Kreut të Shtetit shqiptar i jepet titulli “Qytetar Nderi” i Prizrenit

14 maj 2017

Në ditën e fundit të vizitës shtetërore në Kosovë të Presidentit të Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani në kompleksin historik të Lidhjes së Prizrenit u zhvillua ceremonia solemne e posaçme e dhënies nga Komuna e këtij qyteti të titullit “Qytetar Nderi” Kreut të Shtetit shqiptar.

Mes të pranishmëve të shumtë që kishin dalë për ta mikpritur, ishin Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, drejtuesit vendorë të qytetit të Prizrenit si dhe përfaqësues të bashkësive fetare dhe qytetarë. Kreu i Komunës Ramadan Muja u shpreh se: “Prizreni është krenar për shpalljen ‘Qytetar Nderi’ të Presidentit të Republikës të Shqipërisë.”

Kreu i Shtetit shqiptar, pas marrjes në dorëzim të titullit vuri në dukje në fjalën e Tij se: “Nuk ka emocion dhe vlerë më të madhe njerëzore kur të nderojnë qytetarët dhe populli. Dhe prandaj sot ndihem i nderuar që mes jush dhe qytetarëve të Prizrenit ta marr dhe ta vlerësoj e të përulem para këtij nderimi që po më bëni. Isha shumë i nderuar që ta kryej këtë vizitë shtetërore të fundit pikërisht këtu, aty edhe ku e nisa në fillim të mandatit tim presidencial, në Kosovë. Përpos qëllimit që kisha për të përcjellë gjatë kësaj vizite nderimin, besimin dhe mirënjohjen e të gjithë qytetarëve të Shqipërisë për vëllezërit dhe motrat e tyre në Kosovë si dhe për të gjithë autoritetet dhe institucionet e shtetit, të kultit e besimeve fetare, të shoqërisë civile te secili qytetar i nderuar i këtij shteti, ndoshta i ri në kontekstin juridik, por mijëravjeçar për sa i përket kulturës dhe traditave.”

“Isha i nderuar të shkoja në Prishtinë, Gjakovë, Deçan, Prekaz, Gjilan dhe sot në Prizren. Ka qenë një vizitë që unë e kam përjetuar emocionalisht dhe do ta mbaj brenda vetes për shumë kohë. Nga Prizreni, vendi i bashkimit dhe harmonisë, i respektit të bashkëjetesës, civilizimit, dhe kulturës, dua të theksoj se do t’u jem përjetë mirënjohës për këtë nderim që m’u bë sot këtu. Nga Prizreni i betejave për ekzistencë, i përpjekjeve për bashkim dhe lidhje, i kulturës, i gjuhës sonë të bukur shqipe, nga Prizreni i mikpritjes dhe sot i shkollës e i dijes në çdo lagje e shtëpi, prandaj unë nuk e di nëse e meritoj plotësisht këtë nderim kaq të madh që më bëhet, por për një gjë ju siguroj ju dhe të gjithë qytetarët e Prizrenit se do të besoj po aq fort sa kam besuar gjithë jetën time te vlerat e lirisë. Jam i bindur se qytetarët e Prizrenit do ta përcjellin këtë te brezat e rinj, te ata që vijnë: vlerën tonë kryesore, Besën.

Zoti e nderoftë dhe e bekoftë popullin e Prizrenit, e të Kosovës dhe popullin shqiptar!” – u shpreh Presidenti Nishani.