Presidenti Nishani në Gjirokastër: Qyteti juaj, si një nga epiqendrat e kulturës dhe atdhedashurisë së Jugut ka kontribuar shumë në lartësimin e emrit shqiptar.

9 mars 2017

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani zhvilloi sot një vizitë pune në qytetin jugor të Gjirokastrës ku fillimisht dha një leksion të hapur në Universitetin “Eqerem Çabej” duke mbajtur një ligjëratë para studentëve, profesorëve dhe pedagogëve të shumtë të pranishëm.

Pas fjalës së mirëseardhjes të mbajtur nga Rektori Bektash Mema, në ligjëratën e Tij me temë: “Shqipëria në sfidën e zhvillimit, sigurisë dhe integrimit evropian”, Kreu i Shtetit, pasi i falënderoi nga zemra për pritjen, theksoi se bashkëbisedime të tilla kanë qenë në jetën personale dhe publike momente nga më të përzgjedhurit, nga më të dëshiruarit duke qenë në ambiente universitare për shumë e shumë arsye: “Kjo përvojë gjatë këtyre viteve në Zyrën e Presidentit të Republikës ka qenë shumë e bukur duke nisur edhe me takime të tjera në universitetetet e vendit si ai i Tiranës, të Shkodrës, të Korçës, në universitetin e Elbasanit dhe kurrsesi nuk mund të lija pa shfrytëzuar mundësinë dhe privilegjin që të jep posti i lartë të vija e të takohesha me pedagogët e me studentët këtu e të bashkëbisedonim duke ndarë disa pikëpamje mbi çështje të rëndësishme të jetës sonë të përbashkët në Universitetin e Gjirokastrës.”

“Gjirokastra rrezaton një trashëgimi të jashtëzakonshme kulturore, civilizimi dhe përpjekjesh për përparim mbarëkombëtar, jo vetëm lokal. Ndaj është kjo nostalgji kur je në Gjirokastër, në këtë zonë dhe në këtë hapësirë. Karrierën time publike në një moshë shumë të re, sapo u diplomova, në moshë 22-23 vjeç e nisa nga katedra dhe dëshiroj t’u them studentëve se vitet ikin shumë shpejt. Kur e kujtoj se sa shpejt ka kaluar koha them se më duket sikur ka qenë ajo kohë para 5 apo 10 vitesh, e jo para 30 vitesh. Duhet që krahas përpjekjeve të përditshme për studime, për dije e për t’u përgatitur profesionalisht, mbani në mendje se shumë shpejt do të vijë koha se nga ju do të jenë presidentët e Shqipërisë, ministrat, vendimmarrësit, drejtuesit e këtij vendi dhe koha ikën shpejt, ajo rrjedh shumë shpejt. Prandaj gjithësecili prej jush duhet të jetë gati t’i shërbejë vendit. Por që t’i shërbeni vendit duhet patjetër që përmes respektit dhe kontributit të profesorëve e pedagogoëve tuaj, pjesë e civilizimit dhe e kolonës sonë të qytetarisë duhet edhe të përfitojmë shumë nga mendja dhe profesioni i tyre, nga puna e tyre e jashtëzkonshme. Nuk është ende vonë, sepse nuk kanë kaluar shumë ditë për të uruar edhe 7 Marsin, Ditën shumë tradicionale jo vetëm e shkollës shqipe, por në tërësi e njerëzve që kanë bërë përpjekje të jashtëzakonshme për dijen, kulturën dhe përparimin, sepse janë kolonat bazë të civilizimit. Pata fatin që Ditën e shkollës shqipe dhe të gjuhës shqipe ta ndaja me një komunitet shumë të rëndësishëm të kombit shqiptar, në Luginën e Preshevës në Serbi dhe gjeta atje një shpirt shumë të ndezur, por edhe një ambjent shumë civilizues, pavarësisht në kushte të vështira dhe jo fort të zhvilluara nga pikëpamja urbane, por që çështjen e identitetit, dhe më së shumti të arsimit, të zhvillimit, të përparimit e të civilizimit, e të kulturës e mbanin si një prej motiveve më të forta që rrisnin e kalisnin e formonin brezat. Të gjitha këto jua thashë se ndihem i nderuar e i privilegjuar që jam sot në këtë ambient.” – u shpreh Presidenti.

Duke përshëndetur profesorët për punën e tyre të jashtëzakonshme, por edhe studentët për angazhimin e tyre në drejtim të marrjes së dijes, Presidenti Nishani theksoi se sot përpjekja kryesore do të jetë ajo e njerëzve për dije. “Askush nuk ka parë një përvojë botërore e cila ta ketë përparuar një komb të caktuar, të ketë zhvilluar një shoqëri, ta ketë begatuar një shtet të caktuar kudo anembanë botës pa njerëzit e shkolluar, pa njerëzit me dije, pa njerëz të cilët t’i kushtohen kërkimit shkencor, studimit, dhe më pas përçimit dhe transmetimit të tyre te pjesa tjetër e shoqërisë. Shoqëria e ka të domosdoshme, sepse është pjesa e cila duhet të jetë në vijën e parë, në rreshtin e parë të prirjes së një vendi drejt prosperitetit e zhvillimit. Dua të ndaj disa pikëpamje dhe disa adresime nga pozicioni i Presidentit të Republikës, por edhe nga këndvështrimi i një qytetari të vendit tonë të përbashkët, që kemi fatin ta jetojmë, ta gëzojmë, por që kemi edhe përgjegjësinë për ta parë e për ta zhvilluar shumë më tepër nga ç’kemi arritur deri më sot. Historia jonë na jep shumë pika frymëzimi edhe për të ndërtuar të ardhmen tonë.”

“Besoj fort se sfidat që kemi përpara janë të gjithë shoqërisë sonë, që prekin dhe ndikojnë jetën personale dhe individuale të çdo shqiptari, pavarësisht pozicionin dhe statusin shoqëror. Janë sfida që prekin dhe që janë bashkëudhëtare të jetës së çdo familjeje shqiptare. Janë sfida të çdo komuniteti e të çdo institucioni në Shqipëri. Dhe në fund të fundit, gjithë këtë shoqëri duke nisur nga familja, komunitetet, institucionet, e bëjmë ne njerëzit, prandaj gjykoj që këto janë sfida që u takojnë të gjithëve, në kuptimin e adresimit, analizës e për t’i diskutuar e për t’i ndarë ato nga pikëpamja se si këto sfida duhet të marrin qasjen e tyre nga shoqëria, institucionet e nga individi pastaj. Padyshim që përgjegjësitë janë të ndara. Ato vijnë në mënyrë hierarkike, piramidale. Individët të cilët kanë privilegjin të kenë mandate përfaqësimi në institucione vendimmarrëse kanë përgjegjësinë më të madhe dhe më të drejtëpërdrejtë në raport me shoqërinë, por edhe me veten. Por askush nuk mund të përjashtohet nga përgjegjshmëria. Përgjegjësia është tek ata që kanë mundësinë për të marrë vendime dhe iu është njohur e drejta për të marrë vendime, ndërsa përgjegjshmëria është e çdo qytetari të këtij vendi. Sfidat janë të mëdha, por vijmë në një pikë ku konvergojnë të gjitha dimensionet: cili është standardi i jetesës sonë? Ekperienca e gjithësecilit prej nesh është që nëse një shoqëri nuk ka një standard sa më të lartë që të jetë e mundur të zhvillimit ekonomik, të infrastrukturës, të ambientit familjar, nëse ne nuk kemi një standard të pranueshëm që e bën të qenësishme jetën, ne do të vazhdojmë që edhe të gjitha sfidat dhe çështjet e tjera që e rrethojnë jetën tonë të përditshme në mbeten në ‘status quo’.”

Duke folur për përvojnë që të jep posti i Presidentit të Republikës, në krahasim edhe me vendet e tjera të rajonit, Kreu i Shtetit vuri në dukje se nëse shikojmë shanset, pasuritë natyrore si nafta, burimet ujore, hapësirat detare, klima e favorshme, që ka Shqipëria jonë e vogël, shikojmë se ajo nuk është edhe aq e varfër. “Kur i krahason të gjitha këto potenciale dhe resurse me anën tjetër të peshores: standardi i jetesës së shqiptarëve krahasuar po me këto vende e shoqëri të tjera që nuk i kanë, është shumë i pabarabartë. Këtu fillon përgjegjësia jonë si shoqëri, edhe ajo përgjegjësi në mënyrë hierarkike. A e kemi kultivuar ne sot kulturën e adresimit në projekte të zhvillimit të vendit? Cilat janë prioritetet? Cili është prioriteti ynë i parë: shërbimi shëndetësor, arsimi, infrastruktura, turizmi? Çdo shoqëri e organizuar, e civilizuar, e mençur ecën me prioritete, me platforma prioritare të cilat nga dekada në dekadë ndryshojnë sipas standardeve që arrihen për shkak të angazhimeve dhe investimeve që bën shoqëria. Beteja më e madhe që duhet dhe kemi ne sot për shkak të mungesës dhe kësaj pabarazie midis potencialeve dhe realiteteve që kemi, armiku kryesor i këtij disproporcioni, i këtoj dallimi, a është korrupsioni. Korrupsioni është një problem shumë serioz, por gjithmonë kam besuar se korrupsioni është një fenomen nuk zhduket te njeriu ajo që e quajmë në gjuhën popullore ‘tafmaja’ që ekziston gjithmonë, por mund të luftohet në mënyrën më efikase të mundshme nëse ka një vullnet, një dëshirë, dhe nëse proporcioni midis tafmasë dhe përgjegjshmërisë është më i lartë te përgjegjshmëria e individëve. Por mos ndoshta defekti më i madh në këtë disproporcion që kemi midis resurseve tona dhe kostos është mungesa e artit të menaxhimit të njerëzve tanë? Druaj se po! E gjithë bota investon në mënyrë të jashtëzakonshme në atë që quhet ‘skills management’, sepse çdo individ nukë shtë i pajisur me këtë potencial të aftësisë mjeshtërore, jo thjesht të planifikimit, por edhe të procesit të menaxhimit, resurset që Zoti na ka falur do të na shkojnë siç shkon ai uji në det, 70% për qind pa u shfrytëzuar. Kjo pikë që unë besoj se është problem themelor nuk mund të kuptohet më mirë, nuk mund të adresohet, nuk mund të kultivohet apo të injektohet më mirë tek mentaliteti i shoqërisë apo mënyra e sjelljes së saj se sa tek akademia, se sa te jeta universitare, te profesorët dhe studentët, të cilët jo vetëm marrin dije, por fillojnë se sa të rëndësishëm janë ata për të sotmen dhe të ardhmen e shoqërisë. Edhe duke kuptuar se standardi i 10 viteve më pas, kur studentët e tanishëm do të jenë pjesa më aktive e jetës shoqërore, do të jetë një standard shumë herë më i zhvilluar në të gjitha dimensionet. Por një standard, i cili do të ketë edhe sfida më të mëdha e më të shumta. Prandaj unë nga auditorët universitarë jam përpjekur të përcjell mesazhin se sa e rëndësishme është që të fillojmë të mendojmë për një qasje më të drejtëpërdrejtë në përballimin e kësaj sfide: mangësitë që kemi ne në aftësitë menaxheriale të punëve, aftësive, kapaciteteve tona infrastrukturore dhe intelektuale. Pa e pasur këtë zhvillim ekonomik, edhe sfidat, edhe të gjitha proceset e tjera reformuese do të fillojnë e të mbeten o të ngadalta, o të pasigurta, o të pashëndetshme. Kemi arritje në këto 25 vjetët e fundit dhe padyshim të gjitha këto mangësi nuk mund të jenë kurrsesi pjesë e pesimizmit tonë. Por një shoqëri si e jona, me kapacitetet që ka, edhe me vitalitetin që gëzojmë, e ka të mundur plotësisht që të ketë disa standarde shumë herë më të mira e më të mëdha, për secilin prej nesh, për familjen e secilit prej nesh.”

Në lidhje me integrimin evropian Presidenti Nishani theksoi se: “Për ne shqiptarët ky është procesi më i mirë i mundshëm e më ndihmues. Ndoshta është edhe një shans që në rajonin, në kohën, në shoqërinë ku jetojmë e kemi një mekanizëm të tillë të pranishëm. Një mekanizëm shumë i mirë, që krijon një mundësi besimi te qytetarët shqiptarë që në një të ardhme jo të largët, Shqipëria dhe shqiptarët të gëzojnë të gjitha standardet sivendet anëtare të Bashkimit Evropian. Nuk mundemi ta konsiderojmë integrimin evropian si një akt vetëm politik, si një dekret presidencial, si një votim parlamentar apo thjesht si një mundësi lëvizjeje në kufij të hapur. Por kemi një proces të gjatë dhe duhet të jemi të ndërgjegjshëm e të bindur që nëse shoqëria shqiptare nuk demonstron një standard të arrirë brenda disa kritereve, ne do ta kemi shumë të vështirë jo thjesht për t’u bërë pjesë formale e një hapësire që quhet sot Bashkimi Evropian, por për të bindur qytetarët tanë shqiptarë, veçanërisht të rinjtë, që kapacitetin e tyre intelektual, dëshirën vullnetin e tyre dhe gjithçka që ata dëshirojnë, ta zhvillojnë brenda hapësirave të këtij vendi, që jo pa qëllim e përmenda fillimisht, nuk i ka të pakta resurset edhe mundësitë për gjithësecilin prej nesh. Dhe vetë procesi i integrimit evropian besoj se është mekanizmi më i mirë që gjithësecilin prej nesh duhet të na preokupojë të gjithëve. Ndoshta anëtarësimin formal mund ta kemi pas shumë vitesh, aq më shumë që sot ka shumë sfida, madje edhe të paparashikuara në lidhje me arkitekturën e vetë Bashkimit Evropian. Janë ngritur pikëpyetje nëse do të jetë kjo arkitekturë apo do të jetë një më e ridimensionuar, më e ngushtë apo më e gjerë. Ende ka dilema të mëdha në këtë proces, por kjo nuk do të thotë që Bashkimi Evropian si bashkim vlerash, standardesh, hapësire lirish e të drejtash, pjekurie demokratike, garancie funksionimi në interes të qytetarit, individit nuk do të jetë apo do të ketë dyshime. Absolutisht që jo! Ky është proces të cilin hapësira evropiane e ka arritur përmes përpjekjesh të jashtëzakonshme, sakrificash, madje edhe luftërash që janë bërë. Dhe për ne është një model që duhet ta ndjekim. Por tokën dhe fushën e realizimit të tij e kemi brenda vendit tonë. Në këtë kontekst, të gjitha hapat, reformat që ndërmerren duhet të kenë në fondamentin e tyre në radhë të parë dëshirën seriozitetin e një shoqërie. Ai nuk është thjesht një term abstrakt, por është refleksion i seriozitetit institucional që në fund të fundit bëhet ngaindividët që janë pjesë e këtyre institucioneve. Dhe individët vinë nga kjo shoqëri. Një njeri që bëhet Presidenti i Republikës nuk vjen nga ndonjë planet tjetër: del nga mesi i kësaj shoqërie, padyshim në rrethana të caktuara politike dhe institucionale. E gjithë hapësira piramidale, edhe atyre që ndikojnë në të nesërmen e jetës së secilit prej nesh. Dëshiroj të ndaj me ju besimin se pavarësisht vështirësive që ka sot në debatin politik në të adresuarit e procesit të integrimit evropian që nis nga Brukseli apo kryeqytete të tjera të Bashkimit Evropian, për ne në rrugëtimin tonë, mbetet e sigurt se kjo familje vlerash, parimesh do të mbetet e pandryshuar, pavarësisht se cili mund të jetë dizenjimi formal pas 5 vitesh apo 10 vitesh. Aq më tepër që shqiptarët e kanë demonstruar se jo vetëm identiteti i tyre është historikisht, realisht evropian, por tashmë ka edhe një angazhim një demonstrim të qartë e të drejtëpërdrejtë për orientimin e tyre perëndimor dhe evropian. Shqipëria dhe shqiptarët nuk kanë alternativë tjetër. Është provuar në të shkuarën për të qenë të izoluar e të shkëputur nga Evropa apo për të injektuar teori e formula të tjera, të cilat kanë dështuar duke krijuar kosto të madhe te secili prej nesh. Dhe është vërtetuar teza historike që nga krijimi formal i shtetit shqiptar se shqiptarët e kanë zgjidhjen e tyre në adresim drejt perëndimit, drejt vlerave, sepse jemi njerëz që i takojmë kësaj kulture. Dhe nuk mund të deformohet kultura e gjenezës së një kombi! Nuk mund të tjetërsohet kultura e gjenezës së një kombi, e një popullit nga kushdo qoftë ai, qoftë edhe përmes dhunës, që është pjesa dhe përpjekja ekstreme që mund të bëhet për ta tjetërsuar orientimin dhe gjenezën kulture të një vendi e të një kombi. Ndaj ne e kemi mbyllur historikisht këtë kapitull të orientimit tonë dhe kjo nuk është zgjedhje e politikanëve. Kjo nuk është zgjedhje e partive politike. Kjo nuk është zgjedhje e disa njerëzve që kanë mandate të caktuara për të marrë vendime. Kjo është zgjedhje fondamentale e shqiptarëve, e qytetarëve shqiptarë. Ndajnë këtë kontekst do të doja të ritheksoja mesazhin e Rektorit se sa rëndësi ka jeta universitare. Pa jetën universitare, pa ndriçimin e mendjes, pa dije ne nuk do të kemi standarde më të larta civilizues e pa civilizim nuk mund të bëjmë dot asgjë. E Gjirokastra e ka treguar ndër shekuj që është një trevë që i ka dhënë vendit, individë, komunitete të tëra, të cilët e kanë orientuar Shqipërinë drejt standardeve civilizues. Dhe civilizimi nuk vjen vetiu, padyshim është brenda te njeriu, te individi, por ai kërkon gjithmonë një standardazim përmes zgjerimit të dijes, edhe këndvështrimeve ndaj botës dhe asaj që na rrethon afër kujemi, që nga familja, shoqëria, komuniteti dhe tek institucionet që ne kemi. Prandaj duhet që shteti shqiptar ta shikojë me prioritet Universitetin e Gjirokastrës, kërkesa e Rektorit, e pedagogëve e juaja si studentë, është kërkesa më minimale, më njerëzore që mund të bëhet dhe është përgjegjësia dhe përgjegjshmëria më e madhe që mund të ketë sot shteti shqiptar në raport me qytetarët e vet, por posaçërisht me ktë trashëgimi që ka dhënë e ka lënë Gjirokastra si trevë, edhe mundësitë e mëdha që ka për të vazhduar e për t’i dhënë Shqipërisë kapacitetet e mendjeve përmes këtij civilizimi dhe largpamësisë mund të ndikojnë për mirë te jeta e secilit prej nesh, dhe veçanërisht te jeta e studentëve, që tashmë kanë hyrë në fazën e të qenit gjenerata kryesore e Shqipërisë. Jo vetëm personalisht e mbështes këtë qasje e këtë përgjegjësi që duhet të ketë shteti shqiptar, Presidenti i Republikës, qeveria shqiptare, parlamenti i Shqipërisë dhe të gjitha institucionet e tjera përgjegjëse që këtë institucion kaq të rëndësishëm të dijes e të kulturës të këtij rajoni kaq të rëndësishëm, i cili i shërben padyshim kësaj zone, por që është i gatshëm dhe një potencial i mirë për t’i shërbyer gjithë Shqipërisë, por edhe përtej saj si imazhi më i mirë i një vendi që përpiqet përditë drejt destinacionit të tij të vetëm që është civilizimi evropian. Dëshiroj t’ju garantoj që jo vetëm deri ditën e fundit që do të jem në Zyrën e Presidentit të Republikës, por në gjithë vijimësinë e jetës sime dhe mundësive të mia, për të qenë një vokacion publik, do ta prezantoj me forcë shumë të madhe dhe do të marr frymëzim nga ky takim i sotëm, rëndësinë e madhe që ka dhënia e dimensionit dhe mbështetjes që meriton Universiteti i Gjirokastrës, që mban një emër të jashtëzakonshëm, emrin e një eruditi shqiptar, me të cilin krenohet sot kultura botërore, dhe jo vetëm shkenca dhe kultura shqiptare!”

Më pas Presidenti i Republikës zhvilloi një bashkëbisedim të hapur e të sinqertë me studentët dhe pedagogët e pranishëm me pyetje përgjigje lidhur me tema dhe çështje të ndryshme si zhvillimi ekonomik, mirëqenia, emigracioni, sidomos ai i të rinjve shqiptarë, ndikimi i politikës te zhvillimi ekonomik, nevoja për të rinjtë që të asociohen në grupime, shoqata dhe të marrin pjesën në jetën publike shoqërore, etj.

Vizita e punës së Presidentit Nishani vijoi me një takim të zhvilluar në Kino-Teatrin “Andon Zako Çajupi” me praninë e Prefektit Flamur Bime, Kryebashkiakes Zamira Rami, kryetarit të Këshillit të Qarkut, me artistë, sportistë dhe intelektualë të spikatur gjirokastritë.

Gjatë kësaj ceremonie të veçantë dhe emocionuese, Presidenti i Republikës i akordoi Titullin “Mjeshtër i madh” zotit Bashkim Izano “Për talentin e jashtëzakonshëm dhe arritjet e spikatura në fushën e pikturës dhe skenografisë. Me virtuozitetin e penelit të tij ka shënuar gjurmë të pashlyeshme në jetën artistike dhe kulturore të vendlindjes e mbarë Shqipërisë. Cilësia, finesa dhe mendimi estetik që përcjell përmes veprës së vet, e ka vendosur atë në panteonin e korifejve, si ndër piktorët shqiptarë më të dashur për publikun vendas dhe atë ndërkombëtar”; zotit Bernard Kokalari: “Për kontributin, talentin dhe interpretimet e paraqitura në artin skenik, kinematografi dhe etnofolklor, si një nga aktorët kryesorë themelues të institucionit të teatrit e regjisurës gjirokastrite, si dhe për rolin e tij të çmuar në ngritjen e cilësisë së jetës artistike e kulturore kombëtare”; Lefter Dilos (pas vdekjes): Për klasin e lartë profesional, cilësinë, përkushtimin e pasionin në ngritjen e rrjetit muzeal dhe etnografik në Gjirokastër dhe Jug të Shqipërisë, si dhe për rolin e tij të vyer si publicist, studiues, historian dhe enciklopedist në kulturën shqiptare”; zotit Naxhi Kasoruho: “Për kontribut të qenësishëm në fushën e muzikës, të interpretimit, studimit dhe edukimit të brezave përmes saj. Për merita të veçanta në organizimin e veprimtarive kulturore e artistike, sidomos të festivaleve folkorike rajonale dhe kombëtare”; zotit Sefedin Braho:Për talentin dhe virtuozitetin e rrallë në fushën e blertë, si futbollist i nivelit të lartë, sulmues legjendë i ekipit gjirokastrit ‘Luftëtari’ dhe Ekipit Kombëtar Shqiptar. Me një kontribut të shquar në arritjen e rezultateve të larta sportive në veprimtaritë kombëtare e ndërkombëtare”; Sokrat Kalivopullit (pas vdekjes): “Për kapacitetin dhe kontributin inxhinierik të jashtëzakonshëm në projektimin dhe ndërtimin e rrjetit hidroenergjetik të Shqipërisë, si dhe për vizionin dhe aftësitë e shquara organizative në ngritjen dhe forcimin e strukturave demokratike të pushtetit vendor në Gjirokastër. Si bir i minoritetit greke, gjatë gjithë veprimtarisë së tij, ka paraqitur vlerat më të mira të harmonisë dhe bashkëpunimit midis dy popujve”; zotit Sotiraq Paskali:Si një nga personalitetet më të spikatura të cirkut, artit, sportit, kulturës e letrave gjirokastrite. Me talentin e tij shumëplanësh ka dhënë një kontribut të shquar në ngritjen e promovimin e cirkut gjirokastrit dhe atij shqiptar. Arritjet e tij të veçanta në pikturë, skulpturë, muzikë si dhe në botimin e shumë veprave letrare kanë krijuar një shembull emancipimi shoqëror në jetën e qytetit” .

Gjithashtu Kreu i Shtetit vlerësoi edhe zotin Sulejman Jusufati me Titullin “Për Merita të veçanta Civile”: “Për aktivitetin e tij shumëvjeçar si intelektual, në shërbim të gjeologjisë shqiptare, si dhe për përkushtimin e tij të veçantë në fushën e publicistikës. Si botues e drejtues i gazetës ‘Libohova’ ka luajtur një rol të spikatur në mbrojtjen dhe kultivimin e traditave, etnokulturës dhe historisë së vendlindjes së tij, duke dhënë kështu një kontribut të shquar edhe në pasqyrimin e historisë së larmishme e të plotë të kësaj treve shqiptare”.

Në fjalën e Tij përshendetëse, Presidenti Nishani theksoi mes të tjerash: “Ju përshëndes dhe ju falënderoj përzemërsisht që më jepni rastin të jemi përsëri bashkë në këtë festë të bukur mirënjohjesh. Duke ardhur në këtë takim emocione të pafundme më përshkuan krejt qënien time sapo në horizont u shfaq lugina e Drinos! Në këto çaste ndjehem si çdo njëri prej jush, si bir i këtij trualli dhe pjesë e pandarë e shpirtit, qytetarisë dhe botës së mrekullueshme gjirokastrite. Në fakt kështu jam ndjerë përherë në koshiencën time edhe pse kam lindur larg prej këtyre rrugëve, sokakëve, shtëpive dhe bedenave të gurta. Gjirokastritët, të vetëdijshëm për origjinën nga rrjedhim ne mbartim dhe transmetojmë brez pas brezi kumtin e të parëve tanë, Ne jemi krenarë për çfarë përfaqësojnë, për etnokulturën, traditat, zakonet dhe civilizimin që Gjirokastra i ka dhënë prej shekujsh Shqipërisë dhe shqiptarëve.”

“Në udhëtim e saj shumëshekullor, Gjirokastra, si një nga epiqendrat e kulturës dhe atdhedashurisë së Jugut ka mundur të kontribuojë shumë në lartësimin e emrit shqiptar. Brenda hapësirës shqiptare, por edhe më tej Gjirokastra si rrallë kush gëzon faktin se nuk ka etapë të historisë së Shqipërisë, në të cilën gjirokastritët të mos kenë gdhendur dhe emrat e tyre të famshëm. Duke filluar në lashtësi me emrat e Piros, Antigonës. Më vonë me princërit e tyre me në krye Gjin Zenebishin e Gjin Bue Shpatën në kohën e Arbrit. Në Mesjetë me Grigor Gjirokastriti, Idriz Suli të cilët janë pararendësit e rilindasve Koto Hoxhi, Pandeli Sotiri, Andon Zako Cajupi, Urani Rumbo, Bajo e Çerçiz Topulli, firmëtarëve të Pavarësisë: Veli Harxhi, Elmaz Boçe, Hasan Xhikun e Aristidh Ruçi duke vazhduar me, Ilia Dilo Sheperin , Petro Pogen, Mufit Libohovën, Thoma Papapanon, Rauf Ficon, Vangjel Zhapën Javer Hurshitin dhe Pasha Kaurin. Për të vazhduar me publicistët e ndritur të viteve 30-të të gazetës: “Demokratia” si Xhevat Kallajxhi, Branko Merxhani, Jorgji Meksi, Vedat Kokona e Vangjel Koça. Për të mbërritur tek heronjtë e luftës si Muzo Asqeri, Inajet Karalli, Asim Zeneli, Bule Naipi, Mustafa Gjinishi, Ramize Gjebrea, etj. Por, Gjirokastra do të nxirrte edhe më tej njerëz të shquar si Musine Kokalari, Eqerem Çabej, Ismail Kadare, Bilal Golemi, Xhanfise Kekon, Vasil Laboviti, Sabiha Kasimati, Amik Kasoruho, Arben Puto, Thoma Papano, Feim Ibrahimi, Sokrat Kalivopulli, Tahsin Karagjozi, Jorgo Bulo, Ali Xhiku, Vasil Bilushi. Si dhe sot Agim Shehu, Bernard Kokalarin , Koco Kosta , Naxhi Kasoruho, Viktor Zhusti, Fane Bita, Sotiraq Paskalin, Roland Cene, Teli Stefani, Thanas Mejdi, Sefedin Braho, Suzana Sinojmeri Dhori Kalluci, Astrit Boni, Luan Seiti dhe shumë e shumë të tjerë. Midis tyre ka shumë emra të shquar për të cilët kërkoj ndjesë në pamundësi për t’i përmendur. Duke ardhur këtu sot, ne përkulemi me veneracion përpara bijve të shquar të Gjirokastrës, pishtarëve të rilindjes, dhjetëra dijetarëve, studiuesve të historisë e gjuhës, artistëve në fushën e muzikës e arteve figurative. Janë pikërisht bijtë të shquar dhe qytetarët e saj të ndritur arsyja pse Gjirokastra qëndron ballë lart përpara historisë!”

“Gjirokastritët me largpamësi mbështetën ndërtimin e liceut francez të qytetit, u bënë mbartës së shtypit të parë demokratik me botimin e gazetës ‘Demokratia’ dhe dërguan në perëndim për studime bijtë e tyre më të mirë. Historia le të na mësoj ta shohim me realizëm të sotmen dhe të projektojmë drejtë të ardhmen. Ne shikojmë me dhimbje se para syve tanë po shemben banesa karakteristike me vlerë të jashtëzakonshme, të cilat duhen restauruar. Përfshirja e Gjirokastrës në UNESCO ka qenë një përpjekje e kalibruar për ta shndërruar qytetin në një destinacion turistik, dhe këtu vlen të vlerësohet edhe ndihmesa e parnerëve të huaj.

Jam i bindur se mençuria, dëshira për punë dhe pasioni juaj për kulturë dhe jetë cilësore kanë për t’ia dalë për ta mbajtur Gjirokastrën me krye lart ashtu sikurse është mbajtur nëpër shekuj. Si President i Republikës, por edhe si qytetar kam bindjen që ceremonia e sotme do jetë një nga ngjarjet më të shtrenjta të karrierës time. Më duhet të pohoj se nuk ka qenë e lehtë përzgjedhja e individëve në këtë bashkësi vlerash gati të njëjta, sepse rrezja e dritës se civilizimi ekziston në thellësi të shpirtit të çdo gjirokastriti. Ajo rrezaton kudo ku ai ndodhet në formë vlerash dhe aftësish në të gjithë fushat e jetës. Jam përpjekur që në këtë përzgjedhje të jem në lartësinë e vlerave të tyre, krahinave që përfaqësojnë si dhe harmonisë që ato kanë midis tyre nën emrin gjirokastrit. Këtë fond të artë të vlerave tuaja do t’ua lëmë trashëgim fëmijëve dhe brezave të ardhshëm. U uroj personaliteteve që po nderojmë sot së bashku të angazhohen, të vijojnë me kontributete e tyre, sepse historinë e bëjnë njerëzit dhe veprat e tyre janë pasuria jonë më e madhe.” – u shpreh Presidenti i Republikës.