Presidenti Nishani priti Ministrin e Jashtëm të Malit të Zi, Srdjan Darmanović

10 janar 2017

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z.Bujar Nishani priti sot në një takim të veçantë Ministrin e Punëve të Jashtme të Malit të Zi, Sh.T.Z. Srdjan Darmanović, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Shqipëri.

Kreu i Shtetit shqiptar vlerësoi bashkëpunimin shumë të mirë dhe raportet midis dy vendeve, duke i konsideruar ato si një model i marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë në rajon.

Biseda mes Presidentit Nishani dhe Ministrit të Jashtëm të Malit të Zi u përqendrua në hapësirat dhe mundësitë që ekzistojnë për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh, rajonal dhe integrimin evropian të dy vendeve tona dhe rajonit në përgjithësi në strukturat euro-atlantike.

Presidenti Nishani dhe Ministri i Jashtëm malazez Darmanović ndanë mendimin se të dy vendet duhet të flasin me një zë kur bëhet fjalë për projekte të përbashkëta të rëndësishme zhvillimore dhe konkrete në fushën e mjedisit, turizmit, infrastrukturës rrugore, etj.

Presidenti Nishani vlerësoi rolin e faktorit shqiptar në Mal të Zi si kontribues në zhvillimin e demokracisë, forcimin e shtetit ligjor si dhe në mbështetje të proceseve integruese në vendin fqinjë dhe rikonfirmoi rolin e Shqipërisë si faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon.

Presidenti Nishani dhe Ministri i Jashtëm Darmanović u shprehën optimistë për të ardhmen e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, të cilat u shërbejnë të dy popujve dhe përbëjnë gjithashtu një shembull frymëzues për popujt e tjerë të rajonit.