Kryetari i Shtetit shqiptar uron zotin Donald Tusk me rastin e rizgjedhjes si President i Këshillit Evropian

10 mars 2017

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani uron zotin Donald Tusk me rastin e rizgjedhjes në postin e lartë të Presidentit të Këshillit Evropian.

“I nderuar zoti President,

Rizgjedhja juaj, për një mandat të dytë si President i Këshillit Evropian si dhe riemërimi si President i Euro Samitit, më jep edhe njëherë rastin dhe kënaqësinë e veçantë që, në emrin tim dhe të popullit shqiptar, t’ju përcjell urimet më të mira e të sinqerta për vijimin e përmbushjen me sukses të angazhimeve përkatëse.

Përfitoj nga rasti të shpreh mirënjohjen e thellë për mbështetjen e madhe që i keni dhënë procesit të integrimit evropian për vendin tim dhe vendet e tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor. Ashtu siç e kam theksuar edhe në takimet e veçanta me ju, integrimi evropian mbetet alternativa e vetme dhe projekti më madhor i shqiptarëve, ndaj dhe ju siguroj se jemi të vendosur për të vijuar përpara në këtë drejtim, si në aspektin e reformave të brendshme ashtu edhe në kuadrin e bashkëpunimit rajonal.

Jam gjithashtu i bindur se, pavarësisht sfidave dhe çështjeve shumë delikate me të cilat po përballet Bashkimi Evropian dhe institucionet e saj, vëmendja juaj do të vijojë të jetë domethënëse për Shqipërinë dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor. Me gjithë përparimin thelbësor dhe raportet e reja pozitive ndërshtetërore, rajoni i Ballkanit Perëndimor, ka ende nevojë për një vëmendje dhe mbështetje më të qenësishme nga të gjitha strukturat e BE-së.

Duke ju uruar edhe njëherë suksese në vijimin e përmbushjes së misionit tuaj, ju lutem pranoni, Zoti President, shprehjen e konsideratës sime më të lartë.

Bujar Nishani”