Presidenti Nishani vlerëson kontributet dhe veprat e personaliteteve të shquara të Durrësit

10 maj 2017

Në një ceremoni të veçantë solemne të zhvilluar sot pasdite në Institucionin e Kreut të Shtetit me pjesëmarrjen e Kryetarit të Bashkisë së Durrësit, Rektores së Universitetit “Aleksandër Moisiu”, kryetarit dhe anëtarëve të Shoqatës ‘Durrësi”, intelektualëve, si dhe familjarëve, Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bujar Nishani nderoi dhe vlerësoi kontributet dhe veprat e paharruara të disa prej personaliteteve më të shquara të komunitetit durrsak.

Presidenti i Republikës, duke vënë në pah vlerat dhe kontributet emancipuese, qytetare dhe frymëzuese të figurave të shquara durrsake ndër vite, si dhe duke bërë apel që veprat dhe shembulli i tyre jo vetëm të mos harrohet asnjëherë, por të na shërbejë për të pasuruar edhe më tej fondin e vyer të trashëgimisë dhe identetit kombëtar duke u ruajtur e pasuar te brezat më të rinj, nderoi:

Me Dekoratën “Nderi i Kombit”: Dhimitër Vokopolën (pas vdekjes), Kristo Sotirin (pas vdekjes), Hysen Myshketën (pas vdekjes) dhe zotin Gjergj Vlashi.

Me Titullin “Mjeshtër i madh”: zotin Halil Myderrizi, zotin Erald Dervishi, Pertef Krujën (pas vdekjes), zotin Ali Sula dhe zotin Bujar Qesja.

Gjithashtu Presidenti Nishani i akordoi Titullin “Për merita të veçanta civile” zotit Gani Ismailati dhe zotit Nikolla Jorgoni.