Intervistë e Presidentit Nishani dhënë për emisionin “Kjo javë” me gazetaren Nisida Tufa në televizionin “News 24”

1 prill 2017

Gazetarja: Zoti President, përshëndetje! Falemnderit që pranuat ftesën për të qenë në emisionin “Kjo javë”. Falemnderit që na pritët!

Presidenti Nishani: Kënaqësi edhe për mua. Mirë se keni ardhur!

Gazetarja: Jemi në një kohë dhe fazë kaotike. Sot është data 1 prill. Shënohet katër vjet nga koalicionet, ndërkohë që aktualiteti politik ka mjaft dinamik, ka mjaft zhvillime, jemi dy muaj para zgjedhjeve. Si do ta cilësonit si situatë? Duket se palët nuk po lëshojnë pe. Ajo që është më e sigurt është se nuk ka një strategji për të shkuar në zgjedhje të lira e të ndershme, aq shumë të përmendura.

Presidenti Nishani: Për fat të keq, situata është shumë e tensionuar, në kuptimin politik të fjalës. Marrrëdhëniet institucionale janë mjaft të tendosura në një ngërç dhe komunikues jo vetëm të aspektit funksional; e kam fjalën te Kuvendi, por edhe te marrëdhëniet ndërpartiake, sepse në fund të fundit, partitë kryesore kuvendore janë aktorë vendimmarrës në proceset e rëndësishme të vendit. Kjo situatë politike kaq e tensionuar nuk po duket të ketë ndonjë reagim për sa i takon angazhimit për të gjetur një proces, që mund të mos mbyllet brenda një dite të caktuar, por një proces që të fillojë ta çtensionojë situatën dhe ta adresojë pjesën e komunikimit ndërpartiak dhe të faktorëve kryesorë politikë në rrugën e duhur. E kam thënë edhe herë të tjera: jam i gatshëm, si President i Republikës, dhe vazhdoj të nxis me qëndrimet e mia institucionale dhe publike interesin më të mirë të vendit, që do të thotë edhe në mënyrë indirekte interesin e partive politike, të aktorëve politikë uljen në bisedime, qëndrime në kontakt me njëri-tjetrin, pavarësisht objektivave që kanë, pavarësisht synimeve politike që kanë, që është krejt normale te çdo parti politike, por duhet të ketë një proces komunikues midis partive, duhet të ketë bashkëbisedime, në mënyrë që të vendoset në bazë të këtyre bashkëbisedimeve standardi, kryesisht për zgjedhjet dhe pastaj të ecet kryesisht me të.

Gazetarja: Përtej bashkëbisedimeve aq shumë të përfolura, përsëri duhet se nuk lëshohet pe. Ju vetë, si Kryetar i Shtetit, a mendoni se është koha, është çasti për të thirrur një tryezë mes palëve? A duhet ndërhyrja juaj në këtë çast? Si e mendoni?

Presidenti Nishani: Ne duhet të jemi realistë. Pa dyshim, që Institucioni i Presidentit të Republikës, edhe unë jam përpjekur që gjithë kësaj kohe, me qëndrimet dhe sjelljet institucionale ta mbaj në gatishmëri të plotë Institucionin për të lehtësuar që palët të merren vesh mes tyre, por Presidenti i Republikës nuk mund të imponojë asnjë prej palëve politike. Kushdo që mund të mendojë apo mund të pretendojë që Presidenti i Republikës mund t’i imponojë palët politike qoftë për t’u ulur në tryezë me njëra-tjetrën apo për të orientuar një qëndrim të caktuar a një qëndrim tjetër, është jashtë realitetit dhe thjesht një spekulim e abuzim. Presidenti i Republikës mund t’i thërrasë, nëse palët janë të gatshme që t’i përgjigjen thirrjes së Presidentit. Në fund të fundit, figura e Presidentit të Republikës nuk mund të cenohet nga një dialog apo thirrje pa një produkt; për më tepër, që ne kemi një përvojë jo pozitive kohët e fundit kur është bojkotuar, pa argument, madje jo në respekt të ligjit dhe Kushtetutës, edhe tryeza shtetërore si ajo e Këshillit të Sigurimit Kombëtar, nga ana e Kryeministrit, çka nuk ka ndodhur ndonjëherë në të kaluarën. Gjithsesi, këto le t’i takojnë të shkuarës. Presidenti i Republikës është plotësisht i gatshëm, nëse vërtet ka një vullnet, vullnet që duhet të demonstrohet, patjetër që nuk do të mungojnë edhe lidhjet e gatishmëria edhe në rrugë zyrtare ndaj palëve politike për t’u ulur në tryezën e tyre, me praninë ose jo të Presidentit të Republikës, por Institucioni i Presidentit të Republikës është i gatshëm që të ushtrojë të gjitha mundësitë e tij, gjithë ndikimet e tij, edhe autoritetin institucional e kushtetues jo vetëm për të legjitimuar, sepse në fund të fundit, ulja e partive politike në tryezë është legjitime në çdo rast dhe në çdo kohë, por për t’u dhënë patjetër edhe mburojën dhe legjitimitetin kushtetues palëve, si dhe për të bashkëbiseduar e gjetur një orientim e një proces; flas gjithmonë për një proces, jo për një konkluzion përfundimtar nga një takim që nuk mund ta kemi.

Gazetarja: E qartë. Për sa i takon së shkuarës, jo rrallë herë Shqipëria është ndodhur në të tilla situata. Kjo është një situatë, ndoshta e paprecedentë, por kujtoj pa paragjykime, vetë ish-Presidenti Moisiu ka thirrur një tryezë mes palëve në çaste të vështira. Ju thoni që nuk mund t’u imponohet partive politike për të marrë pjesë, por si e shihni zgjidhjen e kësaj situate, përtej bashkëbisedimeve dhe palëve në bisedime? Si do të zgjidhej ky ngërç?

Presidenti Nishani: Në çdo rast kur janë ulur palët në të shkuarën në prani të presidentëve, sepse nuk është vetëm rasti i tryezës së zotit Moisiu, ka pasur edhe më parë, gjithmonë ka qenë gatishmëria e palëve politike për t’u ulur. Nëse do të mungonte dëshira dhe vullneti politik qoftë edhe i një pale, nuk mund të realizohej ajo tryezë. Kjo është situatë më vete. Ajo që unë shoh si zgjidhje të vetme pikërisht dialogun, gjetjen e gjuhës së përbashkët.

Gazetarja: Po nëse nuk arrihet?

Presidenti Nishani: Unë besoj se do të arrihet, sepse historia, dhe jo vetëm ajo shqiptare, ka treguar se sado i ashpër ka qenë një qëndrim i caktuar politik apo i një partie të caktuar politike, është dashur të paguhet, ndoshta, një kosto më e madhe, por përsëri është adresuar dhe përfundimet kanë mbetur tek ajo që është kërkuar që në fillim, te proceset e kontaktit, te proceset e marrjes vesh midis tyre. Unë mendoj se procesi i komunikimit në distancë tashmë është i qartë, por duhet të ketë edhe një lidhje institucionale. Besoj se institucionet e shtetit shqiptar e kanë seriozitetin e nevojshëm dhe të gjithë mjedisin e përshtatshëm për të krijuar mundësinë e bashkëbisedimit, diskutimit dhe orientimit në procesin e domosdoshëm që duhet të ketë vendi.

Gazetarja: Si do t’u përgjigjeshit ju akuzave: “një President palë”, “të pafuqishëm për të zgjidhur situatën, në të cilën ndodhet vendi”?

Presidenti Nishani: Akuzat janë tjetër dhe mundësia për të zgjidhur një situatë politike është tjetër. Janë dy gjëra të ndryshme. Akuzat, patjetër, që janë akuza politike, akuza që kanë filluar që ditën e parë të zgjedhjes sime si President i Republikës. Ato nuk janë ndalur asnjëherë. Kanë qenë akuza që nuk kanë pasur fakte, prova, as logjikë politike, as logjikë njerëzore, nuk kanë qenë të bazuara në asnjë argument, kanë mbetur gjithmonë shabllon i agresivitetit dhe artikulimit shterp politik. Për sa i takon procesit për ta zgjidhur Presidenti i Republikës, edhe një herë po ju them: Kushtetuta jonë nuk ka parë, për asnjë president, mekanizma që të orientojë dhe detyrojë palët që të shkojnë në një zgjidhje apo një zgjidhje tjetër. Institucioni i Presidentit të Republikës, kështu siç është në Republikën Parlamentare të Shqipërisë, është një Institucion që garanton seriozitetin dhe konfidencialitetin e bashkëbisedimit dhe, njëkohësisht, të artikulimit në opinionin publik të parimeve dhe adresimeve më të mira e të mundshme që të qetësojnë situatën, largojnë ngërçin, çtensionojnë, në tërësi, mjedisin dhe, pa dyshim, që mbajnë edhe garancinë e realizimit të premtimeve dhe dakortësisë që arrijnë.

Gazetarja: Prej mbi 40 ditësh, opozita ndodhet në çadër, është protestë shumë pranë me zyrën Tuaj, selinë e Presidentit. Nga ana tjetër, janë të mendimit se bojkoti i zgjedhjeve nga ana e opozitës do të pengonte integrimin e vendit. A do të bëhet opozita me çadrën pengesë për këtë gjë?

Presidenti Nishani: Në kulturën time politike, në çdo rast, unë nuk kam qenë asnjëherë “pro” bojkotit si një mjet, si një mekanizëm, edhe kur ka ndodhur në të kaluan nga shumica aktuale dhe në çdo rast që ndodh. Pa dyshim, që bojkoti për mua nuk është mjet që duhet të mbizotërojë jetën tonë politike. Ajo që unë duhet të shoh sesi duhet të funksionojë politika në Shqipëri është brenda institucioneve me standarde, brenda institucioneve ku gjithsecili të respektohet, të ketë hapësirën e vet që ia ka dhënë pluralizmi, ia ka dhënë sistemi politik që kemi zgjedhur, ia jep Kushtetuta, ia jep në fund të fundit vota që ka marrë te qytetarët dhe për atë që përfaqëson te qytetarët shqiptarë, por për mua mbetet shqetësim standardi apo një platformë e përjashtimit, shumicat ku nuk duhet të artikulojnë e nuk duhet të përfshihen në platforma përjashtuese. Çdo metodë dhe platformë përjashtuese e adreson politikën, e adreson jetën institucionale dhe gjuhën e përbashkët drejt ngërçit. Ne duhet të shkojmë drejt përfshirjes dhe jo përjashtimit.

Gazetarja: Ju kuptoj. A duhet që Partia Demokratike të marrë pjesë në zgjedhje për të gjitha deklaratat që janë bërë nga udhëheqësi i saj?

Presidenti Nishani: Presidenti i Republikës nuk bën komente; nuk i gjykon e as paragjykon palët politike. Çdo parti politike bën zgjedhjen e saj politike dhe për të është e pavarur, është sovrane. Presidenti i Republikës ka dekretuar datën e zgjedhjeve dhe, në çdo rast, do të respektojë atë që Kushtetuta e Republikës apo institucione të tjera të vendit, siç është Kuvendi, do t’i kërkojnë Presidentit të Republikës për të ndjekur.

Gazetarja: A është e mundur që nëse arrihet rënia dakord mes palëve, të arrihet edhe shtyrja e datës së zgjedhjeve e caktuar dhe dekretuar nga ju?

Presidenti Nishani: Ky do të ishte një vendim tërësisht në diskrecionin e Kuvendit të Shqipërisë. Shqipëria ka përvojë nga e kaluara kur janë shtyrë datat e zgjedhjeve, por edhe në këtë rast, nuk do të desha të bëj një koment të drejtpërdrejt[, për faktin se çështja e shtyrjes së zgjedhjeve tani është fokusuar në aspektin e debatit politik, relatave politike dhe këndvështrimeve mes palëve. Presidenti nuk mund të futet në mes të këtij debati politik, por nëse Kuvendi i Shqipërisë gjykon se, në rrethana të caktuara, për t’i shërbyer gjithmonë një zgjidhjeje pozitive, një aspekti pozitiv, jo për të tensionuar më tej situatën, por për të bërë një zgjidhje të njëanshme, mendon se mund të shtyjë për një afat të caktuar zgjedhjet që të ketë ndryshime në Kodin Zgjedhor, të ketë ndryshime të rëndësishme politike apo të bëjmë përshtatjen në sistemin politik që kemi, ky është një atribut që u takon vetëm partive politike dhe i takon vetëm Kuvendit të Shqipërisë. Nëse Kuvendi i Shqipërisë do ta marrë një vendim të tillë, patjetër që të gjithë ne të tjerët do të zbatojmë vendimin e Kuvendit.

Gazetarja: Ju përmendët pak më parë se standardet janë element shumë i rëndësishëm dhe, në fakt, ashtu është. A është Shqipëria një vend me standarde?

Presidenti Nishani: Ne duhet të jemi të vërtetë. Kemi mjaft probleme serioze, do të thosha unë, për sa i takon standardeve, veçanërisht në çështjet e zgjedhjeve, me qenë se po diskutojmë për zgjedhjet e dalëngadalë po hyjmë në fushatën zgjedhore dhe po u afrohemi zgjedhjeve të ardhshme kuvendore. Me keqardhje kam parë se institucionet e tjera ndërkombëtare, përfshi këtu edhe ato të OSBE/ODIHR-it gjithmonë e kalojnë procesin e vlerësimit ndaj Shqipërisë apo të vëzhgimit e gjykimit me fraza standarde: “përparim i pjesshëm”, “një hap përpara, një hap prapa”, gjë që nuk e ndihmojnë zhvillimin e proceseve demokratike në Shqipëri dhe të drejtat e qytetarëve në Shqipëri. Mendoj se më shumë sesa e drejta, sesa dimensioni i lirisë, më shumë sesa garancia e mekanizmave demokratikë për qytetarin shqiptar nuk ka vlerë asgjë; as një raport i caktuar, as qëndrimi i individëve të caktuar etj. Në fund të fundit, duhet të ndërgjegjësohet vetë shoqëria shqiptare, elita e qytetarisë shqiptare, e shoqërisë shqiptare, ajo duhet të prijë proceset dhe me këmbëngulje të qëndrojë fort që ne vetë të detyrohemi për ta pasur këtë liri, dimensionin e së drejtës dhe të garancive. Mendoj se me këto standarde që kemi. Kemi i krijuar pasiguri të mëdha vetes sot, por edhe brezave që vijnë. Na duhet të punojmë sot për standarde reale.

Gazetarja: Sot është 1 prilli, shënohen katër vjet koalicion: Parti Socialiste-Lëvizja Socialiste për Integrim. Si President i Republikës, si Kryetar i Shtetit çfarë shumice keni parë në këto katër vjet?

Presidenti Nishani: Të jesh President i Republikës është gjë shumë e bukur; është një përgjegjësi shumë e madhe, por ka edhe kufizimet e saj në mënyrë të tillë që të jesh jo thjesht politikisht korrekt, por të jesh serioz dhe të respektosh detyrimin tënd kushtetues, ndaj do të ishte e tepërt mendoj unë nëse Presidenti i Republikës do të fillojë të bëjë vlerësime politike për shumicën apo opozitën. Presidenti i Republikës duhet të jetë një institucion i ftohtë, një institucion i gatshëm për të ofruar zgjidhjet e veta dhe gatishmërinë për zgjidhje. Mendoj se qytetarët shqiptarë kanë të drejtën absolute për të vlerësuar si ka punuar një shumicë dhe sesa e vërtetë është një opozitë.

Gazetarja: Po lidhur me Institucionin e Presidentit të Republikës ka pasur probleme në komunikim gjatë bashkëpunimit në këto kate vjet?

Presidenti Nishani: Po, unë besoj se kanë qenë të dukshme dhe publike. Unë nuk jam munduar të fsheh, të themi problemet që ka pasur në aspektin e të mirëkuptuarit, sepse nuk do të tregohesha i vërtetë në këtë rast. Ka pasur probleme, për të cilat mendoj se kanë qenë më së shumti të sforcuara dhe artificiale. Në këndvështrimin tim, e vërteta asnjëherë nuk është absolute në njërin krah, ato kanë qenë të imponuara, pa tjetër, nga institucionet e tjera, për arsyen e vetme se është tentuar gjithmonë një kontroll politik edhe mbi Institucionin e Presidentit të Republikës, por besoj se ato janë tejkaluar me qëndrimin politik që ka mbajtur Institucioni.

Gazetarja: Çfarë suksesesh dhe çfarë dështimesh mund t’i njihnit kësaj shumice?

Presidenti Nishani: E thashë edhe pak më parë, le t’ua lëmë qytetarëve shqiptarë për t’i numëruar edhe sukseset, edhe dështimet. Unë mendoj se ka pasur dëshira, objektiva, janë ndërmarrë reforma sesi janë realizuar dhe sa të drejta kanë qenë hapat që janë ndërmarrë dhe sa të sinqerta kanë qenë, atë le ta vendosin qytetarët e saj.

Gazetarja: Zoti President, shtatë ditë të plota kanë pritur qytetarët shqiptarë për sa u takon dekretimit të ministrave të rinj, propozuar nga Kryeministri Rama. I shumë përfolur ishte emri i Ministrit të Brendshëm aktual, zoti Xhafaj. Do të doja të dija, pasi kanë kaluar disa ditë, çfarë përjetimesh keni pasur? U përfol shumë, u bë virale ? në rrjetet sociale, po kështu u fol shumë në media se Ju do të dilnit në atë konferencë për shtyp, duke thënë “jo” dekretimit për zotin Xhafaj. Më pas, e papritura, për ndoshta shumëkënd, Ju thatë “po” zotit Xhafaj me idenë e verifikimit të figurës së tij dhe që juve nuk ua lejonte Kushtetuta. Do të doja t’i sqaronim pak, qoftë edhe të binim pak në përsëritje, por për të qenë më të përmbledhur.

Presidenti Nishani: Nuk dua që të ushqej dhe të bie pre e skenarëve të thashethemnajës politike që krijohet, por edhe të ushqimit që i jepet kësaj thashethemnaje, por me formim e synime politike. Unë kam ndjekur strikt detyrën dhe mundësinë dhe hapësirën që i takon Presidentit të Republikës. Pas ardhjes së propozimeve nga ana e Kryeministrit. Kam kërkuar dhe kam pritur informacionin e institucioneve që merren posaçërisht me garantimin e standardeve të sigurisë së vendit. Ishin ministra që emëroheshin për herë të parë në detyrë dhe kërkonin patjetër që institucionet e vendit të verifikonin integritetin e tyre në lidhje me çështjet e sigurisë kombëtare. Kushtetuta parashikon një afat të tillë që Presidenti ka pritur të vijnë përgjigjet për çka ka kërkuar Presidenti lidhur për secilin individ përkatës.

Gazetarja: Pra, në ato shtatë ditë janë kërkuar hetime më të hollësishme nga ana juaj?

Presidenti Nishani: Jo hetime, por është kërkuar informacioni i duhur.

Gazetarja: Verifikime?

Presidenti Nishani: Po, verifikime. Informacionet kanë ardhur ditën që unë kam dalë në konferencën e shtypit.

Gazetarja: Dita limit?

Presidenti Nishani: Një ditë më parë se dita limit. Afatet përfundonin ditën e hënë, unë i kam marrë informacionet ditën e diel, në mos gaboj. Përveç kësaj, kam qenë në një shërbim jashtë vendit, por nuk ka qenë shërbimi i lidhur me kohën e konsumuar. Koha e konsumuar ka qenë vetëm për të informacionet lidhur me secilin prej personave që do të emëroheshin ministra. Unë e kam bërë qëndrimin tim publik. Më duhet të sqaroj edhe një element tjetër që besoj se ka qenë një element abuzimi e spekulimi: duke tentuar ta ndaj në dy pjesë qëndrimin e Presidentit të Republikës, këtë po e bëj në respekt të qytetarëve e opinionit publik, sepse shpesh herë qytetarët bien pre e spekulimeve mediatike dhe individëve të caktuar që s’kanë lidhje me mediat apo të politikanëve që s’kanë lidhje me politikën. Pra, është tentuar të ndahet qëndrimi i Presidentit në dekret me qëndrimin e Presidentit në deklaratë. Ju them se të dyja janë qëndrime presidenciale dhe të parashikuara në Kushtetutën e Vendit. Dekreti është një e drejtë e Presidentit, por që Kushtetuta nuk ia njeh të drejtën Presidentit për të refuzuar propozimin e Kryeministrit për ministra. Kjo, sepse në nenin përkatës, në mos gaboj nenin 92 të Kushtetutës ku përcaktohen të drejtat kushtetuese të Presidentit të Republikës, nuk është parashikuar emërimi dhe shkarkimi i ministrit; atje ku parashikohet emërimi e shkarkimi i ambasadorëve, i rektorëve të universiteteve, i Drejtorit të Shërbimit Informativ Shtetëror, e me radhë. E drejta e emërimit të një ministri është e Kryeministrit dhe pohimin përfundimtar ia jep Kuvendi i Shqipërisë. Vetëm Kuvendi mund ta refuzojë një kandidaturë. Pra, dekreti është ushtrimi i detyrës, i përgjegjësisë që ka Presidenti i Republikës, deklarata që bëra është ushtrim i së drejtës kushtetuese që Kushtetuta ia jep Presidentit të Republikës që t’i adresohet gojarisht ose me shkrim Kuvendit të Shqipërisë në çdo kohë dhe për çdo çështje që Presidenti mendon se është e rëndësishme. Pasi kam bërë verifikimin, unë i jam drejtuar Kuvendit të Shqipërisë me konferencën për shtyp, sepse nuk kisha mundësi të shkoja dhe të adresohesha në Kuvend, me të drejtën që më jep Kushtetuta për çështjen e Ministrit të Brendshëm, që unë e mendoja si të papërshtatshme për shkak të rrethanave që ne ndodheshim në atë ditë dhe ndodhemi edhe sot e kësaj dite. Pra, dekreti ishte një detyrim, deklarata ishte një e drejtë.

Gazetarja: Qartë. Përtej konferencës, desha t’ju pyesja pak: A ndjenit ju trysnim, zoti President, pasi ishin ditë të vështira, pasi ju ndiqnit sakaq edhe zhvillimet, figurën e zotit Xhafaj, përplasjet mediatike dhe të gjitha çfarë përflitej?

Presidenti Nishani: Është shumë e vështirë që sot të demonstrosh apo të pohosh se çfarë ka brenda qenies njeriu: ndjesinë, perceptimin, mendimin, se nuk keni ndonjë metodë që ne mund ta pohojmë. Po ju them në mënyrë shumë të drejtpërdrejtë dhe të sinqertë për këdo që e beson që unë, personalisht, kam qenë shumë i qetë dhe nuk kam pasur asnjë dyzim gjatë kohës, përveç pjesës që prisja informacionet nga institucionet e shtetit për qëndrimet e mia, për detyrimet dhe për të drejtat që kisha. Nuk e kam ndjerë asnjëherë dhe nuk e kam përcjellë as trysninë dhe as presionin. Patjetër, që i ndiqja me shumë kujdes zhvillimet politike, partitë politike, opinionet e ndryshme të qytetarëve, të njerëzve të medias, të gazetarëve e analistëve, të cilët bëjnë e përcjellin opinionin e tyre te qytetarët dhe kanë një pushtet të fuqishëm te qytetarët, sepse ndikojnë me perceptimin e tyre. Por që ditën e parë që kam pranuar të ulem në karrigen e Presidentit të Republikës, pakti i parë ka qenë pakti me veten dhe pakti me veten, ndoshta, është pakti më i vështirë që mund të ketë njeriu, por është pakti më i fortë që ekziston, ndaj unë nuk kam përjetuar asnjë presion, nuk ka pasur asnjë presion, nuk kam pasur asnjë komunikim me kërkënd, me asnjë aktor, por ka qenë në mënyrë të drejtpërdrejtë qëndrimi që unë kam menduar, besuar dh vlerësuar se zbatoj Kushtetutën dhe, njëkohësisht, shpreh mendimin tim politik.

Gazetarja: Edhe diçka lidhur pak me këtë. Ju përmendët pak më parë edhe thashethemet që janë të shumta, sidomos në raste të tilla. Si rrallë herë në ditën e dekretimit në selinë e Presidentit të ministrave munguan kamerat. Ato kanë qenë gjithmonë të pranishme. Pse munguan kamerat? Doja t’ju pyesja, zoti President, a ka pasur një shtrëngim duarsh mes jush dhe zoti Xhafaj.

Presidenti Nishani: Nisida, pa dashur të hyj në debat, që pas ceremonisë së parë kur është betuar gjithë qeveria, të gjitha ceremonitë e tjera në selinë e Presidentit kanë qenë të pranishme kamerat e selisë së Presidentit dhe pjesa e dokumentacionit arkivor të Presidentit të Republikës, pasi ky është një rregull i brendshëm në veprimtari të tilla. Veprimtaria ka qenë strikt në çfarë shkruan protokolli i shtetit. Presidenti i Republikës dhe kabineti i tij i punës janë të detyruar të ndjekin strikt atë që është shkruar në protokollin e shtetit. Të mos harrojmë se protokolli i shtetit është ndryshuar vetëm pak muaj më parë, me një vendim qeverie. Nuk e kam bërë unë protokollin e shtetit, ndryshimin e ka bërë qeveria shqiptare, Ministria e Jashtme. Unë kam ndjekur pikë për pikë atë që shkuar në protokollin e shtetit. Po ju them se patjetër unë, së pari në mënyrë njerëzore, por edhe institucionale, kam uruar drejtpërdrejt për suksese dhe punë në mënyrë më të sinqertë dhe më njerëzore të gjithë ministrat e qeverisë. Pastaj sesi iu dha dora, sesi qëndroi njëri në fotografi dhe si qëndroi tjetri, besoj se këto nuk janë çështje që i takojnë formatit të Presidentit për t’u artikuluar, por ka qenë një ceremoni korrekte, serioze dhe dinjitoze. Pse? Duke bërë një ceremoni dinjitoze, jo thjesht për ministrat, por një ceremoni dinjitoze për shtetin shqiptar.

Gazetarja: Zoti President, dekretimi i zotit Xhafaj risolli dhe rihapi debatin dhe me zotin Zhiti, madje ka patur dhe akuza të rënda apo fyerje mes jush. Si e keni përjetuar këtë debat?

Presidenti Nishani: Kurrë në jetën time nuk kam fyer, nuk kam akuzuar dhe as nuk do të fyej dhe nuk do të akuzoj kërkënd. Patjetër që çdo fyerje adresuar ndaj meje është e toleruar, çdo akuzë e adresuar ndaj meje do të përballet me institucionet e shtetit edhe ligjit, është shumë e thjeshtë.

Gazetarja: Mund të shmangej ky debat?

Presidenti Nishani: Unë s’kam hyrë në asnjë debat dhe nuk kam bërë asnjë akuzë dhe asnjë fyerje. Për të qenë shumë i qartë, çdo fyerje që i është adresuar Presidentit të Republikës është e toleruar. Çdo akuzë që i është bërë, do të marrë përgjigjen institucionale.

Gazetarja: Për ta rikthyer edhe një herë në vëmendje. Pse është refuzimi për zotin Zhiti? Ju i keni dhënë argumentet tuaja.

Presidenti Nishani: Unë kam dhënë argumentet e mia, i kam thënë dhe në një intervistë në gazetën “Panorama” para disa kohësh pas interesimit që patën gazetarët për disa adresime që ishin bërë. Patjetër që ka pasur një arsye shtetërore, por ato që ishin arsyet që unë mora vendimin kishin të bënin së pari me mosrespektimin e procedurës nga ana e qeverisë në lidhje me propozimin e ardhur tek Presidenti, sepse ambasadori, ndryshe nga ministri, është kompetencë dhe emërtesë e Presidentit të Republikës, sepse ambasadori përfaqëson Republikën e Shqipërisë, ndërsa ministri përfaqëson qeverinë shqiptare që është një prej pushteteve brenda shtetit. Refuzimi i qeverisë shqiptare për të respektuar procedurën e propozimit. Së dyti, disa artikulime të papranueshme të kandidaturës së propozuar për ambasador në Selinë e Shenjtë kundër Kishës Katolike për inkuizicion, çka është krejt e papranueshme se si një njeri që ka një kuptim të tillë për Kishën Katolike, ka një vlerësim të tillë për Kishën Katolike, të shkojë e të ndërtojë marrëdhënie midis shtetit shqiptar dhe Kishës Katolike apo Shtetit të Vatikanit. Së treti, në takimin që më është kërkuar përmes një deputeti të Partisë Demokratike për të prituar në zyrë kandidatin për ambasador, kam konstatuar që nuk ishte në situatë normale për të kryer atë detyrë.

Gazetarja: Si e konstatuat këtë?

Presidenti Nishani: Përgjatë bisedës.

Gazetarja: Për verifikimin e figurës së tij, sa kohë u është dashur zoti President?

Presidenti Nishani: Nuk kam kërkuar verifikim të figurës së tij, sepse nuk kisha ndërmend ta dekretoja. Nëse do ta dekretoja do të kërkoja verifikim të figurës së tij.

Gazetarja: U përmend shumë një mesazh i mbërritur tek ju kundër zotit Zhiti.

Presidenti Nishani: Mesazhi ka qenë pas debatit që është bërë pas disa artikujve që kandidatura ka bërë në median publike. Pas artikulimeve mediatike të tij ndaj Presidentit të Republikës ka mbërritur dhe ai mesazh të cilin unë në fakt mendova të mos e bëj publik në atë kohë. Nuk e bëra publik dhe nuk ka qenë ai mesazh arsyeja e mosdekretimit.

Gazetarja: Ne pak kohë na ndan nga fundi i mandatit tuaj si President i Republikës. Është fundi i 5-vjeçarit në krye të Presidencës. Si do t’i përkufizoni ju këto 5 vite dhe kur përfundon mandati juaj ekzakt?

Presidenti Nishani: Mandati përfundon më 24 korrik të këtij viti. Pavarësisht se unë jam zgjedhur President më 11 qershor të vitit 2012, pra unë jam votuar nga Parlamenti i Shqipërisë më 11 qershor 2012. Unë jam bërë President i Republikës ditën që jam betuar në Parlament, sepse atëherë bëhesh President, më 24 korrik 2012 kur mbaroi dhe mandati i Presidentit paraardhës. Kështu që dhe mandati im mbaron në 24 korrik të këtij viti. Qëllon për herë të parë që zgjedhja e Presidentit të Republikës përkon me të njëjtën periudhë me zgjedhjen e Parlamentit dhe ky rast është parashikur në Kushtetutën e vendit dhe ligji përkatës ku thuhet që kur ndodh që Presidenti të zgjidhet në të njëjtën periudhë me Parlamentin, Presidentin e zgjedh Parlamenti që shpërndahet. Pra, Parlamenti aktual ka të drejtën, nëse arrin, të zgjedhë Presidentin e ri të vendit. Nëse nuk zgjidhet Presidenti i ri i vendit, në këtë rast krahasuar me rastet e tjera nuk provokohet një krizë politike, nuk provokohet një krizë institucionale, sepse e vetmja krizë institucionale politike që provokohet nga mos zgjedhja e Presidentit janë zgjedhjet e parakohshme. Në këtë rast ne kemi zgjedhje normale, kështu që Parlamenti duhet të llogarisë pesë javë përpara se të shpërndahet. Zgjedhjet janë të përcaktuara më 18 qershor, duhet të llogaritet afati i fushatës elektorale, duhet të llogarisë Parlamenti ditën e shpërndarjes, dhe nga dita e shpërndarjes duhet të llogarisë pesë javë, sepse janë 5 raunde që duhet t’i ketë në dispozicion. Mund të zgjidhet në raundin e parë, të dytë, por mund të zgjidhet dhe në raundin e pestë. Ndaj nga pikëpamja procedurale Parlamenti duhet të parashikojë pesë javë nga momenti kur duhet të nisë procesin e zgjedhjes së Presidentit të ri. Nëse nuk arrin të zgjidhet në këtë rast Presidenti, pra mund zgjidhet në raundin e parë, të zgjidhet në raundin e pestë, mund të mos zgjidhet. Në rast se nuk zgjidhet Presidenti, pas 24 korrikut kompetencat e Presidentit i kalojnë Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, i cili ushtron kompetencat e Presidentit të Republikës derisa të zgjidhet Presidenti i ri i vendit. Unë besoj që është një proces i qartë, i thjeshtë. E drejta kushtetuese i njihet këtij Parlamenti. Nëse ky Parlament nuk arrin ta zgjedhë, e zgjedh Parlamenti i ri, por kjo nuk prodhon ndonjë ngërç politik, ndonjë konflikt institucional në këtë rast.

Gazetarja: A do të shihnit ju një mandat të dytë për President?

Presidenti Nishani: Unë kam shprehur gatishmërinë time për të vijuar punën si President i Republikës. Pse e kam shprehur këtë gatishmëri? Së pari, e ndiej veten në kapacitet të plotë për të përmbushur detyrën e Presidentit të Republikës. Besoj që vijimi i punës do të jetë edhe më i mirë për shkak të përvojës së grumbulluar gjatë këtyre pesë viteve, edhe Kushtetuta ndaj e parasheh një mandat të dytë për Presidentin e Republikës. Ashtu siç mendoj dhe besoj, gjykimi mbetet në këtë rast i qytetarëve dhe i popullit, jo i aktorëve të caktuar politikë, por i qytetarëve në këndvështrimin tim. Unë besoj se e kam kryer duke përmbushur tre elemente: seriozitetin, dinjitetin dhe thjeshtësinë që duhet të ketë ushtrimi i një pushteti kaq të lartë siç është Presidenti i Republikës. Duke besuar në këto tre parime, i kam përkthyer në tre kolona dhe besoj që i kam realizuar si tre objektiva.

Gazetarja: Duke qenë se jemi në prag të zgjedhjes për President. Ka patur një deklaratë nga ana e Kryeministrit Rama gjatë vizitës së tij në Francë dhe një alternativë mund të ishte një President i zgjedhur nga diaspora. Cili është mendimi dhe komenti juaj duke patur parasysh se në Kushtetutë sanksionohet se President mund të zgjidhet vetëm një shtetas shqipar që nga lindja, me qëndrim jo më pak se 10 vitet e fundit në Shqipëri dhe që ka mbushur moshën 40-vjeçare. A do të ishte me vend zgjedhja e Presidentit nga diaspora?

Presidenti Nishani: Këtë përcaktim kushtetues duhet t’ia çoni ta lexojë Kryeministri. Patjetër, çdo njeri që përmbush kriteret kushtetuese ka të drejtë të zgjidhet President, është mjaft e qartë.

Gazetarja: Nuk është se ka dilema?

Presidenti Nishani: Në qoftë se çdo burrë apo grua plotëson kushtet dhe kriteret që Kushtetuta parasheh për Presidentin e Republikës duhet dhe mund të zgjidhet. Unë nuk shikoj se ka ndonjë kufizim për ata të cilët plotësojnë kushtet dhe kriteret kushtetuese.

Gazetarja: Gjatë këtij mandati 5-vjeçar kur keni marrë një vendim vërtet të vështirë, kur e keni ndierë veten në vështirësi?

Presidenti Nishani: Mund t’ju them që nuk ka pasur ndonjë moment të vështirë, sepse në fakt për fatin e mirë Kushtetuta e vendit edhe përvoja e ushtrimit kushtetues të postit të Presidentit jo vetëm nga unë, por dhe nga paraardhësit e mi, ka krijuar një hapësirë dhe një mundësi që e ka komoditetin që Presidenti, duke qenë në respekt të Kushtetutës dhe ligjit të përmbushë detyrën pa u vënë në vështirësi. Mirë është që Presidenti gjithmonë ta kryejë detyrën pa qenë i shtrënguar dhe pa qenë në vështirësi në ushtrimin e saj. Nuk kemi pasur për fatin e mirë ndonjë situatë të jashtëzakonshme, emergjente në vend, tek qytetarët shqiptarë. Kanë qenë problematika që më së shumti kanë kanë pasur të bëjnë me angazhimet e ekzekutivit në raste dhe situatash problematike, por ne nuk kemi pasur situata ku vërtetë Presidenti i Republikës për shkak të kompetencave të parapara në raste emergjence, të marrë drejtimin, le të themi, të forcave ushtarake. Situata të tilla nuk kemi patur për fat të mirë. Kështu që unë nuk kam pasur ndonjë situatë të veçantë, specifike ku të kem pasur vështirësi. Ua atribuoj këtë që them më së shumti parashikimeve dhe konsolidimit që ka krijuar Kushtetuta, por njëkohësisht edhe praktika e ushtrimit të funksionit të Presidentit të Republikës në Shqipëri.

Gazetarja: Për gjërat e shkuara keq në këto pesë vite, a ka diçka për të cilën ndiheni përgjegjës si President i Republikës?

Presidenti Nishani: Unë mendoj se nëse qeveria nuk do të ishte treguar armiqësore ndaj Presidentit të Republikës, nuk po them bashkëpunuese maksimalisht, por, të mos ishte treguar armiqësore, besoj që ne do të kishim pasur mundësi të godisnim me efikasitet korrupsionin dhe paaftësinë në radhët e sistemit të drejtësisë. Duke qenë se qeveria u tregua armiqësore duke ndërhyrë në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, duke shkarkuar një numër anëtarësh, duke lënë KLD-në pa nënkryetar, duke krijuar një frymë konfliktualiteti, politizimi, u hoqi mundësitë edhe mekanizmave të tjerë, edhe Presidentit të Republikës që nëpërmjet një bashkëpunimi të shëndetshëm me qeverinë, të godiste me efikasitet këto fenomene, të cilët janë vërtetë shqetësues në sistemin tonë të drejtësisë. Për këtë ndiej një keqardhje që është bërë kjo pengesë artificiale për synime tërësisht politike për fat të keq për të pasur thjesht kontroll përmes presionit mbi sistemin e drejtësisë dhe nuk u kemi shërbyer qytetarëve në këtë aspekt. Por gatishmëria e Presidentit ka qenë gjithmonë evidente. Besoj se ndoshta në të ardhmen këto modele të mos i kemi më evidente.

Gazetarja: A do të vijonit ju angazhimet politike dhe pas përfundimit të mandatit tuaj?

Presidenti Nishani: Unë jam një njeri që jam investuar në politikë që në vitin ’97-të kur u largova nga administrata publike për motive politike, dhe më tutje jam angazhuar në politikë. Nuk kam pasur ndonjë dhunti për t’u fokusuar tek biznesi, apo arti, apo elemente të tjerë të jetës. Kështu që të gjithë përvojën time e kam në politikë. Besoj që do të vazhdoj të mbetem veprimtar shoqëror i mirë i këtij vendi edhe pasi të largohem nga Institucioni i Presidentit të Republikës.

Gazetarja: Në strukturat e Partisë Demokratike?

Presidenti Nishani: Nuk mund të them. Partia Demokratike është një parti që i ka strukturat e saj tashmë, i ka të konsoliduara, i ka në aktivitet, kam respektin tim maksimal. Unë sot jam President i Republikës, se çdo të ndodhë në të ardhmen nuk mund ta parashikoj me angazhime të drejtëpërdrejta politike. Duhet të kemi parasysh që unë kam arritur pozicionin më të lartë të shtetit, atë të Presidentit të Republikës dhe ky raport dhe standard duhet respektuar dhe unë do ta respektoj.

Gazetarja: Pikërisht për këtë ishte dhe pyetja më konçize, sepse kur një politikan arrin edhe majën, siç është Presidenti i Republikës, ndoshta këtu është edhe fundi i karrierës si politikan për të?

Presidenti Nishani: Jo, nuk besoj. Nuk po them në kuptimin politikan në një post. Nuk mund të pretendoj poste publike përtej atij të Presidentit të Republikës, sepse nuk ke poste përtej Presidentit të Republikës. Në aspektin institucional ju keni të drejtë, kur thoni se kur një njeri bëhet President dhe pa dyshim në aspektin e pozicionit institucional dhe unë nuk mund të kem pretendime në këtë sens. Por, si një kontribues politik në dimensione të ndryshme, patjetër që atë nuk mund t’ia ndaloj dhe nuk mund t’ia mohoj vetes dhe askush nuk mund t’ia mohojë vetes për të qenë një veprimtar politik dhe shoqëror si i pozicionuar në struktura apo jashtë strukturave, në shoqëri civile, në media apo në ndonjë parti politike, ato janë çështje që varen nga rrethanat e kohës.

Gazetarja: Ju thirrët mbledhjen e Këshillit të Sigurisë për çështjen e kanabisit, por asgjë nuk u fol më pas. Ku është si çështje? Çfarë strategjie ndiqet? Pse u pushua? Pse nuk u fol më?

Presidenti Nishani: Pa dyshim që Këshilli i Sigurisë Kombëtare nuk është një instrument ekzekutiv; as nuk bën hetime, vëzhgime, ndalime, arrestime, e kështu me radhë. KSK-ja e ngriti çështjen apo rëndësinë e çështjes atje ku e meritonte vetë si çështje që kishte krijuar shqetësim, kishte angazhuar resurse të partnerëve ndërkombëtarë, kishte krijuar një çedim besueshmërie midis institucioneve të shtetit shqiptar që merren me zbatimin e ligjit dhe të partnerëve. Ne demonstruam që përtej përgjumjes, mosangazhimit të disa institucioneve, në tërësi institucionet kryesore të shtetit shqipar janë të motivuara. Kemi lënë detyrat tona dhe po ndjekim zbatimin e këtyre detyrave që ka KSK-ja.

Gazetarja: Diçka për kanabisin, situatë alarmante. Zëvendëskryeministri Niko Peleshi ishte në një konferencë për shtyp ku shpalosi platformën apo strategjinë që do të ndiqet kundër kanabizimit të vendit. Si e vlerësoni këtë situatë dhe si e vlerësoni këtë strategji?

Presidenti Nishani: Kam qenë një nga zërat më të fortë të prezantimit të shqetësimit në lidhje me kanabisin. Nuk ka pasur asnjë konotacion politik, nuk ka pasur asnjë qëllim për të denigruar ndonjë institucion apo për të përdorur situatën për të shënjestruar politikisht individë apo institucione. Ka qenë tërësisht një shqetësim, i cili ka të bëjë me nivelin e kriminalitetit dhe prespektivën e kriminalitetit që sjell fenomeni i kanabisit. Për fatin e keq rezultoi i vërtetë shqetësimi dhe niveli i shqetësimit tim. Për fatin e mirë më në fund u pranua dhe ka angazhime përmes platformave, apo organizimeve të ndryshme që mbeten për t’u parë sa serioze dhe sa efiçiente do të jenë.

Gazetarja: Si e shihni punën e ambasadorëve të akredituar në vendin tonë? Duket se në këtë situatë në të cilën ne tani ndodhemi e paktë apo e fshehtë mund të ketë qenë dalja e tyre apo e padukshme përsa i takon zgjidhjes së situatës. Pse ka kaq tërheqje?

Presidenti Nishani: Unë vlerësoj dhe do vlerësoj vetëm ambasadorët e vendit tim. Ambasadorët e huaj duhet t’i vlerësojnë presidentët e vendeve që i kanë çuar për të shërbyer dhe për të verifikuar se sa këta ambasadorë kanë punuar për forcimin e marrëdhënieve midis dy vendeve. Nuk është në tagrin e Presidentit të Republikës dhe të askujt tjetër në Shqipëri për të vlerësuar punën e ambasadorëve. Janë vendet e tyre, presidentët e tyre që i vlerësojnë ata.

Gazetarja: Sa larg është Shqipëria nga Bashkimi Evropian?

Presidenti Nishani: Procesi i integrimit është një proces, i cili është kompleks. Ne nuk duhet të konsumojmë kohë me debate rreth detajeve. Ne jemi të qartë në dy-tri elemente thelbësorë. Së pari, orientimi perëndimor dhe evropian i Shqipërisë është i padiskutueshëm, i pandryshueshëm, është alternativë e vetme. Kjo është e qartë si drita e diellit dhe nuk ka asnjë çedim në këtë mes. Kush mendon që mund të krijojë ndonjë çedim apo ndonjë pikëpyetje është i dështuar dhe unë them thjesht një aventurier dhe asgjë më shumë. Së dyti, procesi i integrimit është shumë i rëndësishëm, sepse ne përmes procesit do të arrijmë standardet. Kur të vijë momenti i vendimarrjes përfundimtare politike, që ne të jemi anëtarë, atëherë do të thotë se ne e kemi kaluar procesin, pra kemi arritur këto standarde në zhvillimin e lirisë dhe demokracisë të institucioneve, ekonomik, infrastrukturor, kulturor, e kështu me radhë. Së treti, duhet të kemi parasysh që ne do të integrohemi në Bashkimin Evropian duke i bindur qytetarët e vendeve anëtare të BE-së, institucioneve të vendeve të BE-së dhe mekanizmat e Brukselit që Shqipëria është e gatshme për të qenë kontribuese, jo konsumuese në BE. Me këtë dua të them që, të lihet mënjanë retorika e të ashtuquajturës shantazhim apo kapardisje, apo konfliktualitet në proceset e integrimit me vendimmarrje politike në Bruksel apo në vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Nuk i shkon askujt, përkundrazi dëmton procesin dhe e dëmton imazhin e Shqipërisë. Për ta mbyllur, Shqipëria nuk ka alternativë tjetër përveçse të jetë edhe “de facto” dhe “de jure” anëtare e strukturës së Bashkimit Evropian. Ka një dilemë sot se cila do të jetë struktura, arkitektura e Bashkimit Evropian pas këtyre sfidave që vetë BE-ja është duke ndeshur. Por, në cilëdo arkitekturë të re që do të ketë Bashkimi Evropian në vitet që do vijnë apo dekadat që vijnë, unë besoj se pozicionimi i Shqipërisë nuk ndryshon, objektivi i Shqipërisë nuk ndryshon dhe rrugëtimi i Shqipërisë nuk ndryshon.

Gazetarja: Zoti President ishte kënaqësi që zhvilluam bashkë këtë intervistë. Faleminderit!

Presidenti Nishani: Gjithashtu dhe për mua ishte kënaqësi. Ju uroj ju personalisht, stafit dhe televizionit tuaj punë të mbarë!