Presidenti Nishani shpallet “Qytetar Nderi” i Komunës së Gjilanit

12 maj 2017

Në vijim të vizitës shtetërore në Kosovë, Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani u shpall nga Kuvendi Komunal gjatë një ceremonie të veçantë e solemne “Qytetar Nderi” i Komunës së Gjilanit, me nismën e Kryetarit të Kuvendit, Lutfi Haziri dhe me miratimin unamim të të gjithë anëtarëve të tij.

Anëtarët e Kuvendit Komunal si dhe Kryetari i Kuvendit Haziri vunë në dukje se Presidenti Bujar Nishani ka dhënë kontribut të çmueshëm në shtetndërtimin e Kosovës, në lobimin për njohjen e pavarësisë së Republikës së Kosovës nga shtetet tjera, sikurse shquhet edhe për mbështetjen e fuqishme për Gjilanin dhe Kosovën Lindore.

Në fjalën përshëndetëse, Presidenti Nishani, shumë i emocionuar, duke theksuar se marrja e këtij titulli: “është një çast i paharrueshëm në jetën e tij”, u shpreh gjithashtu se: “Falënderoj Kryetarin e Komunës Lufti Hazirin për lidershipin e veçantë dhe për vizionin e një burri shteti, jam i bindur se qënia në këtë pozicion dhe mirëkutimi dhe bashkëpunimi i të gjithë aktorëve politikë, të këtij qyteti, të kësaj zone, tregojnë më së miri këtë dimension të një maturie të kulturës politike. Qyteti i juaj dhe i imi, Gjilani, në analet e historisë kombëtare është shquar për burra të pushkës dhe të penës. Për atdhetarë dhe patriotë që i kanë bërë nder kauzës sonë kombëtare ndër shekuj. Gjilani, Karadaku, por edhe Anamorava e Kosova Lindore në përgjithësi, historikisht i kanë vënë gjoksin mbrojtjes së trojeve shqiptare. Fati i kësaj treve ishte që të përballej e para me të gjithë pushtuesit që ia mësynin trojeve tona nga këto anë. Mbrojtja e Kosovës në veçanti, por edhe e trojeve shqiptare në përgjithësi, varej nga rezistenca e trimave të këtyre anëve. Kosova dhe Shqipëria ishin larg me njëra-tjetrën, ishin telat me gjemba që na ndanin, por, asnjëherë nuk na u nda shpirti me njëri-tjetrin. Asnjëherë nuk u shua dëshira jonë e zjarrtë që ta shihnim Kosovën e lirë, dhe as e juaja që ta shihnit Shqipërinë demokratike dhe evropiane. Trojet shqiptare në Ballkan duke u zhvilluar dhe duke ecur të gjithë shqiptarët drejt bashkimit, drejt bashkimit në mes vete dhe me Evropën e Bashkuar, atje ku e kemi vendin ndër shekuj.”

“Sot, është koha të punojmë pa pushim për të realizuar ëndrrat dhe dëshirat tona. Për të realizuar të drejtat tona kombëtare. Për të zhvilluar ekonomikisht dhe prosperuar Shqipërinë, Kosovën dhe të gjitha trojet shqiptare. Është koha që me dije dhe kulturë, por edhe plotë dinjitet, t’i tregojmë botës mbarë se ne jemi popull i qytetëruar, kemi gjuhën, kulturën dhe traditat tona, me të cilat krenohemi dhe jemi të barabartë me të gjithë popujt e qytetëruar të Evropës dhe botës. Është koha që kudo ku jemi, të bëjmë vepra dhe punë të mira, dhe me dinjitet e krenari të ligjshme, të themi: Jam shqiptar!”

Para disa javësh, duke kaluar përmes Gjilanit, isha në një vizitë në Luginën e Preshevës, apo siç e quani në këto anë, në Kosovën Lindore. Ishte një vizitë vëllazërore, por që më detyron që në çdo moment dhe në çdo kohë të ngre zërin për të drejtat politike e kombëtare, për zhvillimin kulturor, ekonomik, infrastrukturor dhe në çdo fushë të jetës, të vëllezërve dhe motrave tona që jetojnë në trojet e veta shekullore në Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë. Ata kanë nevojë për ne. Ne duhet t’i ndihmojmë. Ju, banorëve të Gjilanit, Anamoravës e Karadakut, ju bie barra me e rëndë që t’u jeni afër, ashtu siç keni qenë në krah të njëri- tjetrit prej kur ekziston qenia jonë kombëtare. Shqiptarët kudo që janë, janë një dhe të pandarë. Ka kaluar koha e fjalëve boshe, duhet të kalojmë në vepra, në punë konkrete dhe pa vonesë.” – nënvizoi Presidenti Nishani.

Presidenti Nishani vuri në dukje gjithashtu se: “Do të dëshiroja që edhe në Shqipëri të mësonim dhe të nxisim eksperienca pozitive nga këto modele të përparimit, civilizimit dhe përgjegjësive, pa dyshim të ruajtjes së identitetit politik të gjithësecilit, por mbi të gjitha vendosjen në themel e orientim të interesave të qytetarëve, të vendit dhe atij që ne e kemi për zemër identitetit kombëtar. Unë besoj e do vazhdoj të besoj fort se tek dija, emancipimi dhe tek civilizimi qëndron bazamenti i përparimit dhe prosperitetit të çdo kombi dhe çdo populli, sidomos të popullit shqiptar.”

Gjatë këtij nderimi institucional e të paharruar në Komunën e Gjilanit, Presidenti Nishani vlerësoi dhe nderoi gjithashtu duke përkujtuar personalitete të shquara historike të Gjilanit dhe të Anamoravës, të cilët kanë dhënë kontribut të madh nëpër shekuj për lirinë e shqiptarëve si dhe duke bërë apel për mosharrimin e veprës dhe sakrificave të tyre atdhetare.