Intervistë e Presidentit Nishani dhënë për “Zërin e Amerikës”

29 maj 2017

Gazetarja (Menada Zaimi): Përshëndetje zoti President!

Presidenti Nishani: Kënaqësi që jam me ju!

Gazetarja: Zoti President, cili është komenti juaj lidhur me lëndimin e një numri të madh qytetarësh, përfshirë dhe liderin e opozitës z. Lulzim Basha gjatë tubimit të çeljes së fushatës elektorale në Bulevardin Dëshmorët e Kombit. Duhet thënë që ju e keni bërë një reagim, zyra juaje shtypit në faqen zyrtare të internetit.

Presidenti Nishani: Menada unë do të kërkoja mirëkuptimin tuaj që përpara se të nisja përgjigjen, të shfrytëzoja këtë mundësi që më keni dhënë me ftesën në studion televizive të “Zërit të Amerikës” sot nga Uashingtoni ju dhe unë nga Nju Jorku për të shprehur nderimin e popullit shqiptar për “Ditën e Kujtesës” që është një nga ditët e veçanta, që përkujtohet dhe nderohet këtu në SHBA dhe nga populli amerikan. Sot populli amerikan kujton sakrificat e panumërta, historinë, bijtë dhe bijat e rëna në përpjekje për të mbërritur sot ku Amerika e madhe është. Dhe besoj se ky është një shembull që na inspiron dhe ne shqiptarët. Ndaj, unë përfitoj sot nga rasti që të bashkoj nderimin tim dhe nderimin e popullit shqiptar dhe të gjithë shqiptarëve me nderimin që populli amerikan i bën heronjve të tij edhe gjithë kësaj historie të madhe. Ne jemi krenar që në faza dhe momente të caktuara dhe shumë të rëndësishme Shqipëria dhe bijtë e Shqipërisë kanë bashkuar përpjeket e tyre me përpjekjet e djemve dhe vajzave të popullit amerikan në interes të lirisë dhe paqes siç ka ndodhur në Afganistan, Irak dhe më tej. Ne shqiptarët kemi edhe ne heronjtë, martirët tanë së bashku me bijtë e SHBA-së dhe popullit amerikan në ruajtjen dhe arritjen e paqes dhe lirisë. Ndaj, desha ta bëja këtë mesazh sot pikërisht në këtë ditë të veçantë sot për Amerikën dhe popullin amerikan.

Gazetarja: Pa diskutim është një mesazh shumë i vlefshëm.

Presidenti Nishani: Në lidhje me pyetjen tuaj është një një situatë shqetësuese, është një ngjarje e rëndë. Unë kam pasur që ditën e djeshme menjëherë sapo jam informuar për ngjarjen me autoritetet e institucioneve dhe agjencive ligjzbatuese në Shqipëri; të Inteligjencës, Prokurorisë, Policisë së Shtetit. Vazhdoj të kem kontakte me ta. Stafi im në Tiranë vazhdon të ketë kontakte me këto institucione. U kam dërguar së pari urimet e mia më të sinqerta dhe solidaritetin tim me gjithë ata qytetarë të lënduar, përfshirë dhe liderin e opozitës z. Basha, tejkalimin e kësaj situate pa pasoja. Me sa kam marrë informacion që nuk ka rreziqe eminente tek jeta dhe shëndeti i të prekurve dhe lënduarve. Gjithsesi mendoj që autoritetet dhe shërbimi mjekësor duhet të vijojë ndekjen dhe ofrimin e të gjithë ndihmës për të mos pasur asnjë pasojë te të prekurit dhe lënduarit, dhe nga ana tjetër vazhdoj të ndjek dhe të pres me shumë interes dhe angazhim hetimin e plotë dhe zbulimin e plotë të arsyeve dhe shkaqeve të kësaj ngjarje në mënyrë të tillë që fushata elektorale, që tashmë ka nisur në Shqipëri, të karakterizohet nga elementet e sigurisë së plotë.

Gazetarja: Zoti President, Shqipëria sapo ka dalë nga një krizë e cila rrezikonte që vendi të shkonte në zgjedhje pa opozitën. Ju e keni përshëndetur marrëveshjen e arritur mes dy udhëheqësve kryesorë Kryeministrit Edi Rama dhe Kryetarit të opozitës Basha, e cila për hir të së vërtetës erdhi pas një trysnie të fortë ndërkombëtare. Në versionin tuaj, zoti President a ishte kjo një zgjidhje e momentit apo është një zgjidhje në fakt që ka një produkt afatgjatë, që shkon përtej problemit të këtyre zgjedhjeve?

Presidenti Nishani: Unë vlerësoj mbi të gjitha frymën, frymën e përgjegjshmërisë të paraqitur nga të dy ekspontët kryesorë të vendit, lideri i mazhorancës dhe lideri i opozitës. Personalisht kam qenë i përfshirë për aq sa mund të përfshihet Presidenti i Republikës në mënyrë për të sjellë sa më afër të ishte e mundur frymën dhe qëndrimin e kompromisit midis dy liderëve politikë dhe procesi i nisur i kontakteve të tyre dhe asistenca, nuk do të thoja presioni, por ka patur një asistencë miqësore dhe një ndikim miqësor nga partnerët dhe aleatët tanë SHBA-së dhe BE-së për të nënvizuar sesa e rëndësishme është për Shqipërinë përfshirja në një proces normal, të drejtë, të barabartë zgjedhor në Shqipëri ku të gjitha palët të përfshihen në të, por të përfshihen me kushte dhe kritere të barabarta. Ndaj, unë besoj që edhe marrëveshja e arritur tregoi jo vetëm një përgjegjshmëri të të dy liderëve të mazhorancës dhe opozitës z. Rama dhe z. Basha, por besoj që edhe vendimi që ata morën, jam i bindur që nuk ka qenë vendim i lehtë sepse në fund të fundit të dy liderët lëshuan diçka nga qëndrimet e tyre për t’iu afruar kompromisit. Në fund të fundit ky është dhe sensi i kompromisit, sensi i negociatës. Jam i bindur që nuk kanë qenë vendime të lehta qoftë i liderit të mazhorancës dhe qoftë dhe i liderit të opozitës, por liderët prandaj janë, për të marrë vendime të forta jo të lehta, por të qarta. Jam i bindur që kjo frymë duhet të vijojë pa dyshim në sensin e ruajtjes dhe respektimit të interesave reciproke të secilës krah politik të majtë apo të djathtës, por në fund të fundit kur vjen puna për çështje madhore që t’i shërbejë interesave kombëtare dhe interesave të vendit. Besoj se këto përgjegjësi duhen pasqyruar dhe reflektuar në sensin e kompromisit.

Gazetarja: Megjithatë, zoti President, a është normale që me vendim të partive kryesore të shtyhet data zgjedhjeve, po me vendim të partive kryesore të përjashtohet mundësia e koalicioneve duke kapërcyer afatet dhe parashikimet ligjore.

Presidenti Nishani: Mund të them që ka pasur një qëndrim dhe propozimi dhe marrëveshja e tyre ka qenë në fakt, dhe e kam vlerësuar këtë, në kufij të respektimit të Kushtetutës dhe ligjit. Data vërtet u ndryshua dhe u shty, por ishte një datë e përcaktuar brenda atyre afateve kushtetuese dhe ligjore dhe Presidenti i Republikës vuri në dispozicion diskrecionin e tij për të bërë ndryshimin e dekretit dhe referoi datën e dytë sepse Presidenti ka pasur në dispozicion dy data për të zgjedhur për zgjedhjet e ardhshme, dt. 18 dhe 25 qershor. Paraprakisht kisha menduar të ishte 18 qershori si një datë e cila jepte mundësinë që partitë të futeshin në një situatë dhe për shkak të klimës që vjen në Shqipëri dhe për shkak situatës së verës që sjell angazhime të tjera të qytetarëve. Edhe data 25 qershor ishte një datë e parashikuar në Kushtetutë, e parashikuar në kodin zgjedhor dhe nuk ka pasur një shkuarje dhe shtyrje në shkelje as të Kushtetutë dhe as të ligjit. Ndaj unë mendoj që kjo marrëveshje krahas frymës së përgjegjshmërisë për kompromis edhe për të krijuar një ambient edhe më të mirë dhe më të qetë nga ai që ishte para marrëveshjes dhe të mos harrojmë që kishim një situtatë dhe një ambient politik ekstremisht të polarizuar i cili mund të tentonte të shkonte edhe në përplasje civile nëse nuk do të kishte një relaksim.

Gazetarja: Dhe nuk do ta kemi këtë mjedis të polarizuar pas kësaj marrëveshje. Për shembull si i shihni ju akuzat në mendia apo insinuatat që janë hedhur në media që kjo është një përpjekje për të eleminuar partitë e vogla. Ka patur interpretime të tilla, apo jo?

Presidenti Nishani: Natyrisht që interpretimet do të jenë gjithmonë prezente, analizat do të jenë gjithmonë prezente, por unë besoj që fryma e kompromisit për të krijuar një ç’tensionim të atij polarizimi ekstrem dhe që vinte gjithmonë e në rritje në prag të fushatës elektorale, besoj që do të ishte i dëmshëm jo vetëm për shumicën dërrmuese të qytetarëve shqiptarë dhe votuesve, por do të ishte edhe një shqetësim për prespektivën, për prespektivën evropiane të Shqipërisë, aq më tepër për imazhin e Shqipërisë anëtare e NATO-s. Ndaj mendoj që përgjegjësia pavarësisht ndonjë kostoje personale që mund të kenë marrë secili në krahun e tij politik qoftë lideri i mazhorancës, qoftë lideri i opozitës, besoj që i kanë shërbyer me mençuri një prespektive më të mirë, jam i bindur edhe të garës. Pastaj do të jetë gara ajo e cila do të tregojë se cila forcë politike, cili krah politik në suazën e respektimit të plotë të marrëveshjes, të angazhimeve, të standardeve për të treguar se kush do të fitojë shumicën e mbështetjes së qytetarëve shqiptarë.

Gazetarja: Zoti President pse nuk ka ende një Shef Shtabi të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura në Shqipëri. Kaq e vështirë është të gjendet gjuha e përbashkët me qeverinë?

Presidenti Nishani: Jo nuk kam ende një propozim konkret nga qeveria për një emër,  është e thjeshtë përgjigjja.

Gazetarja: Ju prisni një propozim nga qeveria?!

Presidenti Nishani: Po!

Gazetarja: Zoti President pjesa më e madhe dërrmuese e mandatit tuaj ka përkuar me qeverisjen socialiste. Ju si do ta përkufizonit të gjithën? Keni pasur akuza nga qeverisja e majtë se jeni ndikuar shumë nga Partia Demokratike sepse ju vini nga një ‘background’ i djathtë. Cila është përgjigjja ndaj këtyre akuzave?

Presidenti Nishani: Në fakt ishte hera e parë në Shqipëri që ndodhte një President i së djathtës që ishte në pushtet dhe ushtronte detyrën e Presidentit me një qeveri dhe një maxhorancë parlamentare të së majtës. Ka pasur akuza politike, por mund t’ju them që saga e akuzave të së djathtës në Shqipëri për fatin e keq është një sagë shumë e gjatë që ende nuk ka përfunduar edhe që duket që vazhdon të bëhet edhe gjithmonë e më shumë e sofistikuar edhe gjithmonë e instrumentalizuar, por gjithsesi unë mendoj që nuk ka pasur përtej akuzave as edhe një fakt konkret që të mbështesë nga pikëpamja logjike, nga pikëpamja e fakteve dhe provave që unë e kam ushtruar detyrën e Presidentit të Republikës në interes të opozitës apo në interes të së djathtës në Shqipëri.

Përkundrazi unë jam përpjekur dhe besoj dhe shpresoj që t’ia kem arritur që të ruajë tre dimensione: dinjitetin, integritetin edhe thjeshtësinë. Thjeshtësinë e ushtrimit të detyrës veçanërisht në raportin komunikativ me qytetarët shqiptarë. Do të isha i lumtur shumë në se shumica e qytetarëve shqiptarë do të besonin vërtetë që unë kam mundur t’i realizojë këto tre dimensione gjatë periudhës sime në zyrën e Presidentit të Republikës.

Gazetarja: Zoti President, cila janë planet tuaja pasi të përfundojë mandati juaj si President i Republikës ? Do t’i riktheheni politikës?

Presidenti Nishani: Deri më 24 korrik do të qëndrojë në zyrën e Presidentit të Republikës në respekt të plotë të atij betimi që kam bërë. Pas 24 korrikut unë do të kem kohë, shumë kohë për të bërë analistin, për të bërë opinionistin për të bërë aktivistin, por ajo që mund të them sot ka të bëjë me faktin që situata politike në Shqipëri kërkon mendje të kthjellta, kërkon zemër dhe shpirt të fortë, përballim me dinjitet të sfidave të shumta.

Mund të them të dyja aspektet qoftë si President i Republikës, qoftë si edhe si qytetar. Si President i Republikës më vjen keq të shoh se shpeshherë edhe në situata qesharake kalohet kur gati 90 % e estabilshmentit politik, 90 % e medias janë tërësisht në akuza ndaj opozitës. Jo se opozita duhet të marrë mbështetjen e gjithkujt, por besoj që Shqipëria në këtë rast përbën rastin unikal në vendet demokratike, në vendet pluraliste ku i gjithë ky angazhim i përmasave të mëdha adresohet për të sulmuar opozitën. Në një kohë unë mendoj që në përgjithësi energjitë për opozicion duhen drejtuar ndaj fenomeneve, ndaj problematikave që kanë qytetarët shqiptarë, të shqetësimeve të tyre, të jetës së tyre ekonomike. Ndaj, ky angazhim shumë i sofistikuar edhe ditët e fundit ndaj opozitës kryesisht ndaj liderit të opozitës zotit Basha duket që krijon perceptimin dhe gati–gati bindjen që gjithçka është e instrumentalizuar politikisht ndaj opozitës dhe liderit Basha.

Por gjithsesi ajo që unë doja të thoja ka të bëjë me faktin që për ne është shumë e rëndësishme që të ruajmë standardet edhe te kemi gjithmonë kurajën dhe gjithsecili në postin dhe pozicionin që ka ta kuptojë dhe ta ushtrojë mundësinë e tij si shërbyes, si shërbëtor dhe jo si përfitues.

Gazetarja: Ju faleminderit!

Presidenti Nishani: Ju faleminderit juve dhe ju uroj suksese juve dhe gjithë stafit tuaj. Përshëndetje!