Presidenti Nishani priti Princin Gharios El-Chemor of Ghassan Al-Nu’Man VIII

15 qershor 2017

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani priti në një takim të veçantë Princin Gharios El-Chemor of Ghassan Al-Nu’Man VIII si dhe Prof. Dr. theol. Dr. phil. Thomas Schirrmacher, zëvendës/sekretar i përgjithshëm i Aleancës Evangjeliste si dhe delegacionin që i shoqëronte, i cili po zhvillon një vizitë njohëse në Shqipëri me synim promovimin e harmonisë dhe bashkëjetesës fetare në Shqipëri.

Presidenti Nishani vlerësoi punën e Akademisë Mbretërore Ghassanide të Artit dhe Shkencave për promovimin e bashkëjetesës fetare në botë, si dhe mjetet akademike të përdorura për luftën ndaj steriotipeve dhe paragjykimeve fetare e etnike që ekzistojnë sot në zona të ndryshme të globit. “Prezantimi i vlerave të krishterimit në rajonin e Lindjes së Mesme dhe të islamit në perëndim, përbën një përpjekje serioze në drejtim të forcimit të mirëkuptimit dhe shmangies së paragjykimeve.” – u shpreh Presidenti Nishani.

Kreu i Shtetit i njohu bashkëbiseduesit me eksperiencën shumëshekullore shqiptare të harmonisë, bashkëjetesës paqësore e të respektit reciprok mes përfaqësuesve të besimeve të ndryshme fetare, duke theksuar se kjo gjë reflektohet si në jetën e përditshme e marrëdhëniet familjare, ashtu edhe në të gjitha strukturat shtetërore e qeverisëse, qendrore apo vendore. Presidenti i Republikës theksoi gjithashtu, se shqiptarët dhe institucionet shqiptare e ruajnë dhe promovojnë këtë vlerë shumë të rëndësishme, duke e trashëguar brez pas brezi dhe e konsiderojnë një prej shtyllave qendrore të kombit shqiptar.

Gjatë takimit dhe me një ceremoni të veçantë, Kreu i Shtetit u vlerësua me Urdhrin e Shenjtë të Shën Mihael Kryeëngjëllit si dhe iu dorëzua çertifikata e anëtarësisë në Akademinë Mbretërore Ghassanide të Artit dhe Shkencave.

Bashkëbiseduesit vlerësuan eksperiencën shqiptare, si dhe shprehën interesin për të vijuar bashkëpunimin me institucionet shqiptare në drejtim të përhapjes së frymës së tolerancës, të mirëkuptimit, harmonisë e të bashkëjetesës fetare.