Presidenti Nishani takohet me përfaqësues të partive politike parlamentare të Kosovës

12 maj 2017

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani gjatë vizitës së tij në Kosovë zhvilloi takime me Kryetarët e partive parlamentare të AAK-së, zotin Ramush Haradinaj, të Nisma-s, zotin Fatmir Limaj dhe Vetëvendosjes, zotin Visar Ymeri.

Presidenti Nishani falënderoi për mikpritjen e shkëlqyer që gjeti gjatë kësaj vizite, dhe vlerësoi kontributin dhe angazhimin e madh të drejtuesve politikë, ndër vite, për zhvillimin e Kosovës në të gjitha drejtimet. Kreu i shtetit çmoi në mënyrë të veçantë tejkalimin me shumë dinjitet të sfidës me të cilën u përball padrejtësisht zoti Haradinaj duke i përcjellë atij përkrahjen e plotë të institucioneve dhe të qytetarëve shqiptarë.

Presidenti Nishani theksoi se Kosova ka bërë përparim shumë të madh në të gjitha drejtimet, duke qenë i bindur se të gjithë aktorët politikë dhe institucionalë të Kosovës do të vazhdojnë të bëjnë përpjekjet më të mira në shërbim të Kosovës dhe çështjes kombëtare.

Ai u ndal edhe në domosdoshmërinë e një bashkëpunimi edhe më të ngushtë dhe efikas të institucionalizuar ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, duke hartuar një platformë konkrete dhe të matshme pune në dobi të qytetarëve dhe të çështjes sonë kombëtare.

Presidenti Nishani duke shprehur edhe njëherë i nderuar dhe mirënjohjës për titullin e lartë të akorduar nga Presidenti Thaçi, siguroi se nuk do të rreshtë asnjëherë së dhëni kontributin e tij për Kosovën dhe çështjet kombëtare.

Presidenti Nishani zhvilloi një takim edhe në Komunën e Prishtinës, ku u takua me Kryetarin Shpend Ahmeti. Ai vlerësoi punën e kryekomunarit Ahmeti, duke e konsideruar pushtetin lokal si një hallkë kyçe dhe e pazëvendësueshme e ballafaqimit me shqetësimet dhe problemet e qytetarëve. Presidenti shprehu kënaqësinë për lidhjet e ngushta që janë ndëtuar që herët ndërmjet Prishtinës dhe Tiranës, që do t’i shërbejë shkëmbimit të përvojave më të mira dhe rritjes së cilësisë së shërbimeve ndaj kryeqytetasve në të dyja vendet tona.

* * *

Gjatë të ditës së parë të vizitës shtetërore në Kosovë, Presidenti i Republikës dha në Prishtinë një pritje për drejtuesit e institucioneve qendrore dhe vendore si dhe të atyre kulturore, arsimore e sportive të Republikës së Kosovës.

Në këtë veprimtari morën pjesë qindra intelektualë, sportistë, artistë, gazetarë dhe personalitete të shumë fushave të jetës në Kosovë.

Gjatë këtij aktiviteti u zhvillua edhe ceremonia e dekorimit nga Presidenti Nishani me Dekoratën e “Flamurit Kombëtar” të dy patriotëve të shquar (pas vdekjes) Shaban Polluzha me motivacionin: “Në vlerësim të lartë të veprimtarisë së tij të shquar atdhetare dhe përpjekjeve të pareshtura kundër ndarjes së Kosovës dhe trojeve të tjera shqiptare në ish-Jugosllavi nga trungu i shtetit amë, deri në sakrificën e madhe, duke dhënë jetën në mbrojtje të identitetit kombëtar dhe tërësisë territoriale të trojeve shqiptare” dhe Mehmet Gradica: “Në nderim të lartë të veprimtarisë së tij të shquar atdhetare kundër ndarjes së Kosovës dhe trojeve të tjera shqiptare nga trungu amë në mbrojtje të identitetit kombëtar, si dhe në vlerësim të sakrificës së tij heroike, duke dhënë jetën për lirinë dhe pavarësinë e viseve shqiptare”.

Në fjalën e Tij Presidenti Nishani theksoi me të tjerash: “Sot, pas ndryshimeve demokratike në Shqipëri, dhe lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, ne si shqiptar kudo që jetojmë duhet të jemi më të bashkuar se kurrë, më të qartë dhe më të sigurtë se asnjëherë tjetër në rrugën tonë të drejtë, drejt bashkimit tonë, drejt Bashkimit me Evropën e Bashkuar, atje ku e kemi pasur vendin dhe ku e kemi me shekuj.

Rajoni ynë ka kaluar vite të vështira, vite të cilat kanë lënë pasoja të mëdha tek të gjithë ne. Është koha që të gjithë ne të shohim përpara. Të bëjmë të mundur sa më shumë zhvillimin dhe përparimin e popujve dhe vendeve tona. Të respektojmë sa më shumë njëri-tjetri dhe të mendojmë për një të ardhme më të mirë për të gjithë popujt tanë. Ne si shqiptarë, kudo që jetojmë në Ballkan, e kemi të qartë se rruga jonë e vetme është që të jemi të gjithë pjesë e Bashkimit Evropian, aty ku e kemi vendin si komb.

Respektimi i të drejtave të pakicave kombëtare dhe atyre kulturore, kudo që ndodhen, është vlerë e shtuar për shtetin ku jetojnë. Për të gjithë ne, që fatin e kemi të jetojmë në rajonin e Ballkanit, duhet të jetë e qartë si drita e diellit, se e vetmja rrugë për ne është bashkëpunimi mes nesh, largimi i gjuhës së urrejtjes dhe pa durueshmërisë ndaj tjetrit.

E ardhmja euro-atlantike dhe evropiane e rajonit tonë mbështetet qartazi nga Shqipëria dhe shqiptarët, kudo që ata jetojnë. Si vend anëtar në NATO, Shqipëria ka mbështetur aspiratat e të gjitha vendeve të rajonit që e aspirojnë një gjë të tillë. Ndërsa në kuadrin e integrimit evropian, ajo po ofron kontributin e saj që i gjithë rajoni të jetë pjesë e këtij bashkimi vlerash dhe standardesh. Çdo alternativë tjetër nuk shkon në interes të popujve dhe të shteteve të rajonit tonë. Rrugët që na afrojnë, që e bëjnë më të lehtë qarkullimin e njerëzve dhe mallrave, qe na bëjnë me të afërt me njëri-tjetrin dhe me Evropën, duhet të jenë pikësynimi i të gjithëve ne.”

“Ndarja që iu bë pa dëshirën e vetë Kosovës, dhuna dhe terrori që u ushtrua mbi të, si dhe rezistenca kombëtare duhet të jenë një mësim i mirë për brezat që vijnë. Duke kujtuar gjithë sakrificën e vëllezërve tanë qe dhanë jetën për komb e atdhe, në mbrojtje të dinjitetit, trojeve dhe kombit tonë. Kam vendosur që të përkujtoj, nderoj e vlerësoj dy emra që na bëjnë nder sa herë që i kujtojmë dhe lartësojmë. Emrat e Shaban Polluzhës dhe Mehmet Gradicës, flasin më së miri për atë çfarë kaluam për 45 vjet.” – u shpreh Presidenti Nishani.