Presidenti i Republikës priti në një takim lamtumire Ambasadoren e Spanjës, Silvia Cortés Martin

20 qershor 2017

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani priti sot në një takim lamtumire Ambasadoren e Spanjës në Tiranë, zonjën Silvia Cortés Martin, në mbyllje të misionit të saj diplomatik në Shqipëri.

Presidenti Nishani e vlerësoi Ambasadoren Cortés Martin për angazhimin dhe kontributin e saj personal tre-vjeçar në Shqipëri, në nxitjen dhe zgjerimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mes dy vendeve, ku një vëmendje i është kushtuar bashkëpunimit në fushën e turizmit, atij kulturor dhe në mënyrë të veçantë rritjes së kontakteve të drejtpërdrejta mes të rinjve të të dy vendeve.

Kreu i Shtetit, duke vlerësuar rolin e Spanjës në rajonin mesdhetar shprehu gjithashtu vlerësimin për mbështetjen e vazhdueshme që Spanja i ka dhënë Shqipërisë përgjatë procesit të integrimit evropian, por edhe angazhimin për paqen dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Presidenti Nishani i uroi Ambasadores Silvia Cortés Martin suksese në përmbushjen e angazhimeve dhe përgjegjësive të ardhshme diplomatike, si dhe shprehu besimin se ajo do të mbetet gjithmonë një mike dhe avokate e mirë e forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve.