Presidenti Nishani në Festën e “8 Marsit”: Shoqëria jonë ka ende shumë nevojë për përpjekje e për emancipim!

8 mars 2017

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani organizoi sonte një ceremoni vlerësimi për figura të shquara zonjash të shoqërisë sonë, me rastin e Festës së 8 Marsit, gjatë së cilës u nderuan për kontributet dhe veprimtaritë e tyre frymëzuese një sërë intelektualesh dhe sipërmarrësesh shqiptare.

Presidenti i Republikës dekoroi me Titullin “Mjeshtër i Madh” zonjën Jera Kruja “Në shenjë vlerësimi për kontributin e çmuar prej disa dekadash si mjeke e shquar, si pedagoge e përkushtuar dhe e palodhur dhe si përfaqësuese dinjitoze e gruas intelektuale dhe shkencëtares shqiptare edhe në arenën ndërkombëtare”; zonjën Manjola NallbaniMe nderim dhe mirënjohje këngëtares së talentuar e virtuoze të muzikës së lehtë dhe popullore shqiptare, si dhe interpretueses së përkryer të muzikës klasike, duke spikatur jo vetëm me aftësitë dhe vokalin e saj të rrallë, por edhe me përçimin e dijeve dhe vlerave artistike te brezat e rinj”; zonjën Myfarete Laze “Me mirënjohje këngëtares dhe interpretueses mjaft origjinale të muzikës së lehtë shqiptare, e cila me talentin dhe profesionalizmin e saj të rrallë është shndërruar në njërën prej përfaqësueseve më të vlerësuara e të dashura të artit bashkëkohor shqiptar” dhe zonjën Rozmari JorganxhiNë vlerësim të interpretueses së rrallë, e cila, në vazhdën e traditës së mirënjohur familjare atdhetare dhe muzikore, i ngriti edhe më lart, duke i pasuruar denjësisht, vlerat si mexo-soprano dhe si koncert-maestro, nëpërmjet portretizimeve artistike të personazheve shqiptare dhe ndërkombëtare”.

Kreu i Shtetit i akordoi Titullin “Naim Frashëri” zonjës Engjëllushe Shqarri “Në shenjë vlerësimi për punën e palodhur dhe kontributin e çmuar në fushën e përkthimeve zyrtare dhe të letërsisë së huaj amerikane dhe angleze, si dhe për vlerat e rralla dhe origjinale në shqipërim, të cilat e kanë karakterizuar dhe dalluar atë përgjatë shumë dekadash si brenda vendit, ashtu edhe jashtë tij”; zonjës Rezarta ReçiNë vlerësim të kontributit dhe rolit të çmuar si hulumtuese, evidentuese dhe përcjellëse e vlerave unike të figurave të shquara të artit, kulturës, sportit e mjekësisë, duke mundësuar pasqyrimin dhe njohjen publike të evoluimit dhe emancipimit intelektual të shoqërisë shqiptare ndër dekada”; zonjës Vjollca KarapiciNë vlerësim të kontributit të vyer dhe punës e palodhur në fushën e kontabilitetit e të financave, duke u dalluar për profesionalizmin e lartë dhe ndihmesën e saj të çmuar në modernizimin dhe suksesin institucional të auditimit të brendshëm”; zonjës Vjollca LubonjaNë respekt dhe nderim të punës së përkushtuar dhe kontributit të çmuar në fushën e mësimdhënies së gjuhës frënge, të përkthimeve, si dhe në hartimin e përgatitjen profesionale të teksteve bashkëkohore të gjuhëve të huaja sipas standardeve më të përparuara të Bashkimit Evropian”; si dhe zonjës Tatiana Piro (Nurçe) Titullin “Për merita të veçanta civile”: “Në respekt të punës së palodhur si dhe të kontributit të vyer në fushën ekonomike dhe zhvillimit të vendit tonë, duke na dhënë një shembull frymëzues dhe dinjitoz të gruas profesioniste e të pavarur shqiptare brenda dhe jashtë Shqipërisë”.

Në fjalën e Tij drejtuar të pranishmëve, Kreu i Shtetit shqiptar u shpreh se kjo ditë e veçantë i kushtohet memories, edhe referimit të përpjekjeve shumë të gjata të grave e të zonjave, por edhe arritjeve shpeshherë përmes sakrificave, që kanë dimensionuar figurën e gruas në themelet jo vetëm të jetës, por edhe të gjithë procesit emancipues shoqëror.

“Duke marrë shkas dhe duke u frymëzuar nga ky rrugëtim i gjatë i përpjekjeve, i sakrificave, i kontributeve nga figura e dimensionit të gruas, i nënës, i motrës, i zonjës në themel, të fokusohemi edhe në disa momente të falënderimit dhe të mirënjohjes së kontributeve personale. Ndaj dëshiroj që në emër të të gjithë qytetarëve të përcjell urimet më të mira për çdo grua shqiptare, për më të dhembshurat: për gjyshet, nënat, motrat dhe bashkëshortet tona. Edhe në këtë ditë, si një ditë e memories, e konkludimit të rrugëtimit të gjatë, ne mund të themi me shumë sinqeritet dhe me plotë gojë se përkulemi me shumë respekt e nderim ndaj dimensionit të zonjës, të zonjushës, të gruas duke e falënderuar për të gjitha përpjekjet e bëra. Mbi të gjitha duke falënderuar e duke njohur përmes falënderimit kurajën, edhe vlerat, edhe sakrificat, edhe rolin e pazëvëndësueshëm që ju të cilat jeni sonte në këtë sallë dhe shumë e shumë të tjera, edhe në rrugëtimin tonë kombëtar, identitar, në rrugëtimin tonë shoqëror keni luajtur që luajnë ndoshta edhe mjaft zonja të tjera që sonte nuk janë këtu, por që dinjiteti, kontributi, personaliteti i tyre është evident dhe i pranishëm në fillin e jetës sonë të përditshme si individë, si familje, si komunitet, si shoqëri dhe si komb.” – vuri në dukje Presidenti Nishani.

“Nuk do ta konsideroja një ditë të thjeshtë festimi ku të mblidhemi e të adresojmë falënderime, mirënjohje, nënvizime kontributesh ndaj figurës së gruas në tërësi dhe personaliteteve të veçanta, por besoj se do të ishte më e udhës edhe më efiçente që ta konsiderojmë si një ditë edhe reflektimi. Si një moment reflektimi dhe kujtimi më së shumti të vështirësive dhe pengesave që kanë kaluar breza e breza të tjerë nndër shekuj, edhe pengesa të panumërta që jo vetëm janë hasur, por çka është më e rëndësishmja në gjykimin tim për të nënvizuar së bashku e për ta përcjellë si mesazh: pengesa që janë tejkaluar. Ato pengesa janë tejkaluar me dimensionin e kurajës, e mençurisë, e shpirtmadhësisë, të zgjuarsisë e të këmbënguljes, edhe të shpirtit që rrezaton gjithmonë ngrohtësi, e cila ka brenda saj ka jo vetëm hapësirë dhe gjerësi, por edhe mençuri. Bota dhe njerëzimi kanë qenë dëshmitarë të rrugëtimit kaq të vështirë e me kaq shumë sakrifica të grave në mbarë globin.

Ne duhet të fokusohemi te ky rrugëtim i veçantë i grave shqiptare ku në fakt diskriminimi, padrejtësia ndaj tyre ka qenë sa evidente, sa specifike, aq edhe dimensionale, dhe në raport me të gjitha këto sfida ka qenë edhe ana tjetër e medaljes. Po kaq dimensionale ka qenë edhe rezistenca, edhe kontributi, edhe përpjekja, edhe largpamësia, edhe bota e brendshme e grave shqiptare. Në fakt edhe pse të shtypura, edhe të dhunuara në shumë e shumë raste, edhe të keqtrajtuara, edhe të pavlerësuara në shumë e shumë raste, ato kurrë nuk janë dorëzuar, por janë treguar të fuqishme, dinjitoze, që ka qenë dimensioni rela i madhështisë së shpirtit dhe i genit të tyre duke luftuar parreshtur për barazi, për drejtësi, për vlerësim shoqëror që besoj se janë fondamentet e aspiratës dhe përpjekjes dhe mbërritjes drejt civilizimit. Mund të them se falë edhe këtyre përpjekjeve të vazhdueshme e të vërteta, është arritur që brez pas brezi duke pasur në konsideratë rolin individual, por edhe atë të komunitetit në tërësi të zonjave, të nënave, të grave shqiptare, është bërë e mundur që të arrihet mundësia, hapësira, që nga shkollimi, arsimimi, edukimi, edhe marrja e një sërë të drejtash. Gratë shqiptare e kanë demonstruar që nuk janë thjesht të brishta siç shpeshherë pa të drejtë tentohet të minimizohet dimensioni i gruas. Ato kanë treguar që janë heroina të vërteta. Heroina për rolin që kanë luajtur në shoqëri, që kanë luajtur në kulturë, ekonomi, arsim, në shkencë, në sport, edhe në të gjitha dimensionet e jetës shoqërore, politike edhe mbi të gjitha, njerëzore.” – u shpreh Presidenti Nishani.

“Jam përpjekur këto ditë dhe nuk ka qenë aspak e lehtë të përqendrohesha te vlerat më të veçanta të disa prej grave shqiptare, sepse është e pamundur që në një ceremoni të tillë të thjeshtë, por dëshiroj t’ju garantoj shumë të sinqertë e të vërtetë, shumë njerëzore, të identifikosh, të përqendrohesh e të evidentosh me qindra, pa ekzagjerim, në mos me mijëra, shembuj të dimensionit intelektual, qytetar, civil të grave dhe vajzave shqiptare. Të qenit në të njëjtën kohë grua, bashkëshorte, nënë, motër, shoqe, mike, kolege e përkushtuar, padiskutim që ka qenë dhe mbetet një sfidë e gjatë dhe besoj pambarim për gruan shqiptare.

Në këtë ceremoni do të desha të ndalesha veçanërisht te roli i thelbësor i grave, i nënave dhe i vajzave të thjeshta shqiptare. Kur them të thjeshta e kam fjalën për ato të cilat rutina e jetës i rrethonme një dinamikë jo të merituar. Me një dinamikë, e cila i privon ato nga dimensioni i vërtetë që ato meritojnë të kenë në jetën e përditshme të tyre. Ky është një realitet që në vërtetë nuk është se ekziston vetëm këtu në Shqipëri, por është një realitet mbarëbotëror, në tërësi në të gjithë shoqërinë njerëzore, që për fatin e mirë, si realitet ka filluar prej kohësh të bhet gjithmonë e më evident e të sfidohet. Dhe gjykoj se rezultati më i mirë dhe efiçenca më e mirë e sfidimit të këtij realiteti të pamerituar është angazhimi, protagonizmi pse jo, i individualiteteve të atyre zonjave dhe grave, të cilat e kanë nervin e mendësisë që ka protagonizmi përmes veprimit, përmes kontributit në fushën ku ndihet më e fuqishme dhekundien një epërsi morale, pse jo, edhe intelektuale.

Dua të përshëndes edhe ato gra, të cilat në shtëpinë e tyre, ndoshta rutina e përditshme i mbyll jo vetëm brenda mureve të shtëpisë, por që gjithsesi e kanë një dimension shumë të madh, që buron në shpirtin dhe në qenien e tyre, se edhe ato mure që i rrethojnë në ditë, javë, muaj e vite, në fakt janë te ajo gjenerojnë idenë e përkushtimit dhe të adhurimit që ajo ua kushton familjes, fëmijëve, bashkëshortit dhe gjithë anëtarëve të tjerë të familjes. Pra një raport padrejtësie në këtë rast përmes dimensionit që ajo grua jep mes adhurimit të familjes dhe të gjithë njerëzve të dashur të saj, dhe nga ana tjetër padrejtësisë që ajo ndesh në vetë personalitetin e saj. Ndaj besoj se ne të gjithë kemi nevojë që duke qenë të frymëzuar nga dimensioni që ajo reflekton përmes adhurimit, ta sfidojmë sa më shumë që të jetë e mundur pjesën e padrejtësisë brenda këtij realiteti.

Duke besuar sinqerisht te forca e shpirtit dhe e mendjes së gruas e të zonjave, te dinamika impulsive që e ka në gjenezë gruaja, sepse fakti që Perëndia i ka falur asaj të drejtën e rritjes së fëmijës e të dhënies së një potenciali të madh të ushqimit të krijesës që rritet, formohet me arsim, kulturë, me dije, e jo pa qëllim është formuluar në terminologjinë botërore, jo vetëm shqiptare, me mëmësinë. Pra gjithë ky dimension i madh, e gjitha kjo energji që është e deleguar për fat te gruaja, kërkon reflektimin e gjithë shoqërisë. Duke u përpjekur patjetër për shanse dhe të drejta të barabarta. Kjo është njëbetejë e gjatë, e cila siç e dinë edhe brezat e sotëm nga librat, ka nisur shekuj më parë. Janë përpjekje që janë bërë dekada e dekada me radhë dhe në kontekstin shqiptar ajo ka pasur specifikën e saj, që e ka dimensionuar edhe procesin e emancipimit të shoqërisë të Shqipërisë në nevojën dhe domosdoshmërinë e përfshirjes së kontributit të gruas. Sonte kemi ftuar për t’u thënë faleminderit, për t’u shprehur mirënjohjen dhe nderimin tonë disa zonjave të veçanta në fusha të ndryshme ku ato janë fokusuar për shkak të dhuntisë që kanë pasur, për shkak të investimit që kanë bërë e mundësive që kanë gëzuar, por që të gjitha i bashkon besoj një parim, një fondament i tyre, që është fuqia e madhe e shpirtit që përmes kësaj veprimtarie, përmes këtij kontributi të vendoset një tullë në këtë murin e madh të shtëpisë, të ngrehinës sonë të përbashkët që ne të gjithë dëshirojmë ta kemi sa më të mirë, sa më të fortë, sa më solide, sa më jetëgjatë.

Duke i falënderuar të gjitha zonjat sonte në emër të Institucionit të Presidentit të Republikës që kam fatin dhe privilegjin ta përfaqësoj edhe në këtë ceremoni, dua t’i garantoj se respekti ndaj tyre, se respekti në tërësi ndaj portretit dhe angazhimit të gruas është gjithëshoqëror dhe gjithëkombëtar. Fati e ka dashur që Shqipëria të ecë në proceset emancipuese duke pasur të pashkëputur e të pandarë rolin e zonjës dhe të gruas në tërësi. Do të desha të ndalesha vetëm në një reflektim personal dhe në një kërkesë institucionale: Që në proceset emancipuese të shoqërisë, të cilat askush nuk mund të mendojë e as të gjykojë se kanë një stacion të fundit, por ecin drejt pafundësisë, edhe ne e kemi këtë përgjegjësi përsa kohë të kemi forcën, të kemi mundësinë, aftësitë, kapacitetet njerëzore e intelektuale që të mos ndalemi duke i bërë shërbime gjithmonë e më të shumta shoqërisë, dhe në tërësi mekanizmave që e rregullojnë shoqërinë tonë. E duke u bërë këto shërbimeve këtyre mekanizmave që rregullojnë shoqërinë tonë, i kemi bërë shërbimin familjes sonë. E duke i bërë shërbimin familjes sonë, ne kemi bërë padyshim detyrën edhe vetes në raport me atë që kemi si adhurim ndaj familjes dhe pjesëtarëve të familjes që është gjëja më e shtrenjtë dhe më afërt për gjithsecilin prejnesh, është më njerëzorja.

Dua të nënvizoj me forcë, larg retorikave formale që po, roli i gruas, jo se e them, jo se është një zgjedhje e jona, por është një realitet të cilit ne nuk mund t’i ikim. Është një realitet që ne duhet ta respektojmë nëse duam vërtet që të jemi edhe ne pjesë e suksesit të këtj realiteti. Pra roli i tyre është jo vetëm i qenësishëm, jo vetëm real, por edhe mbetet i domosdoshëm dhe shumë i vlerësueshëm. Prandaj ju falënderoj të gjitha zonjat që janë këtu të pranishme! Dëshiroj që përmes pranisë suaj të falënderoj dimensionin e femrës, e gruas, e zonjës shqiptare! Kemi shumë e shumë gjëra për të cilat duhet të jemi krenarë për këtë dimension, por më së shumti është dimensioni i përgjegjësisë që ne kemi, edhe për ta prezantuar si vlerë të shoqërisë sonë. Dhe kjo përgjegjësi e përcjelljes së këtij dimensioni nuk është vetëm e zonjave, por është e të gjithë shoqërisë, duke nisur në radhë të parë nga institucionet. E nëse institucionet e shtetit shqiptar nuk tregojnë nivelin e merituar të seriozitetit, të persistencës për të qenë të angazhuar, atëherë ne do të lëmë boshllëqe të mëdha në shoqërinë tonë, që do të reflektohen në mënyrë jo pozitive pastaj te secili prej nesh! Ju faleminderit për gjithçka keni bërë në jetën tuaj! Mbetemi me pritshmëri të larta në vijimësinë e viteve të gjata që ju mbeten përpara për ta vazhduar akoma edhe më me forcë këtë kontribut e këtë dimension jo vetëm strikt në fushën profesionale dhe aspektin individual ku jeni të angazhuara, por në dimensionin shoqëror. Shoqëria jonë ka ende shumë nevojë për përpjekje e për emancipim! E pa këtë emancipim do ta kemi shumë të vështirë për të ridimensionuar në favor të fëmijëve, të brezave që vijnë, atë që përpiqemi të gjithë: standardin më të mirë të jetës si njeri, si qenie njerëzore. Emancipimi dhe civilizimi, qytetaria do të jetë hapësira dhe frymëzimi më i mirë i mundshëm për të sjellë në vendin që i takon, në piedestalin që i takon edhe dimensionet e tjera të jetës sonë të përditshme! Suksese të mëtejshme në jetën tuaj personale, familjare, profesionale dhe shoqërore!” – përfundoi fjalën e Tij Kreu i Shtetit shqiptar.