Presidenti Nishani do të marrë pjesë në Platformën Globale 2017 për Reduktimin e Rrezikut të Katastrofave me ftesë të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, António Guterres

23 maj 2017

Me ftesë të Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) António Guterres, Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani, në krye të delegacionit zyrtar shqiptar, u nis drejt Meksikës për të marrë pjesë në punimet e sesioneve të Platformës Globale 2017 për Reduktimin e Rrezikut të Katastrofave që do të zhvillohen në Kankun në datat 24-26 maj, 2017.

Kreu i Shtetit shqiptar do t’i drejtohet me një fjalim sesionit të deklaratave zyrtare dhe Forumit të Udhëheqësve, si dhe pritet të zhvillojë takime të rëndësishme pune në kuadër të kësaj veprimtarie të rëndësishme botërore të diskutimit të çështjeve dhe rrahjes së problemeve për parandalimin dhe reduktimin e rreziqeve të shkaktuara nga katastrofat natyrore, në të cilën do të marrin pjesë gjithashtu krerë shtetesh e qeverish, autoritete të larta shtetërore e të politikës botërore, si dhe drejtues të organizatave të ndryshme ndërkombëtare.