Presidenti Nishani nis vizitën shtetërore në Kosovë, duke u pritur me nderimet e veçanta nga Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi

11 maj 2017

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani nisi sot një vizitë shtetërore dy-ditore në Republikën e Kosovës, duke u pritur me nderimet dhe ceremonitë e rastit nga Presidenti i Republikës së Kosovës, Sh.T.Z. Hashim Thaçi. Më pas të dy Presidentët zhvilluan një takim kokë më kokë dhe drejtuan bisedimet mes dy delegacioneve të zgjeruara shtetërore.

Në takimin me Presidentin Thaçi, u diskutua për çështje të bashkëpunimit ndërshtetëror e kombëtar, si dhe për çështje me interes të përbashkët rajonal e shumëpalësh, ku padyshim agjenda evropiane dhe euroatlantike ishte në qendër të vëmendjes.

Presidenti Nishani vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera e vëllazërore që ekzistojnë mes dy shteteve, si dhe duke iu referuar interesit të bashkëpunimit ndërshtetëror e kombëtar theksoi përgjegjësinë e dyfishtë që kanë dy shtetet dhe qeveritë respektive për forcimin e zgjerimin e marrëdhënieve dypalëshe ashtu edhe për forcimin e kohezionit dhe promovimit në mënyrë të harmonizuar të vlerave të përbashkëta kombëtare.

Kreu i Shtetit përshëndeti zhvillimet dhe progresin e përgjithshëm të bërë nga Kosova në këto vite dhe shprehu mbështetjen e plotë të Shqipërisë për luftën e drejtë të popullit e të luftëtarëve të Kosovës, si dhe të drejtën për të mbrojtur e garantuar kufijtë e vetë shtetërorë në koordinim të ngushtë me aleatët e partnerët e saj. Presidenti Nishani shprehu gjithashtu mbështetjen edhe për lëvizjen pa vizave të qytetarëve të Kosovës, me shpresën se ky proces do të mbyllet sa më shpejt të jetë e mundur e qytetarët e Kosovës do të jenë të barabartë me të gjithë qytetarët e rajonit të cilët e kanë arritur tashmë këtë objektiv.

Të dy presidentët u ndalën edhe në çështjet e bashkëpunimit dypalësh, takimet e deritanishme ndërmjet qeverive të të dy shteteve, si dhe krijimin e Sekretariatit të Përbashkët Shqipëri-Kosovë. Presidenti Nishani vlerësoi takimet e deritanishme ndërqeveritare dhe theksoi se këto takime i kanë dhënë një dinamikë të re këtyre marrëdhënieve, veçanërisht në njehsimin e politikave dhe tregjeve, si dhe lehtësuar pjesëmarrjen në projekte të ndërlidhjes infrastrukturore dhe energjetike. Ndërsa, institucionalizimin e Sekretariatit të Përbashkët Shqipëri-Kosovë, Presidenti Nishani e vlerësoi si një mekanizëm shumë të mirë për hartimin dhe funksionalizimin e politikave të përbashkëta në ekonomi, energjetikë, infrastrukture, turizëm, arsim, kulturë e fusha të tjera, duke theksuar se suksesi i tij afatgjatë varet nga një mbështetje më e plotë e më e gjerë politike nga të dy shtetet.

Kreu i Shtetit theksoi gjithashtu se, bashkëpunimi ekonomik dhe partneriteti strategjik mes dy shteteve duhet të jetë model dhe faktor nxitës edhe për bashkëpunimin rajonal. “Mundësitë dhe kapacitetet janë edhe më të mëdha dhe kërkojnë vizion strategjik të qartë zhvillimor dhe një harmonizim më të mirë të shfrytëzimit të këtyre burimeve e kapaciteteve.” – u shpreh Presidenti Nishani.

Duke u ndalur në zhvillimet rajonale, Presidenti Nishani vlerësoi se të dy shtetet kanë detyrimin moral dhe institucional të mbështesin e të jenë në krah të shqiptarëve kudo ku ata jetojnë, në mbrojtje të të drejtave të tyre, të garantuara nga konventat ndërkombëtare por edhe nga marrëveshjet që ata vetë kanë arritur me shumë sakrifica njerëzore e morale. “Iniciativat e përbashkëta në këtë drejtim duhet të jenë më gjithëpërfshirëse dhe me rezultate konkrete.” – u shpreh Presidenti Nishani

Të dy Presidentët u fokusuan edhe tek dialogu mes Kosovës e Serbisë, për të cilën Presidenti Nishani theksoi se, Shqipëria mbështet vijimin e këtij dialogu, pasi është shumë e rëndësishme, jo vetëm për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, por edhe për forcimin e bashkëpunimit e të bashkëjetesës në rajon. “Ky dialog është i pazëvendësueshëm dhe nuk kalon askund tjetër përveç aksit Kosovë-Serbi, me ndërmjetësim evropian dhe amerikan. Jam i bindur se interesat e Kosovës janë përfaqësuar aty denjësisht, duke i shërbyer qëllimit final e të pashmangshëm të njohjes së shtetit të Kosovës edhe nga Serbia.” – theksoi Presidenti Nishani.

Presidenti Nishani e siguroi gjithashtu Presidentin Thaçi se Shqipëria do të jetë krah Kosovës edhe në të gjitha nismat rajonale dhe organizatat ndërkombëtare, në mënyrë që Kosova të zërë sa më shpejt vendin e saj të merituar.

Mes dy presidentëve u trajtuan edhe çështjet e sigurisë kombëtare e rajonale, me vizionin e përgjegjësisë së përbashkët politike e institucionale për ruajtjen dhe promovimin e vlerave më të mira kombëtare të bashkëjetesës e harmonisë fetare, si mjetet efikase në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit me baza fetare.

Pas takimeve e ceremonive zyrtare, Presidenti i Republikës së Kosovës, Sh.T.Z. Hashim Thaçi, i akordoi Presidentit Nishani titullin e lartë të Republikës së Kosovës “Urdhrin e Lirisë”, në shenjë mirënjohje të institucioneve e të popullit të Kosovës për kontributin e dhënë në mbështetje të çështjes dhe njohjes së pavarësisë së Kosovës.

Në fund të takimit të dy presidentët dhanë një konferencë për shtyp, duke i dhënë përgjigje interesit të gazetarëve, si për marrëdhëniet dypalëshe ndërshtetërore, ashtu edhe zhvillimet më të fundit politike në të dy shtetet.