor 2017

Presidenti i Republikës Sh. T. Z. Bujar Nishani bëri homazhe në Ambasadën e Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë dhe shprehu ngushëllimet për ndarjen nga jeta të ish-Kancelarit Helmut Kohl.

“Shpreh keqardhjen e thellë për ndarjen nga jeta të ish-Kancelarit të Gjermanisë, Helmut Kohl më 16 qershor 2017.

U shpreh ngushëllimet më të ndjera e të sinqerta familjarëve, të afërmve dhe miqve, popullit dhe autoriteteve gjermane dhe lutem që Kancelari Kohl të prehet në paqen e amëshuar.

Kancelari Kohl do të mbahet mend për vizionin e tij të ribashkimit të Gjermanisë dhe të Evropës, por edhe për mbështetjen e fortë që u dha shqiptarëve për t’u shkëputur nga diktatura komuniste e për të hedhur hapat e para të demokracisë.

Respekte për Kancelarin Kohl dhe ngushëllime për familjarët e të afërmit!” – ishte shënimi që Presidenti Nishani la në Librin e Zisë të hapur me këtë rast në Ambasadën e Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë.