Intervistë e Presidentit Nishani dhënë për emisionin “Debati në Channel One” të gazetarit Roland Qafoku

5 janar 2017

Gazetari: Zoti President, faleminderit që pranuat ftesën dhe ju uroj si fillim “Gëzuar Vitin e Ri 2017” dhe suksese në punën tuaj!

Presidenti Nishani: Faleminderit! Edhe unë gjej rastin edhe një herë t’ju uroj ju personalisht, familjes suaj, por dhe të gjithë stafit të televizionit “Channel One”, punonjësve, administratorëve, gazetarëve, teknikëve, gjithkujt një vit të mbarë!

Gazetari: Zoti President, unë në fakt në skaletën dhe në përgatitjen time kisha të renditur disa pyetje të tjera, por lajmi më i fundit është arrestimi i Ramush Haradinajt, një personazh shumë i njohur jo vetëm për Kosovën, por dhe për të gjithë shqiptarët, ish-kryeministër, kryetar i një partie, dhe një nga luftëtarët e UÇK-së. Arrestimi i tij në Francë sot është lajmi i parë në median e Kosovës, Shqipërisë, por edhe në median e Ballkanit. Madje edhe në Francë është një nga lajmet e rëndësishme. Shfrytëzoj rastin që ta nisim këtë bisedë pikërisht me ngjarjen më të rëndësishme dhe ngjarjen më të fundit. Cili është komenti juaj për këtë arrestim? Me argumente nga më të ndryshmet janë diskutuar sot sidomos në rrjetet sociale një absurditet me atë që ka ndodhur në Francë një shtet dhe një vend që jo vetëm e ka njohur Kosovën dhe jo vetëm ka një nivel demokracie dhe shtetformimi të lartë, por ka arritur të shprehë një habi me atë që ka ndodhur me arrestimin e Ramush Haradinajt.

Presidenti Nishani: Jam ndier pa dyshim i keqardhur nga kjo ngjarje krejt e pajustifikuar. Më së pari dua t’i çoj solidaritetin dhe të gjithë qytetarëve të Shqipërisë zotit Haradinaj, familjes së tij, qytetarëve të Kosovës. Zoti Haradinaj është një luftëtar i lirisë, është një kontributor shumë i veçantë për proceset e mëtejshme të paqes dhe të stabilitetit në Kosovë, dhe për shkak të Kosovës dhe të rajonit tonë është tërësisht i pajustifikuar, sepse zoti Haradinaj është gjetur ligjërisht i pafajshëm për të gjitha akuzat e ngritura kundër tij nga Gjykata Ndërkombëtare, nga institucionet më të larta të drejtësisë ndërkombëtare. Është paraqitur me vullnetin e tij të plotë para Gjykatës së Hagës. Është hetuar, është gjykuar dhe është deklaruar i pafajshëm. Jam i bindur që kjo ngjarje e pajustifikuar do të zgjidhet gjithsesi në favor të së drejtës së tij morale dhe ligjore në radhë të parë, por dhe të Kosovës si një shtet i pavarur. Nuk mundet të besoj që shtetet që e kanë njohur Kosovën, ku është edhe Franca, të marrin në konsiderata proceduralisht akte që një vend tjetër si Serbia i nxjerr në dëm të qytetarëve jo shtetas të Serbisë, por shtetas të një vendi tjetër që është Republika e Kosovës, e cila është njohur nga Franca dhe për veprimtari të supozuara të kryera jo në territorin e Serbisë, por në territorin e Republikës së Kosovës, pra të një vendi tjetër. Nga pikëpamja procedurale për mua është e pajustifikuar. Edhe një herë e përsëris që zoti Haradinaj është gjykuar dhe është gjetur i pafajshëm tërësisht nga të gjitha akuzat e ngritura ndaj tij. Ajo që më ka bërë të ndihem i keqardhur gjithashtu është deklarata e sotme e Kryeministrit të Serbisë, deklaratë e cila nxit urrejtjen dhe konfliktin. Gjatë vitit të kaluar për fatin e keq kam konstatuar që Serbia ka intensifikuar një marrëdhënie konfliktuale me vende të ndryshme të rajonit tonë ka demonstruar nxitje të konfliktualitetit me Kroacinë më pas ka eskaluar kjo sjellje konfliktualiteti me Malin e Zi dhe sot me shqiptarët. Unë mendoj që koha e hegjemonisë serbe mbi vendet e tjera të rajonit ka kaluar njëherë e përgjithmonë. Unë besoj që koha e masakrave, genocidit dhe dhunës së Serbisë mbi popujt e tjerë të rajonit ka mbaruar njëherë e përgjithmonë. Ne duam të jetojmë në paqe, stabilitet dhe unë mendoj që edhe Serbia duhet të mësohet dhe të pranojë të jetojë në paqe dhe stabilitet. Ngjarje apo deklarata të tilla që nxisin konfliktualitetin dhe kthejnë reminishencat e një dekade të kaluar që ishte dekada më e keqe e rajonit, popujve dhe vendeve të Ballkanit, por dhe si kërcënim për sigurinë edhe për vende të tjera të rajonit tonë. Unë mendoj që nuk i shërben asnjë vendi, nuk i shërben asnjë populli prandaj them që ka ardhur koha që të pranojmë të gjithë standardin e paqes, standardin e të jetuarit bashkarisht në komunikim normal ndaj jam i bindur që ajo çka është arritur deri më sot në rajonin e Ballkanit dhe është një arritje e cila ka pasur kosto të mëdha, sakrifica të mëdha, jetë njerëzish, shkatërrime dhe sot kemi arritur në një situatë të cilën mund të shfrytëzojmë si shanse të zhvillimit të mëtejshëm në kontekstin pozitiv. Ajo nuk duhet cënuar përkundrazi duhet mbrojtur, duhet ruajtur dhe duhet pasuruar më tej.

Gazetari: Nxorët për mendimin tim dy probleme Zoti President. E para, a duhet të vazhdojnë bisedimet midis Kosovës dhe Serbisë pa një kusht, këtë që ju thatë?

Presidenti Nishani: Shqiptarët e Kosovës kanë deklaruar vazhdimisht që  janë tërësisht të gatshëm për vazhdimin e bisedimeve dhe kanë qenë mbështetës dhe kontributorë të rëndësishëm të këtyre bisedimeve, të mbështetura fuqimisht dhe të garantuara nga Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Mesa duket në Serbi ka qarqe të caktuara të fuqishme vendimmarrëse, të cilat nuk janë në favor të vijimit të dialogut dhe të bisedimeve, por cënimi i dialogut dhe i bisedimeve midis Serbisë dhe Kosovës do të japin pakte negative në tërësi në rajon edhe në vende e në shtete të tjera në raportin e besueshmërisë së partneritetit dhe angazhimit në projekte madhore siç është projekti i integrimit evropian, siç janë projektet e pajtimit.

Gazetari: A duhet t’i vërë Kosova kusht Serbisë, fjala vjen për rastin Haradinaj që të mos ketë persona të tillë në kërkim kur edhe Gjykata Ndërkombëtare e Hagës e ka dhënë vendimin?

Presidenti Nishani: Patjetër që Kosova dhe autoritetet e shtetit të Kosovës duhet që të përcaktojnë qartë agjendën e vijimit të bisedimeve edhe të kontakteve, por ajo është një çështje që u takon institucioneve të Kosovës. Ajo që unë si President i Republikës së Shqipërisë dhe qytetar i këtij vendi me konfirmimin e vizionit të shqiptarëve për të jetuar në paqe, për të jetuar në komunikim me njëri-tjetrin, për të jetuar në mirëbesim me njëri-tjetrin, nënvizoj dhe njëherë faktin që ky orientim i shqiptarëve, ky përcaktim i shqiptarëve duhet patjetër që të marrë një reagim edhe nga Serbia. Nëse Serbia i fryn konfliktualitetit me Kroacinë, i fryn konfliktualitetit me boshnjakët, i fryn konfliktualitetit me malazezët, i fryn konfliktualitetit me shqiptarët atëherë ne duhet që të shqetësohemi dhe duhet me çdo kusht t’i kërkojmë Serbisë që edhe ajo të mësojë të jetojë dhe të pranojë të jetojë në paqe.

Gazetari: A ka prapavijë ruse arrestimi i Haradinajt Zoti President?

Presidenti Nishani: Unë nuk mund të them se nuk kam informacione të detajuara rreth kësaj situate, por padyshim që rajoni i Ballkanit si një rajon shumë i rëndësishëm në kuptimin gjeostrategjik për sigurinë e Evropës mbetet një rajon gjithmonë target, qendër, objektiv i aktorëve të cilët dëshirojnë që duke destabilizuar rajonin e Ballkanit, duke nxitur konfliktualitete dhe përplasje që vijnë në mënyrë të kollajshme nga urrejtja e së shkuarës nëse ajo nxitet dhe promovohet patjetër që jep një impakt negativ në tërësi në kontinentin evropian dhe në hapësirën evropiane. Ndaj unë mendoj që autoritet franceze dhe Franca, e cila ka një kontribut të jashtëzakonshëm në paqen, në stabilitetin e rajonit të Ballkanit, një kontribut të pazëvendësueshëm. Jam i bindur që do vazhdojë ta japë këtë kontribut në gjithë dimensionet e një vendi të madh, një vendi të fuqishëm të Bashkimit Evropian, një vendi lider të Bashkimit Evropian siç është Franca dhe me angazhimet e saj në interes të paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.

Gazetari: Zoti President, vijojmë rrjedhën normale. Mbushen pesë vjet nga puna juaj, detyra juaj e lartë si Kreu i shtetit, si President i 9-të i Republikës së Shqipërisë. Pyetja ime është, po unë do bëj pyetjen dhe më pas do t’ju dëgjoj juve si kanë qenë këto 5 vite? Para se të dëgjojmë përgjigjen tuaj unë kam përgatitur një insert me 50 momentet më të rëndësishme që kanë shënuar presidencën tuaj nga viti 2013 që morët detyrën dhe sot në vitin 2017. Ta ndjekim pjesën e parë të insertit dhe kthehemi në studio.

Inserti

50 ngjarjet më të rëndësishme që kanë shënuar Presidencën e Bujar Nishanit:

1) 12 qershor 2012 – me 73 vota pro, 1 kundër dhe 2 vota të pavlefshme Parlamenti zgjedh Bujar Nishanin Presidentin e 9-të në historinë e Shqipërisë.

2) 24 korrik 2012 – në një ceremoni zyrtare shtetërore Bujar Nishani merr detyrë n e Presidentit të Republikës nga paraardhësi i tij Bamir Topi.

3) 24 shtator 2012 – Presidenti Bujar Nishani mban fjalim në selinë e OKB-së në Nju-Jork. Ai deklaroi se Shqipë ria do të mbështesë vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare.

4) 28 nëntor 2012 – Presidenti Bujar Nishani mban fjalim në Vlorë në 100-vjetorin e Pavarësisë. Ai deklaron se flamuri ynë nuk i priu asnjë sulmi apo shkatërrimi.

5) 5 dhjetor 2012 – Presidenti Nishani merr pjesë në takimin e katërt të Presidentëve rajonalë në Budva të Malit të Zi. Ai deklaroi se e ardhmja e Ballkanit është në Evropë.

6) 26 janar 2013 – Sekretarja e Shtetit Hillary Clinton falënderon Presidentin Nishani në një mesazh të dërguar në emër të tij për vlerësimin që Ai i bëri me Urdhrin e Flamurit Kombëtar gjatë vizitës në Tiranë.

7) 29 maj 2013 – me propozim të Ministrit të Mbrojtjes Arben Imami, Presidenti Nishani shkarkon tre gjeneralët e ushtrisë; Zv/Shefin e Shtabit Sandër Lleshi, Komandantin e Forcave Ajrore Dhori Spirollari, dhe Komandantin e Mbështetjes Rajonale Abaz Lleshi. Kjo solli një debat të ashpër me gjeneralët, por dhe me PS-në në opozitë.

8) 9 gusht 2012 – Presidenti Nishani dekreton lirimin nga detyra të Kreut të SHISH, Bahri Shaqiri dhe emërimin e Visho Ajazi Likës në vend të tij pas propozimit të Kryeministrit Berisha. Partia Socialiste akuzoi Nishanin se po kthehet në vasal të Kryeministrit që e zgjodhi.

9) 29 gusht 2012 – Presidenti Nishani kryen në Kosovë vizitën e parë jashtë Shqipërisë. Për tre ditë Ai kreu takime me përfaqësues të lartë të shtetit. Gjatë vizitës Nishani deklaroi se heqja e mbikqyrjes së pavarësisë së Kosovës do të hapë rrugë të reja për vendin.

10) 17 gusht 2013 – Presidenti Bujar Nishani shpallet Qytetar Nderi i Libohovës. Në fjalën e tij Nishani u shpreh krenar për të parët e tij nga kjo qytezë .

11) 23 shtator 2013 – Presidenti Nishani merr pjesë në Konferencën Nisma Globale Clinton 2013 në SHBA. I ftuar nga ish-Presidenti Bill Clinton Nishani zhvilloi dhe takime zyrtare në Uashington, por dhe me komunitetin shqiptar në Detroit, Çikago dhe Nju-Jork.

12) 3 shkurt 2014 – Presidenti Nishani merr pjesë në Mëngjesin e Lutjes në Uashington. Ai u takua me Sekretarin e Shtetit John Kerry si dhe me kongresmenë dhe senatorë.

13) 12 mars 2014 – Në cilësinë e Komandantit të Përgjithshëm të FA-së, Presidenti Nishani nuk firmos planin e përhapjes dhe vendosjes së FA. Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli deklaroi se Presidenti po e pengonte në këtë procedurë.

14) 12 mars 2014 – Presidenti Nishani mbledh KSK-në dhe deklaron se duhet një strategji afatgjatë lidhur me planin e përhapjes të FA-ve.

15) 26 mars 2014 – Në një deklaratë për shtyp Presidenti Nishani tha se urdhri i Ministres së Mbrojtjes Mimi Kodheli për kthimin në atdhe të Kundëradmiralit Kristaq Gërvenji si përfaqësues ushtarak në NATO është i padrejtë derisa ai nuk e ka dekretuar.

16) 7 maj 2014 – Presidenti Nishani akuzoi qeverinë tek disa ambasadorë të NATO-s në Tiranë se me ndryshimet që u kanë bërë ligjeve kërkojnë të kufizojë kompetencat e Presidentit të Republikës sidomos për ligjin e FA-ve.

17) 5 qershor 2014 – gjatë vizitës në Poloni në ceremoninë e 25-vjetorit të fitores së demokracisë, Presidenti Bujar Nishani takoi dhe Presidentin e SHBA-ve Barack Obama.

18) 25 qershor 2014 – gjatë pjesëmarrjes në Samitin e Krerëve të Shteteve të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Jugore në Bukuresht, Presidenti Nishani deklaroi se roli i Shqipërisë në rajon do të jetë konstruktiv siç ka qenë gjithmonë.

19) 30 korrik 2014 – Gjykata Kushtetuese rrëzon ankimin e Presidentit Nishani për shkarkimin nga detyra të Zana Xhukës, Kryetare e ILDKP nga mazhoranca e majtë. Në vend të saj u zgjodh Shkëlqim Gani.

20) 11 gusht 2014 – Presidenti Nishani organizon një takim konsultativ me përfaqësues të shoqërisë civile dhe medias për strategjinë e sigurisë kombëtare.

21) 14 shtator 2014 – Kryeministri Rama takon në Presidencë Kreun e Shtetit Bujar Nishani pas arrestimit të Guvernatorit Ardjan Fullani dhe vjedhjes së 713 milionë lekëve të rinjë në Bankë.

22) 21 shtator 2014 – Presidenti Nishani pret në një takim të veçantë në Presidencë Papa Françeskun në vizitën e tij në Tiranë. Fjalimi i tij cilësohet nga më mbresëlënësit.

23) 2015 – Presidenti Nishani hedh poshtë deklaratën e Qeverisë sipas së cilës SHISH nuk kishte njoftuar lidhur me një seri atentatesh me tritol në të gjithë vendin.

24) 2015 – Presidenti Nishani rrëzon 5 dekretet si propozim nga qeveria për emërime në Gjykatën e Lartë. Sipas Nishanit nuk ishte respektuar procedura e përzgjedhjes.

25) 5 shkurt 2015 – Presidenti Nishani nuk dekreton emërimin e Visar Zhitit si ambasador në Vatikan të propozuar nga Kryeministri Rama me arsyetimin se nuk ishte konsultuar më parë.

Gazetari: Zoti President kur keni marrë detyrën ishit 45 vjeç. Pak muaj më parë mbarimit të mandatit tuaj jeni 50 vjeç. Si kanë qenë këto 5 vite në Presidencë?

Presidenti Nishani: Unë besoj që për këdo që është në këtë moshë, që është mosha kulmore e energjive për kontribut e një eksperiencë të konsoliduar vetë rrethanat ta imponojnë dinamikën shumë të madhe. Nga ana tjetër, fakti që je në zyrën e Presidentit të Republikës e shton akoma më shumë mundësinë e dinamizmit të aktivitetit, përfshirjes. Besoj që ka qenë eksperincë tjetër shumë e madhe krahas eksperiencave të mëparshme që unë kam pasur mundësinë të kem në jetën time deri më tash, por ka qenë një mundësi mbi të gjitha për të shërbyer. Jam përpjekur të ofroj shërbimin përmes institucionit ndaj vendit, shoqërisë në mënyrën, stilin në formën, metodën që unë kam menduar të ishte më e mira e mundshme. Se sa e kam arritur atë është e vështirë për mua ta gjykoj dhe ndoshta dhe sot është shpejtë për të gjykuar jo në kontekstin se kemi bërë gjëra të mëdha. Nuk ëshë e domosdoshme gjithmonë të synosh të bësh gjëra të mëdha. Madje-madje Presidenti i Republikës në një republikë parlamentare siç është Shqipëria mund të mos ketë aktivitet dinamik shumë të madh, mund t’i duhet vendit, shoqërisë, institucioneve në një moment të veçantë, moment delikat krizash politike, apo të tjera për vendin. Por, unë jam përpjekur që ta çoj Institucionin e Presidentit të Republikës sa më shumë afër qytetarëve. Ka qenë një nga prioritetet e mia lëvizja, dalja nga zyra, pjesëmarrja në evenimente lokale. Institucioni i Presidentit të Republikës nuk është vetëm për të qenë i angazhuar në nivelin protokollar si Kreu i Shtetit në nivel kombëtar, por ne duhet të krijojmë mënyrën, kulturën, standardin që institucionet shtetërore dhe njerëzit që kanë fatin e madh të përfaqësojnë këto institucione, t’i afrojnë këto institucione sa më afër njerëzve. Unë besoj që është kjo që e kërkojnë dhe rrethanat e kohës, e kërkojnë gjithmonë e më shumë. Po të shikojmë në tërësi reagimet që kanë shoqëritë e ndryshme, qytetarët me establishmentet politike kudo, edhe në vendet me demokraci shumë të konsoliduara tregon për një diferencë të madhe që është krijuar në kontekstin midis establishmentit dhe qytetarit, midis individit përfaqësues dhe atyre që e kanë deleguar përfaqësimin. Për mua ka qenë shumë e rëndësishme që të ruaj standardin komunikativ me qytetarët patjetër ti je shumë i privilegjuar, sepse merr respekt të madh kur shkon midis qytetarëve dhe ka qenë një nga prioritetet e mia. Unë mendoj se nëse do të kasha vërtet një fond me të cilin mund të prezantohesha do të desha që fondi kryesor të ishte ai i cili ka të bëjë me komunikimin me qytetarin e thjeshtë.

Gazetari: Kjo është arritja më e madhe e juaja në këto 5 vite?

Presidenti Nishani: Thashë është e vështirë, është shumë subjektive që njeriu të bëjë vlerësimin e vetvetes, madje shpesh herë dhe vlerësimet e aktorëve të jashtëm kanë subjektivitet në një dozë të lartë kur je ende në detyrë.

Gazetari: Kjo nuk na ndalon që ta bëjmë.

Presidenti Nishani: Jo, absolutisht. Por, unë po e them që ka qenë një nga momentet e mia të rëndësishme dhe ka qenë prioritet i punës sime dhe angazhimit tim që Institucioni i Presidentit të Republikës, i cili shpeshherë perceptohej si një bunker i mbyllur pas mureve të larta të Presidencës, pas ndërtesës gri, etj., etj., zyrës së rrethuar nga këshilltarët, atyre deklaratave herë-herë shumë formale në momente të caktuara. Presidenti i Republikës pa e degraduar në një sjellje populiste të panevojshme…

Gazetari: Një e mesme e artë.

Presidenti Nishani: …por të jesh një njeri normal në komunikim duke çuar fytyrën e Intitucionit të Presidentit të Republikës, duke çuar shpirtin e Institucionit të Presidentit të Republikës, dëshirën, vullnetin, atmosferën në mënyrën më të lehtë dhe më të thjeshtë të mudshme tek qytetarët. Unë këtë jam përpjekur ta bëj, kam shëtitur komunat, fshatrat, qytetet e Shqipërisë nga veriu në jug dhe nga lindja në perëndim dhe do të vazhdojë ta bëj deri në ditën e fundit që do të jem në zyrën e Presidentit të Republikës.

Gazetari: Cili ka qenë momenti më i vështirë në këto 5 vite zoti President?

Presidenti Nishani: T’ju them të drejtën më mënyrë shumë të sinqertë, nuk është se kam të evidentuar një moment të vështirë.

Gazetari: Me fat keni qenë se nuk ka pasur kriza politike.

Presidenti Nishani: E quaj fat patjetër. E quaj fat për një President gjatë kohës së qëndrimit në zyrë, sepse një moment i vështirë për Presidentin e Republikës në zyrë do të thotë krizë e fortë institucionale, politike në vend ose rastet e emergjencave të mëdha në nivelin kombëtar.

Gazetari: Po momenti më i lumtur, më i mirë, më i gëzuar dhe më rezultativ për ju, ndoshta nuk lidhet vetëm me Ju dhe me Institucionin e Presidentit, pra edhe për kombin, sepse ju jeni simbol i kombit.

Presidenti Nishani: Do të vendosja në prioritetin top të listimit të shumë gjërave që kam pasur fatin të shijojë dhe të ndeshem dhe të përjetoj ka qenë pa dyshim 100-vjetori i Pavarësisë. E kam quajtur veten me shumë fat që më qëlloi mua të isha Kreu i Shtetit shqiptar në 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Isha me shumë fat që duke qenë Kreu i Shtetit në 100-vjetorin e Pavarësisë të mbaja fjalimin inaugural në sheshin e pavarësisë në Vlorë në emër të shtetit shqiptar drejtuar kombit dhe besoj që atë që kam ndjerë unë ato çaste do mund ta ndiejë Presidenti i 200-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Kështu që unë mendoj që kam qenë me fat dhe ka qenë një moment jo vetëm i paharrueshëm, por edhe krenarie dhe inspirimi shumë i madh.

Gazetari: Shumë interesante kjo. Zoti President për ta mbyllur pjesën e parë, a keni bërë ndonjë gabim që ju sot mund ta ndani, mund ta thoni?

Presidenti Nishani: Pa diskutim, jo një, por mund të kem bërë shumë gabime por të gjitha ju garantoj dhe ju siguroj që kanë qenë ndoshta për shkak të rrethanave, asnjëherë me paramendim, asnjëherë me dashakeqësi dhe asnjëherë në interes të raportit ku të prevalonte personi në krahasim me interesit, kurrë. Mund të ketë pasur dhe ka pasur, por gjithsesi.

Gazetari: A mund të na e tregoni? Cili ka qenë ky gabim?

Presidenti Nishani: Ndoshta koha e reflektimit për gabime do të jetë pak më vonë për mua. Ndoshta disa emërime, disa propozime që janë bërë për persona në sistemin e drejtësisë kryesisht në Gjykatën Kushtetuese ndoshta.

Gazetari: Keni bërë gabim.

Presidenti Nishani: Mundet. Ose në shërbimin diplomatik.

Gazetari: Ambasadorë?

Presidenti Nishani: Ambasadorë.

Gazetari: Ambasador ku?

Presidenti Nishani: Kjo nuk ka rëndësi.

Gazetari: Disa ambasadorë?

Presidenti Nishani: Nuk mund t’i numëroj tani.

Gazetari: Pse i quani gabim?

Presidenti Nishani: Sepse kam konstatuar më pas që kam qenë i gabuar në gjykimin tim për mënyrën se si do t’i përmbushte i emëruari përkatës detyrat dhe përgjegjësitë ndaj vendit.

Gazetari: Keni qenë i gabuar për ata anëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe ambasadorëve, sepse ashtu ua kanë referuar apo ju krijuat perceptimin?

Presidenti Nishani: Unë nuk e përjashtoj përgjegjësinë time në vendimet që kanë qenë të miat pa dyshim të gjitha rastet vijën nga rethana të caktuara, vijnë raporte që lidhen edhe me institucione të tjera, por unë nuk mund ta përjashtoj veten përsa kohë jam unë vendimmarrësi përfundimtar.

Gazetari: Këta ju kanë zhgënjyer ju?

Presidenti Nishani: Po flas për gjykimin tim dhe unë përfaqësoj Institucionin, por në fund të fundit është gjykimi individual.

Gazetari: Dhe ky gjykim është shumë i rëndësishëm Zoti President, sepse është gjykimi juaj?

Presidenti Nishani: Patjetër dhe kjo vjen në formë reflektimi.

Gazetari: Zhgënjimi që ka ardhur prej tyre është se nuk kanë qenë në lartësinë e detyrës? Janë përfshirë në skandale?

Presidenti Nishani: Pritshmëria ka qenë tjetër. Nuk bëhet fjalë për përfshirje në skandale, jo absolutisht. Por, besimi që kam pasur unë ka qenë shumë i madh, kam besuar më shumë nga ç’duhet të besoja dhe duhet të kisha qenë më eksplorues, më kërkues në integritetin dhe përmbajtjen e tyre për të pasur ndoshta një vlerësim më ndryshe.

Gazetari: Interesante kjo Zoti President që ju pranoni vetë gabimin për një vendim.

Presidenti Nishani: Janë absolutisht gjëra njerëzore dhe përderisa nuk janë për shkaqe që unë thashë që vendoset interesi yt mbi të vendit që kurrë nuk ka qenë, gjithmonë kam menduar për interesin e vendit, por kurrë nuk mund të qëllosh në pozitivitet 100%.

Gazetari: Mbyllim këtë pjesë të parë Zoti President.

Inserti

26) 23 mars 2015 – gjatë vizitës në Malin e Zi Presidenti Bujar Nishani deklaroi se marrëdhëniet mes dy vendeve janë model në Ballkan për fqinjësinë e mirë.

27) 26 maj 2015 – gjatë Samitit të Krerëve të Shteteve dhe Qeverive të SEECP që u mbajt në Tiranë Presidenti Bujar Nishani deklaroi se bashkëpunimi rajonal është shtylla e paqes.

28) 8 prill 2015 – gjatë vizitës në Kalabri, Presidenti Nishani shprehu mirënjohjen për të gjithë arbëreshët që kanë mbajtur gjallë kulturën dhe gjuhën shqipe.

29) 13 qershor 2015 – gjatë vizitës në arkivat e Stasit në Berlin, Presidenti Bujar Nishani deklaron se çështjet që harrohen mund të përsëriten.

30) 17 tetor 2015 – Presidenti Nishani nuk dekreton emërimin e 4 prokurëve në krye të një strukture që do të hetojë korrupsionin duke nënkuptuar se marrëdhëniet e tij me Prokurorin e Përgjithshëm Adriatik Llalla nuk janë normale.

31) 14 shkurt 2016 – Gjatë pritjes në Aeroportin e Rinasit të Sekretarit të Shtetit John Kerry, Presidenti Nishani i kërkoi Kryeministrit Rama të tërheqë deklaratën fyese sipas së cilës Nishani dukej si “shef protokolli”.

32) 2016 – Kryetari i Komisionit Parlamentar të Sigurisë Spartak Braho i ka dërguar Ministres së Mbrojtjes Mimi Kodheli ndëshkimin e Gjeneral Brigade Piro Ahmetaj, këshilltar i Presidentit Bujar Nishani lidhur me deklaratën e tij kundër Komisionit duke i cilësuar anëtarët e tij sigurimsa dhe bandit. Pas disa javësh Ahmetaj kërkoi dorëheqjen dhe Presidenti e firmosi, por më pas ai sërish u emërua këshilltar i Presidentit.

33) 13 prill 2016 – Presidenti Nishani takon në zonën e Liqenit Artificial të Tiranës përfaqësues të shoqërisë civile dhe deklarohet kundër ndërtimit të këndit të lojërave duke e cilësuar vandalizëm prerjen e pemëve.

34) 10 maj 2016 – gjatë vizitës zyrtare në Kroaci Presidenti Nishani deklaroi se bashkëpunimi ekonomik mes Kroacisë dhe Shqipërisë është ende larg pritshmërive prandaj duhet të gjenden rrugë për mundësi të reja.

35) 12 maj 2016 – Presidenti Nishani në një konferencë për shtyp iu përgjigjet akuzave të Kryetarit të Bashkisë duke e cilësuar veprim antishtet protestën e mbështetësve të tij pranë Gjykatës së Apelit.

36) 13 maj 2016 – Presidenti Nishani i jep shkrimtarit Ismail Kadare Dekoratën e lartë të “Flamurit Kombëtar” duke e cilësuar atë jo vetëm vlerë kombëtare, por dhe botërore.

37) 19 maj 2016 – pas akuzave të Kryeministit Rama në seancën parlamentare Presidenti Nishani reagoi duke e cilësuar sulm ordiner dhe shpifës ndaj Presidentit të Republikës dhe se Rama kërkon të marrë Presidencën.

38) 29 qershor 2016 – Presidenti Nishani dekoron me “Dekoratën e lartë të Shqiponjës” Shërbimin Informativ Shtetëror për punën e bërë për 25 vjet për sigurinë kombëtare dhe luftën ndaj terrorizmit.

39) 6 shtator 2016 – Presidenti Nishani merr pjesë në ceremoninë e Shenjtërimit të Nënë Terezës në Vatikan. Ai deklaron se kjo ceremoni mbetet memoria e jetës së tij.

40) 27 shtator 2016 – Gjatë vizitës në SHBA, Presidenti Nishani takohet me Presidentin Barack Obama dhe Zonjën e Parë, Mishel Obama.

41) 3 tetor 2016 – Presidenti Nishani pret Presidentin e ri të Kosovës Hashim Thaçi duke vlerësuar kontributin e tij në shtetformimin e Kosovës.

42) 23 tetor 2016 – Presidenti Nishani dekoron 67 banorë të Lushnjes të pushkatuar gjatë Luftës së Dytë Botërore nga Mehmet Shehu për faktin se ishin ballistë. Kjo solli debat të fortë nga forcat e majta duke e cilësuar provokim për të injoruar luftën e partizanëve.

43) 1 nëntor 2016 – Presidenti Bujar Nishani nderohet si “Nderi i Qarkut të Shkodrës” me motivacionin e vlerave të larta dhe integritet dhe kontribut për paqen sociale.

44) 7 nëntor 2016 – Presidenti Nishani refuzon kërkesën e Kryeministrit Rama për një mandat të dytë të Jeronim Bazos si Shef i Shtabit të Përgjithshëm. Në arsyetimin e tij Nishani ka shkruar se Bazo nuk raportoi asnjëherë në tre vitet në krye të Shtabit.

45) 2016 – Presidenti Nishani nuk dekreton Ligjin e mbetjeve urbane. Në një takim me shoqërinë civile, Ai e cilësoi atë si një ligj jo në të mirë të Shqipërisë.

46) 11 nëntor 2016 – Presidenti Nishani mbledh KSK-në lidhur me përmasat e mëdha që ka marrë kultivimi i kanabisit. Kryeministri Rama nuk mori pjesë ndërkohë që e kishte quajtur absurd këtë mbledhje.

47) 7 dhjetor 2016 – Presidenti Nishani takon Drejtorin e CIA-s John Brenon në një vizitë të tij në Tiranë. Një nga temat e diskutuara ka qenë lufta ndaj terrorizmit.

48) 18 nëntor 2016 – Presidenti Nishani refuzon të marrë pjesë në Samitin e Diasporës e organizuar nga Kryeministri Rama. Ai e ka shpjeguar këtë, se ishte i ftuar si të ishte pjesë e diasporës dhe jo Kreu i Shtetit.

49) 20 dhjetor 2016 – gjatë takimit me homologut Rexhep Tayyip Erdogan gjatë vizitës në Turqi, Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani falënderoi për ndihmën dhe mbështetjen për modernizimin e ushtrisë dhe policisë shqiptare.

50) 29 dhjetor 2016 – Presidenti Nishani në një darkë zyrtare në Hotel Rogner dekoron rreth 20 artistë, krijues dhe shkrimtarë me urdhra të ndryshëm.

Gazetari: Zoti President, gjatë 5 viteve të tuaja në detyrën e lartë të Kreut të Shtetit keni punuar me dy kryeministra, dy qeveri; me zotin Berisha dhe zotin Rama. Si ka qenë të punoje me zotin Berisha dhe zotin Rama?

Presidenti Nishani: Në të vërtetë me zotin Berisha koha e punës ka qenë shumë e shkurtër dhe nuk mund të them që ka një eksperiencë në raportin unë President dhe zoti Berisha Kryeministër. Ka qenë gati 1 vit e pak, por të kemi parasysh që ishte fushata elektorale kështu që Presidenti gjatë fushatës nuk kishte ndonjë komunikim apo aktivitet intensiv me qeverinë. Pas fushatës elektorale rezultati i zgjedhjeve përcaktoi një mazhorancë tjetër që do të vinte në zyrë. Por ajo që më ka lënë mbresa mund të them që ka qenë një moment shumë serioz dhe i përgjegjshëm dhe mirëkuptues në procesin e trasnferimit të pushteteve nga qeveria e zotit Berisha që ishte qeveri në ikje dhe me qeverinë e re të zotit Rama që ishte një qeveri që po vinte. Jam munduar të jap sinjale që pavarësisht ndryshimit të qeverive, se ishte evidente ndryshimi i qeverive që do të ndodhte, shteti funksionon, shteti ka kolonat e tij. Qeveritë mund të ndërrohen, mund të vijnë e ikin mazhorancat, por kolonat e shtetit janë kolona të pacënueshme dhe ne duhet të kemi garanci nga mekanizmat dhe kolonat e shtetit, krysisht shtetit ligjor. Mund të them që ajo periudhë ka qenë një eksperiencë shumë interesante për mua dhe mund të vlerësoj pjesën e qeverisë së zotit Berisha që u tregua mjaft serioze në transferimin e pushtetit tek qeveria që po vinte dhe Presidenti luajti një rol të rëndësishëm në këtë sens. Me zotin Rama pa dyshim që ka qenë një periudhë shumë intensive, por një periudhë që është përcjellë në publik edhe me një frymë të debatit dhe mospëlqimit patjetër, çka normalisht duhet të ishte një pjesë që duhet ta kishte lënë pas kultura jonë politike. Pëlqyshmëria individuale apo pëlqyshmëria politike është një çështje që nuk duhet ndërhyrë në marrëdhëniet ndërinstitucionale të dy institucioneve kaq të larta siç është Institucioni i Presidentit dhe i Qeverisë, por ka pasur shpeshherë dhe konfliktualitet publik të cilin unë jam munduar vazhdimisht t’i shmangem. Shmangia nuk do të thotë që unë të sqaroj opinionin publik edhe për akuza që herë-herë adresoheshin ndaj Presidentit sepse cenohej imazhi i vendit, i shtetit shqiptar. Mund të them që patjetër që ka eksperiencën e vet, një eksperiencë shumë të madhe edhe me qeverinë.

Gazetari: Zoti President, prapë unë këmbëngul. Si është të punosh me zotin Berisha, dhe si është të punosh me zotin Rama? Si kanë qenë të dy këta kryeministra, ku dallohen nga njëri-tjetri? Ju thatë që pak keni punuar me zotin Berisha, por të punosh një vit nuk është pak.

Presidenti Nishani: Më konkretisht dhe të detajuara do t’i shkruaj në librat e kujtimeve kur të dal në pension.

Gazetari: Keni mbajtur shënime?

Presidenti Nishani: Patjetër.

Gazetari: Dhe do të shkruani libër me kujtime?

Presidenti Nishani: Natyrisht. Është një jetë me shumë intensitet institucional, nuk mund të lihen të harrohen dhe të hidhet pas ngjarje, aktivitete, kujtime.

Gazetari: Jo të gjithë e kanë këtë. Berisha ka thënë nuk do shkruajë kurrë kujtime.

Presidenti Nishani: Unë nuk gjykoj askënd. Unë flas atë çka unë kam në projekte dhe në natyrën time, kulturën time politike dhe qytetare. Përsa i takon çështjes së qeverisjes dhe eksperiencave ka pasur momente shumë të rëndësishme dhe ka momente të komunikimit institucional në interes të vendit dhe shërbimeve ndaj vendit ashtu siç ka dhe raporte personale që gjithsesi nuk janë për t’u mburur.

Gazetari: Ju thatë, momenti i kalimit të pushteteve, por partia demokratike pati dhe një kalim tjetër, atë të dorëheqjes që Kryeministrit Berisha nga detyra, posti dhe mbajtja e kreut të Partisë Demokratike. Në cilësinë e një politikani që karrierën e vet politike e ka bërë në Partinë Demokratike si e keni përcjellë momentin kur zoti Berisha dha dorëheqjen nga drejtimi i PD-së.

Presidenti Nishani: Përgjigjen e ka dhënë vetë zoti Berisha dhe natyrisht ishte një akt civil, një akt politik që ndodh në demokracitë. Kur humbet besimin e shumicës, tërhiqesh nga lidershipi, i lë vendin një modeli të ri. Shqipëria ka hyrë tashmë në këtë model të këtyre demokracive. Zoti Nano ishte më parë sesa zoti Berisha, zoti Berisha gjithashtu. Kështu është cikli normal se si do të funksionojnë në demokraci. Zoti Berisha ka rol shumë të madh në Partinë Demokratike, por dhe në jetën institucionale politike të vendit pas diktaturës. Ishte një qëndrim dhe zgjedhje e zotit Berisha, qëndrim që vjen për shkak të rrethanave dhe respektit që ti iu bën standardeve të demokracisë.

Gazetari: Kryetari i PD-së u zgjodh z. Lulzim Basha. Natyrisht ju jeni President i Republikës dhe detyra juaj është që të mos ndërhyni në partitë politike, por jot ë mos keni kontakte dhe të mos keni biseda pune, lidhur dhe me aktivitete të tjera. Si e keni parë Lulzim Bashën në krye të Partisë Demokratike zoti President?

Presidenti Nishani: Ju keni të drejtë, por pavarësisht si President i Republikës, ti nuk përfshihesh institucionalisht as individualisht në komunikimet apo të influencosh jetën e partive politike. Është kategorikisht e ndaluar për Presidentin e Republikës, por interesin ti e ke gjithmonë sidomos kur bëhet fjalë për forca politike të tilla siç është PD apo PS apo LSI që janë forca të cilat kanë përgjegjësi qeverisëse për vendin. PD ka qenë në qeverisje, është në opozitë, është altërnativa e qeverisjes së ardhshme. PS dhe LSI janë në qeverisje, janë aktorë të rëndësishëm dhe përcaktues vendimmarrës që ndikon tek jeta e përditshme qytetarëve. Nuk mund ta përjashtosh të qenit i interesuar dhe ta ndjekësh me interes dhe me përgjegjësi për të parë, si do të jetë orientimi dhe ecuria e vendit se aty reflektohet, tek vendimmarësit apo jo. Në këtë kontekst dhe në këtë pikëpamje uën e kam vlerësuar dhe kam një ndjenë pozitive Partia Demokratike si alternativë qeverisëse e vendit, pra si një forcë kryesore solli në krye një personalitet si zoti Basha, i cili së pari ka kapacitetet intelektuale të një njeriu të shkolluar në perëndim, me mentalitet dhe mendësi mendjehapur, në moshë me dinamizëm, por me moshë që ka me goxha eksperiencë të akumuluar në çështjet e administrimit, menaxhimit dhe të qeverisjes dhe me një personalitet në gjykimin tim transmeton pozitivitet dhe unë mendoj që politikanët kanë nevojë që të jenë të tillë që të transmetojnë pozitivitet në përgjithësi tek opinioni, shoqëria për të relaksuar në tërësi ngërcet që sjellin sfidat, problematikat e ditës. Ne jemi një shoqëri, dhe jo vetëm ne, që kemi shumë problematika në jetën e përditshme të qytetarëve dhe shpeshherë shkojmë dhe në ngërçe sociale, kështu që politikanët që janë në vijën e parë, që janë atë që përcjellin pjesën vendimmarrëse dhe projeksionin e së ardhmes të vendit, duhet që të jenë individë që përcjellin këtë pozitivitet.

Gazetari: E ka zoti Basha këtë?

Presidenti Nishani: Unë mendoj që e ka dhe besoj që është një nga anët e tij më të forta përcjellja e këtij pozitiviteti dhe e kam gjykuar dhe mendoj që është vërtetë zgjedhja më e mirë që bëri Partia Demokratike. Pastaj i mbetet PD-së për të gjykuar në detaje.

Gazetari: Zoti Nishani, Ju keni qenë në strukturat e PD-së nga ata, le të themi, njerëzit më punëtorë në bazë. Keni qenë deputet, i zgjedhur në strukturat e njësive në Tiranë, ministër dy herë, rast unikal që Ministër i Brendshëm të riktheheni sërish, nuk ka një rast të dytë në historinë e Shqipërisë. Duke lënë mënjanë detyrën e Presidentit, a ka arritur Lulzim Basha të bashkojë të gjitha formacionet politike, personazhet politike, të vjetër, të rinj, të të gjitha brezave në PD për ta paraqitur atë parti si alternativë për një qeverisje në të ardhmen?

Presidenti Nishani: Kjo është një fushë ku nuk mund të ndërhyjë Presidenti i Republikës dhe përsa kohë do të jem President i Republikës ju garantoj që nuk do të ndërhyjë në gjykime dhe vlerësime të tilla as për zotin Basha, as për zotin Rama dhe as për zotin Meta, sepse ata janë tërësisht në sovranitetin e ekzekutimit të mandatit të tyre që kanë marrë nga anëtarësia e partisë që ata kanë. Dhe për zotin Basha nuk do të bëja asnjë përjashtim pavarësisht që ‘backgroundi’ im është i së djathtës, i qendrës dhe i PD-së. Bindjet e mia mbeten absolutisht ato konservatore-liberale dhe pa dyshim mbetem në këtë bindje time sidomos për Shqipërinë që e ka këtë eksperiencë vetëm në 25 vitet e fundit dhe kjo nuk e përjashton faktin që Shqipëria duhet të tregojë me çdo kusht një fytyrë sociale gjithashtu sepse ne jemi një shoqëri, një vend që kemi nevojë shumë për fytyrën sociale, angazhimin social, dimensionin social. Këto janë çështje që i takojnë partive politike. Unë i qëndroj asaj që thashë më parë që LSI kanë bërë zgjedhjen e duhur që kanë zgjedhur zotin Meta; PS ka bërë zgjedhjen e duhur që ka zgjedhur zotin Rama; dhe PD unë mendoj që ka bërë zgjedhjen e duhur që ka zgjedhur zotin Basha në krye të saj. I takon absolutisht establishmentit të këtyre partive politike për të gjykuar pastaj se si performojnë liderët e tyre.

Gazetari: Ka një gjë që Presidenti i Republikës e gjykon që ç’ke me të, është qeverisja. Si kanë qenë këto katër vitet e qeverisjes së majtë Zoti President?

Presidenti Nishani: Edhe për qeverisjen nuk është në fakt Presidenti i Republikës të jem i sinqertë. Janë qytetarët shqiptarë, dhe vetëm qytetarët shqiptarë e vlerësojnë. Analizën e përditshme e bën pushteti tjetër i rëndësishëm që është pushteti mediatik, i medias.

Gazetari: Zoti President mund të thoni që ne kemi një Shqipëri më të mirë apo më të keqe në këto katër vjet. A jetojmë më mirë?

Presidenti Nishani: Unë mund të them këtë që pa dyshim edhe si qytetar më shumë jo si President, si qytetar dhe do të jem shumë i rezervuar, shumë i limituar në këtë. Kur të mos jem President të jeni i sigurt që do të jem i gatshëm të elaboroj shumë e shumë gjëra më gjatë e më thellë. Si qytetar mund të them që kam parë shumë të mira të prezantura, ide të realizuara, të dështuara, situata për të cilat unë i kam vlerësuar, angazhime që i kam vlerësuar, disa reforma që i kam vlerësuar ashtu sic kam shprehur shqetësimet e mia për situata dhe realitete që janë negative dhe problematike.

Gazetari: Cila është pjesa më pozitive e qeverisjes Rama zoti President?

Presidenti Nishani: Ende është në detyrë një qeveri megjithatë ne duhet të jemi të drejtpërdrejtë dhe që unë e mbajta si moto që në fillim të fjalës sime, të bisedës sonë, për të qenë komunikativë, në mënyrë të drejtpërdrejtë. Patjetër që ka pasur një ambicie, dëshirë dhe një interes që t’i japë një frymë më dinamike jetës në vend kur erdhi fillimisht. Mua më ka pëlqyer dhe mendoj që ideja e rehabilitimit të qendrave të qyteteve ka qenë një ide shumë e mirë, shumë pozitive dhe ndoshta ishte koha për të hyrë në rehabilitimin e qendrave të qyteteve. Them që është një ide shumë e mirë, por që nuk është realizuar mirë, ndoshta për shkak të shpejtësisë dhe për shkak të marrjes, dominimit të racionalitetit të idesë nga emocioni politik. Mendoj që ishte e domosdoshme që nëse qeveria e mëparshme u fokusua kryesisht në infrastrukturën kombëtare të vendit në rrugët kombëtare që ishte një domosdoshmëri sepse Shqipëria ishte shumë e varfër në kuptimin e infrastrukturës. Ideja për të ndërhyrë në qendrat e qyteteve, për t’i kuruar ato mendoj që ishte në kohën e duhur, ishte momenti i duhur, por tashmë shikoj që kjo ide shumë e mirë, në gjykimin tim, nuk është realizuar siç unë e gjykova dhe mendova në kontekstin e asaj që duhej bërë.

Gazetari: Pjesa më e gabuar Zoti President?

Presidenti Nishani: Situata me kanabisin për mua është problematike dhe unë i kam dhënë zë disa herë këtij fenomeni. Shpesh herë është tentuar që të vishet me velin e sulmit, kontekstit, angazhimit politik.

Gazetari: Vërtet, Qeveria nuk e ka këtë problem, këtë shqetësim?

Presidenti Nishani: Është një lojë e humbur deri tani, por që është me pasoja shumë të mëdha për ne dhe me pasoja afatgjata.

Gazetari: Nuk e ka si shqetësim Kryeministri Rama?

Presidenti Nishani: Aq më keq nëse nuk e ka si shqetësim. Unë mendoj që duhet ta ketë shqetësim.

Gazetari: E ka shqetësim sipas jush?

Presidenti Nishani: Ajo varet sesi do të reagojë. Fakti që erdhëm në një situatë të papranueshme të përhapjes masive, të përfshirjes së strukturave të policisë, segmenteve të caktuara të policisë.

Gazetari: Jo të policisë. Kur themi të segmenteve në rregull, por jo të policisë Zoti President.

Presidenti Nishani: Të segmenteve të policisë, absolutisht nuk e kam dhe nuk do e përfshijë kurrë asnjë mekanizëm të shtetit shqiptar në fenomene negative. Thashë të segmenteve dhe individëve brenda radhëve të policisë dhe kjo është evidentuar, sepse kemi pasur arrestime nga vetë policia.

Gazetari: Fakti që i ka bërë policia do të thotë që vet policia nuk i mbështet.

Presidenti Nishani: Po flasim për segmente jo të parëndësishme të policisë. Janë informacione të cilat janë ndarë me autoritetet përkatëse. Janë bërë publike si shqetësime në Komisionin Parlamentar të Sigurisë. Situata me kanabisin për mua është një njollë vërtetë e cila kërkon vërtet një reagim të jashtëzakonshëm sidomos në vitin që ne kemi hyrë i cili është dhe një vit elektoral. Informacionet zyrtare janë që në vend ka hyrë gjatë kësaj periudhe një sasi shumë e madhe e farës së kanabisit prej disa tonësh. Institucionet e policisë duhet ta marrin me shumë seriozitet.

Gazetari: Kush e ka këtë informacion? E ka vetë policia?

Presidenti Nishani: Patjetër që duhet ta ketë.

Gazetari: Ju e keni informacion nga Shërbimi Informativ?

Presidenti Nishani: Unë e kam nga Shërbimi inteligjent, por atë inforacion që kam unë e ka dhe qeveria.

Gazetari: Ç’kuptim ka kjo disa tonë? Është përgatitur mbjellja masive?

Presidenti Nishani: Me siguri. Kur flasim disa tonë farë, është për t’u mbjellur se nuk është fara për t’u kalbur në magazina.

Gazetari: E kisha fjalën që e kanë mundësinë, sepse kur sillet fara e kanë mundësinë që ta përdorin domethënë që është lehtësisht. Kjo është e frikshme.

Presidenti Nishani: Krimi i organizuar, i cili është një nga shqetësimet tona më të mëdha dhe do të jetë një nga sfidat tona më të mëdha në të ardhmen shumë të afërt nuk njeh limite dhe investon para të pista për të përfituar dyfishin, trefishin apo pesëfishin e parasë po në rrugë të zezë, në rrugë kriminale dhe cikli i parasë që investohet me paranë që fitohet është një cikël i cili pastaj rrethon dhe përfshin, infekton shumë aktorë. Ju jeni një njeri me eksperiencë në çështjet e sigurisë, e njihni mirë fushën e sigurisë dhe e keni analizuar dhe e keni ndjekur. Ne jemi një vend i vogël, me institucione të brishta, jo shumë të konsoliduara, një shoqëri me një situatë ekonomike problematike, ende nuk kemi një klasë të mesme të konsoliduar e cila orienton shoqërinë në kontekstin e shoqërisë dhe duke qenë në këto paramentra, standarde krimi i organizuar që mund të fuqizohet me shumë shpejtësi bëhet dominues dhe orientues për gjithë shoqërinë dhe pastaj krimi stimulon korrupsionin, frikën, mungesën e kurajës, zëri qytetar dhe cenon stabilitetin dhe të ardhmen.

Gazetari: Çfarë nuk bëri kjo qeveri dhe polici që erdhëm deri këtu Zoti President?

Presidenti Nishani: Ajo mbetet për t’u analizuar nga vet strukturat. Unë nuk do t’i hyjë analizës së tyre. Unë i kam dhënë zë dhe do vazhdojë t’i jap zë shqetësimit të një realiteti që është evident. Problemi i kanabisit është një fenomen që ka marrë përmasa të jashtëzakonshme. Kemi pasur edhe më parë problem me . Kjo situatë, ky fenomen që ka marrë tani kurrë nuk ka qenë i përmasave të tilla.

Gazetari: Çfarë ndodhi?

Presidenti Nishani: Gazetarët mund të analizojnë shifrat, jo të institucioneve shqiptare. Le të analizojnë shifrat e autoriteteve policore italiane. Shifrat, arkiva është aty. Nëse në vitin 2008 sasia e kanabisit që sekuestrohej nga policia italiane ishte 1.8 ton në vit, tani janë disa tonë në javë. Kjo është mjaft për të kuptuar dhe parë se cfarë situate kemi. Nëse ne e fshehim dhe e mohojmë situatën unë mendoj që nuk i shërbejmë vendit. Ne jemi këtu për të identifikuar problemin dhe për t’u marrë me problemin dhe për ta goditur, kuruar dhe eleminuar të keqen. Kjo është një situatë që i kam dhënë zë dhe do të vazhdoj t’i japë zë sepse e shikoj në një aspekt të një prespektive shumë problematike. Çdo qeveri më pas do ta ketë shumë më të vështirë që ta shkulë si kulturë. Nëse kultura përhapet nga grupet e krimit të organizuar dhe bëhet masive tek qytetarët atje në fshatra, kjo më pas krijon një problem shumë të madh, mënyrën sesi do ta shkulësh, si kulturë, si mentalitet.

Gazetari: Zoti President qëkur keni marrë detyrën e deri më sot ju keni bërë dekretime për lënie dhe dhënie të nënshtetësisë. Dekreti i fundit ka qenë me numër 9906 dhe ju keni firmosur në fakt për këto 5 vjet për lënien e nënshtetësisë 1667 persona dhe dhënien e nënshtetësisë shqiptare të 1291 personave , pra me një llogari të thjeshtë në këtë 5 vite Zoti President Shqipëria ka më pak 366 nënshtetas së saj shqiptar . Është normal ky bilanc?

Presidenti Nishani: Edhe kanë lindur më shumë shqiptarë.

Gazetari: Unë s’kam futur vdekjet.

Presidenti Nishani: Ajo është një e drejtë dhe Presidenti nuk mund t’ia mohojë kërkujt të drejtën elementare. Çdo qytetar që plotëson kushtet e ligjit dhe që kërkon të lërë shtetësinë shqiptare është e drejtë fondamentale e tij dhe as Presidenti i Republikës dhe askush pa një arsye dhe shkak ligjor nuk mundet të mohojë këtë të drejtë. Kërkesa është personale është me vullnet është e argumentuar ligjërisht dhe çfarë ka ardhur nga Ministria e Brendshme. Janë të gjitha kërkesa që vijnë nga Ministria e Brendshme . Nuk janë që të themi një qëndrim apo akt vetëm i Presidentit të Republikës. Është një procedurë …

Gazetari: E kishit bërë vetë këtë bilanc, që janë më shumë nga ata që e kanë lënë…

Presidenti Nishani: Jo nuk e kam bërë se nuk e shikoj në këtë kontekst. E shikoj si një të drejtë që ti duhet t’u japësh atyre që e kërkojnë të drejtën e tyre.

Gazetari: Po e kuptoj, çdo njeri do të ishte entuziast për dhënie të nënshtetësisë. Se aty kishte edhe kinezë me kombësi të tjera. Por kur vjen ajo shkresa dhe duhet të hedhësh firmë për lënien e nënshtetësisë ke një lloj keqardhje.

Presidenti Nishani: Keqardhja është tjetër punë dhe lënia e të drejtës së pamohueshme për qytetarët është tjetër gjë.

Gazetari: Se kur shikoja një dekret me 45 emra në se gaboj nuk janë më shqiptarë më kap…

Presidenti Nishani: Unë besoj se ata shqiptarë mbeten. Ne sot jemi një botë shumë të globalizuar. Lëvizja e njeriut po bëhet një gjë e zakonshme edhe për ne shqiptarët. Nuk ka qënë e tillë por bota prej dekadash e ka këtë lëvizje, britanikët në Francë, francezët në vendet nordike, të tjerët…

Gazetari: Ne na dhëmb shumë Zoti President se jemi komb i vogël, shtet i vogël…

Presidenti Nishani: Unë do desha të rriteshim gjithmonë e më shumë si komb patjetër, por thashë që kjo është një çështje që i takon dimensionit të të drejtave dhe të lirive themelore të njeriut që nuk mund të mohosh. Patjetër që nuk ndihesh mirë, por kudo që shkojnë ata shqiptarë mbeten, unë jam i sigurt që ata shqiptarë mbeten dhe kam pasur rastin dhe fatin edhe ta provojë këtë. I kam takuar ata në të katërt anët e botës shqiptarët që janë larguar dhe kam parë që sa shumë ata ruajnë identitetin e tyre kombëtar.

Gazetari: Po nga këta që kanë lënë shtetësinë keni takuar…

Presidenti Nishani: Patjetër, të gjithë këta që janë nënshtetas të një vendi të caktuar janë shtetas që e kanë lënë nënshtetësinë shqiptare.

Gazetari: Zoti President, ju keni edhe cilësinë tjetër, nr. 2 po aq të rëndësishme si Komandant i Forcave të Armatosura . Pak javë më parë uën në këtë studio bëra një emision dhe përgatita një insert të cilin unë e shfaqa dhe dhjetë përplasjet që ju keni pasur për shkak të ushtrisë me Ministrinë e Mbrojtjes. Po i them shkurtimisht: Përplasja për godinën e SHQUP-it; përplasja për kthimin në atdhe të Atasheut tonë në NATO Kundëradmiral Kristaq Gërvenjit; nuk dekretoni për herë të dytë Shefin e Shtabit Jeronim Baze; nuk firmoset planin e hapjes së Forcave të Armatosura; nuk dekretuat Xhevdet Zenelin dhe gradën Gjeneral; deklarata juaj se Ministrja Kodheli po ju merr kompetencat si Komandant i Përgjithshëm; Kryetari i Komisionit të Sigurisë Spartak Braho kërkoi shkarkimin e këshilltarit tuaj Piro Ahmetaj sepse ai kishte etiketuar deputetët e Komisionit të Sigurisë si aigurimsa; e cilësuat si skandal largimin nga ushtria të një numri ushtarakësh dhe shkurtimet si një problem të madh social dhe përplasja e fundit ishte e deputetit Çuko me këshilltarin tuaj Piro Ahmetaj, sepse në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë që ju kishit thirrur ai ishte i veshur me uniformën e ushtarakut kur në fakt nuk ishte ushtarak. Domethenë në fakt janë të pesë viteve të Presidencës suaj, në fakt të tre viteve e gjymsë të kësaj maxhorance që ju keni një përplasje gati të vazhdueshme për problemet e ushtrisë me Ministrin dhe me maxhorancën, me Kryeministrin. Si është ushtria Zoti President, Zoti Komandant i Përgjithshëm në çfarë niveli është sot ushtria shqiptare duke e lidhur edhe këto përplasje që ju keni bërë?

Presidenti Nishani: Së pari do desha të bëja jo një korrigjim por një sqarim në të gjitha rastet kam mbrojtur dhe nuk jam përplasur. Patjetër që tek unë janë përplasur sulmet politike, akuza, tendenca për shkurtim apo heqje, kompetencash, marrje kompetencash, cënim të kushtetutës, cenim të ligjeve dhe në të gjitha rastet kam qenë në mbrojtje, në mbrojtje të dinjitetit, në mbrojtje të ligjit, në mbrojtje të kushtetutës në mbrojtje të integritetit, institucional, personal, ligjor dhe jam unë personalisht të paktën jam i kënaqur që të kem një lloj suksesi në këtë mbrojtje që i kam bërë dinjitetit integritetit të kushtetutës së vendit, ligjeve të vendit, por edhe të institucioneve, por edhe figurës së Presidentit të Republikës dhe jam i bindur që kjo mbrojtje dinjitoze që i kam bërë Institucionit të Presidentit të Republikës u ka shërbyer qytetarëve shqiptarë, i ka shërbyer imazhit të vendit, i ka shërbyer kultivimit të një kulture politike, e cila kërkon këto lloj standardesh në kontekstin e një demokracisë funksionale. Të gjitha rastet që ju përmendët janë të gjitha raste të cilat në konkluzion më kanë dhënë të drejtë. Në rastin e ligjeve është Gjykata Kushtetuese e cila i ka dhënë të drejtën Presidentit të Republikës duke e rrëzuar ligjin apo disa prej ndryshimeve themelore që bëri ligji për heqjen e kompetencës dhe duke ia kthyer sërish Presidentit të Republikës. U përfshi dhe plani i përhapjes që juve përmendët. Në rastin e këshilltarit që juve përmendët për fat të keq këshilltari im u largua për një farë kohe dhe gjithë akuzat që iu bënë dhe sulmet që iu bënë rezultuan të padrejta me vendim gjykate nga ana e tij.

Gazetari: Kjo është arsyeja që ai u kthye sërish?

Presidenti Nishani: Patjetër.

Gazetari: A është normale që ai ishte e veshur ushtarak në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë?

Presidenti Nishani: Më se normale dhe e detyrueshme sepse….

Gazetari: Ai është civil?

Presidenti Nishani: Jo. Ai është Gjeneral në rezervë dhe Këshilltari i Presidentit të Republikës, ushtarak në rezervë. Kur është ushtarak në rezervë në të gjitha aktivitetet zyrtare ka të drejtë të mbajë uniformën sipas ligjit.

Gazetari: Ju ushtarak, këshilltari juaj ushtarak, deputeti Çuko ushtarak dhe një ditë që kam takuar në rrugë i them, ore ça keni o burrë i dheut? Të paktën ka një lloj solidaritetit për atë që ju keni si backgraund. Jo! – tha: Ai duhet të vishet civil atje.

Presidenti Nishani: Dakord. Emocionet politike nuk i gjykoj.

Gazetari: Po ai është nga ata kundërshtarë politikë që juve ju vlerëson për integritetin. Sulmi politik është tjetër gjë…

Presidenti Nishani: Unë falënderoj këdo që vlerëson jo vetëm integritetin e Presidentit të Republikës, por edhe integritetin si dimension. Në se ne nuk vlerësojmë integritetin si dimension tek çdo njeri aq më tepër tek personalitete të tilla si presidenti, kryeministri, ministrit, deputetit. Individë që marrin mandate të tilla përfaqësimi dhe kanë integritet të cënuar është një model shumë i keq. Kështu që për të mos i ikur pyetjes suaj. Në të gjitha rastet që juve përmendet kam arritur të mbrojë me sukses dhe me dinjitet, e thashë edhe njëherë, ata që e kam pasur si detyre dhe si mision.

Ushtria shqiptare është një institucion i cili ka arritje të jashtëzakonshme. Unë dua të përfitoj nga rasti që më bërë këtë pyetje të adresoj jo vetëm përshëndetjet por edhe mirënjohjen time më të madhe tek të gjithë ata burra dhe gra që shërbejnë nën uniformën e ushtarakut që janë njerëzit që gjithë jetën e tyre e kanë të shoqëruar me sakrifica të mëdha, ata vetë, familjet e tyre dhe unë gjej rastin që të kërkoj që të gjitha Institucionet e Shtetit Shqiptar edhe shoqëria në përgjithësi ta njohë këtë sakrificë, këtë kontribut të tyre dhe ta nderoj. Dhe unë jam një nga ata që e nderojë maksimalisht angazhimin e tyre. Ushtria shqiptare sot ka bërë përparime të jashtëzakonshme jo vetëm fakti që është anëtare e NATO-s nuk është lehtë dhe nuk është e rastësishme që të jesh anëtari i NATO-s, patjetër që duhet të arrish disa standarde, një performancë të caktuar, por mund të them që është vërtetë një arritje që ishte e pamendueshme, një dekadë apo dy dekada të shkuara.

Gazetari: Cili është mendimi juaj për Ministren e Mbrojtjes zonjën Kodheli?

Presidenti Nishani: Unë vlerësoj çdo njeri që punon dhe kontribuon për vendin.

Gazetari: Besoj se e keni dëgjuar dhe lexuar në media që ajo është një kandidate për Presidente të Republikës, e hedhur në media, jo zyrtare.

Presidenti Nishani: Nuk mund të komentojë mediat. Por padyshim të uroja që në Shqipëri të kishte një presidente femër, pse jo.

Gazetari: Edhe kjo ta kishte emrin Mimi Kodheli?!

Presidenti Nishani: Kushdo. Përfshirë edhe zonjën Kodheli.

Gazetari: Ju në mandatin e qeverisë Berisha keni dekretuar shkarkimin e tre Gjeneralëve të ushtrisë, Sandër Lleshi, Dhori Spirollari dhe Abaz Lleshi. Një shkarkim që në fakt kaloi…

Presidenti Nshani: Nuk ka qenë shkarkim. Është dekretim për nxjerrje në lirim për shkak të përcaktimeve ligjore të propozimeve që erdhën nga Ministria e Mbrojtjes. Siç kam dekretuar edhe lirimin e shumë Gjeneralëve të tjerë që ka sjellë Ministrja aktuale e Mbrojtjes.

Gazetari: Sot që kanë kaluar kaq kohë e quani normale këtë dekretim?

Presidenti Nishani: Po është normale se e përcakton ligji dhe Kushtetuta. Një ushtarak ka kohën e qëndrimit në gradë për një periudhë të caktuar dhe ligji thotë se në se ky ushtarak nuk arrin të marrë një gradë tjetër për shkak të konkurrimit, ai del në rezervë.

Gazetari: Atëherë pse zoti Lleshi dhe kolegët e tij e quajtën si një sulm personal dhe gati–gati fetar në atë kohë?

Presidenti Nishani: Nejse, akuza për arsye fetare në atë kohë ishte qesharake dhe jo serioze madje edhe e rrezikshme kur vjen nga individë që kanë një masë të caktuar arsimimi dhe kulture. Akti ishte e drejta e tyre ta gjykojnë patjetër dhe mesa di unë i janë drejtuar edhe Gjykatës dhe nuk e kanë fituar të drejtën, nuk e di ecurinë e gjyqit. Por edhe njëherë po them, procesi i dekretimit të lirimit nga detyra të ushtarakëve në gradë madhore, sepse të tjerët i bën ministrit është një detyrim ligjor dhe kushtetues nuk është një dëshirë e Presidentit. Presidenti mund të ketë dëshirë t’i lërë ata përjetë në detyrë dhe kjo nuk është model shqiptar, ky është modeli i gjithë vendeve anëtarë të NATO-s. Kur një ushtarak me gradën Gjeneral e kryen mandatin e qëndrimit në këtë gradë nuk e merr gradën tjetër, vjen propozimi tek Presidentit i Republikës dhe del lirim. Kjo nuk do të thotë se atij i mohohen kontributet që ka dhënë dhe respekti për kontributet që ka dhënë.

Gazetari: Mbas atij shkarkimi ju jeni takuar me zotin Lleshi?

Presidenti Nishani: Nuk e mbaj mend.

Gazetari: Zoti President ajo që quhet debati i fundit është për Shefin e Shtabit Jeronim Baze. Ju e keni pasur këshilltar keni firmosur dekretimin për një mandatin e parë të tij, një mandat tre vjeçar dhe për mandit e dytë jo. Çfarë ndodhi? Ju keni dhënë në fakt një shpjegim zyrtar dhe media është njohur por a mund të ndalemi në ndonjë detaj tjetër sepse ka një habi. Flasim habi, sepse ai së pari ka qenë këshilltari juaj, së dyti e keni dekretuar njëherë dhe herën dytë jo, ka qenë propozim i Kryeministrit.

Presidenti Nishani: Habia mbetet deri sa nuk ka shpjegime dhe sqarime. Unë i kam dhënë disa sqarime por i përsëris edhe njëherë. Fakti që edhe juve përmendet është një fakt…

Gazetari: Madje edhe juve ju kërkoi ndjesë, ushtaraku i njohur edhe ish-gjenerali dhe ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Kostaq Karoli ka thënë –Zoti Nishani ka gabuar me këtë mosdekretim!

Presidenti Nishani: Absolutisht çdo njeri ka të drejtë të ketë gjykimin e tij dhe kjo fitorja që ne morën pas viteve ’90. Ky secili të shpreh një mendimin, një gjykim që ai beson se është i drejti. Gjeneral Kostaq Karolin e njoh si ushtarak kam vlerësimin maksimal dhe konsideratat maksimale për te si ushtarak dhe si akademik. Fakti që juve përmendet që Gjeneral Bazo ka qenë këshilltari im dhe nga këshilltari imi më propozim të Kryeministrit u emërua Shef i Shtabit të Përgjithshëm dhe më pas nuk u riemërua tregon që është përjashtuar respekti apo arsyeja individuale. Nuk ka asnjë arsye personale. Vlerësimin e kam bërë në kontekstin e përmbushjes së detyrës. Një Shef i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë dhe për definicion në Kushtetutën tonë Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë është Këshillat i parë i Presidentit të Republikës, për shkak se Presidenti është Komandat i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura dhe përcaktohet pra, Këshilltar i parë është Shefi i Shtabit të Përgjithshëm për çështjet e mbrojtjes, bëhet fjalw. Në se ku refuzon, injoron të njohë, të respektoje të informojë Presidentin e Republikës për çështjet e mbrojtjes atëherë ai e ka humbur besimin, e ka humbur besimin që në momente të caktuara shumë të rëndësishme të sigurisë, çështjet e sigurisë dhe të mbrojtjes kur kemi kërcënime janë vendimtare për një vend . Atëherë nuk mund t’i jepet besimi një njeriu që në kohë paqe demonstron një akt dhe një veprim të tillë dhe me këtë sjellje institucionale në këto kohë paqje ai tregon se në kohë lufte dhe në kohë krize mund të na krijojë kosto shumë të mëdhaja ndaj edhe nuk mund ta ketë besimin tim si President i Republikës që të vijonte në këtë detyrë. Kjo ka qenë arsyeja mjaft …

Gazetari: Është thyer besimi!

Presidenti Nishani: Jo është thyer, por është humbur besimi.

Gazetari: Zoti President janë edhe dy institucione të tjera që ju keni marrëdhënie direkte. I pari Shërbimi Informativ Shtetëror dhe i dyti Prokuroria e Përgjithshme pa kaluar më pas tek drejtësia si Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Por me Shërbimin Informativ Shtetëror si janë marrëdhëniet tuaja dhe si e vlerësoni punë e kryetarit të Shërbimit Informativ Shtetëror Visho Ajazi Lika?

Presidenti Nishani: Me të gjitha institucionet, edhe me Shërbimin edhe me Prokurorinë marrëdhëniet janë institucionale dhe kam vlerësime institucionale.

Gazetari: Se në gjuhën tonë Zoti President po të themi se janë marrëdhënie institucionale themi se janë marrëdhënie të këqija.

Presidenti Nishani: Absolutisht nuk janë marrëdhënie të këqija. Me askënd nuk janë të këqija, me asnjërin prej tyre. Janë marrëdhënie strikte sepse është parimi im, kultura ime institucionale, formimin im, është edukata ime njerëzore, qytetare dhe institucionale për të ndërtuar dhe mbajtur marrëdhënie strikte institucionale. Kjo më ka ndihmuar në karrierën time për të qenë aq i suksesshëm sa kam qenë unë, saç mund të kem qenë, por edhe për të përmbushur detyrat e mia dhe as për të mos qenë borxhli në kuptimin institucional tek ai me të cilin bashkëpunon dhe as mos me qenë borxhli ai tek ty.

Gazetari: Kur kjo maxhorancë akuzon Shërbimin Informativ dhe kryetarin e saj Visho Ajazi Lika, ju në cilësinë e Presidentit si e shikoni këtë?

Presidenti Nishani: Kanë qenë tërësisht politike dhe unë kam pasur të gjithë argumentet, sepse akuza ka qenë për çështje konkrete, fenomene konkrete dhe çështjet konkrete dhe fenomenet konkrete kanë pasur arsyetime, kanë pasur provat, kanë pasur dokumentacionet të cilat e kanë përgënjeshtruar tërësisht akuzën ndaj ka qenë akuzë politike. Se kur bëhet një akuzë dhe fakti dhe prova vërtetojnë të kundërtën do të thotë që është tërësisht politike.

Gazetari: E keni fjalën për pajisjen e përgjimit?

Presidenti Nishani: Për të gjitha çështjet.

Gazetari: Zoti President ju thatë se ka marrëdhënie institucionale po ka edhe marrëdhënie që shkojnë përtej edhe të detyrës me Prokurorinë e Përgjithshëm zotin Adriatik Llalla.

Presidenti Nishani: Mjaft korrekte. E thashë gjithmonë institucionale dhe korrekte.

Gazetari: Si e vlerësoni punë e Prokurorit të Përgjithshëm?

Presidenti Nishani: Është subjekt i vlerësimit të Parlamentit. Nuk ia ka lënë Kushtetuta të drejtën që ta vlerësojë punën e zotit Llalla Prokurorit të Përgjithshëm dhe asnjë Prokurori.

Gazetari: E megjithatë ju jeni në një farë mënyrë eprori direkt.

Presidenti Nishani: Jo nuk jam eprori direkt. Nuk është e përcaktuar asgjëkund që Presidenti i Republikës është eprori direkt i Kryeprokurorit. Presidenti deri para propozimeve Kushtetuese ishte propozuesi i Prokurorit të Përgjithshëm dhe duhet ta miratonte parlamenti, por nuk ka një atribut të hierarkisë së komandimit, të urdhërimit, të kontrollit është institucion që varet pastaj në aspektin e kontrollit nga parlamenti.

Gazetari: Zoti President nga gjithë aktorët pas miratimit të reformës në drejtësi. Unë kam kuptuar që ju nuk jeni ndër ata entuziastët që mbas miratimit të kësaj reforme pritshmëritë janë shumë të mëdha por unë nuk ju kam parë aq entuziast fjala vjen sa zoti Rama sa zoti Meta sa aktorë të tjerë politikë.

Presidenti Nishani: Unë jam racional në natyrë.

Gazetari: E di, ju njoh.

Presidenti Nishani: Jam munduar të jem gjithmonë i sinqertë më raport me veten në raport me institucionin dhe në raport me shoqërinë dhe të gjithë aktorët . E kam përsëritur dhe e kam thënë një të vërtetë gjithmonë që sistemi ynë i drejtësisë ka nevojë për një reformë dhe një reformë të thellë por edhe një reformë e cila ashtu si e thatë ju ka pritshmëri të mëdha, ka pritshmëri të mëdha nga opinioni publik dhe dy përditshmëritë më kryesore janë nxjerrja jashtë sistemit e prokurorëve dhe gjyqtarëve të korruptuar dhe të paaftë dhe e dyta dënimi i njerëzve të pushtetshëm dhe konfiskimi i pasurive të paligjshme të tyre. Njerëzit duan të shohin gjyqtarë dhe prokurore të korruptuar dhe të paaftë të largohen njëherë e mirë nga sistemi dhe duan të shohin që këta prokurore dhe gjyqtarë që mbeten të dënojnë njerëzit e pushtetshëm që përfshihen në veprimtari anti-ligjore, sepse nuk mund të dënojmë njerëz kot dhe të sekuestrojnë pasuritë të paligjshme të tyre për shkak të abuzimit që kanë bërë me pushtetit, t’i sekuestrojnë. Deri sa njerëzit t’i shikojnë këto dy pritshmëri të realizuara apo të fillojnë të realizohen, se ndoshta do të duhet një kohë e gjatë, dhe unë parashikoj që do të duhet kohë e gjatë. Unë jam optimist që do të shkojmë në këtë realitet. E them me shumë sinqeritet që ne do të shkojmë në këtë realitet. Varet se sa shpejt do të shkojmë kjo varet nga njerëzit. Por këto janë dy pritshmëri të mëdha kështu që unë nuk është se s’jam entuziast por dua të mbete racional dhe dua të mbetem vërtet serioz në atë që mund të bëjmë, në atë që besojmë që mund të bëjmë. Mund të bëjmë shumë gjëra edhe mund të ishim bërë po të mos kishte pasur një tendencë për ta futur nën kontrollin politik sistemin e drejtësisë, edhe në këto tre katër vitet e fundit mund të ishin dhënë disa kontribute. Gjithsesi ka ndodhur një proces shumë i fortë, ka ndryshuar një pjesë e rëndësishme e kushtetutës dhe nuk ka ndryshuar vetëm çështje që lidhen me sistemin e drejtësisë, ka ndryshuar mekanizimi dhe sistemi i balancave mes pushteteve në Shqipëri. Të shikojmë se si do të funksionojë modeli i ri. Kushtetuta që lamë pas e miratuar në 1998 me referendum ishte një Kushtetutë që u hartua nga ekspertët më të mirë ndërkombëtar kryesisht në atë që kishte nevojë Shqipëria dhe ka nevojë çdo demokraci, çështjen e ekuilibrave dhe balancave midis pushteteve. U pa e udhës të ndryshohet, e rëndësishme ishte që u votua me konsensus të plotë në parlament. Dhe për mua, kam këmbëngulur për aq sa kam pasur mundësi të këmbëngul si President i Republikës që t’i jepnim legjitimitet të plotë implementimit të saj duke pasur këtë konsensualitet në parlament të ndryshimeve kushtetuese, se po ndryshonim kushtetutën për çështjet madhore të vendit siç ishte balanca midis pushteteve dhe me kolonë kryesore pushtetin e drejtësisë. Kështu që mbetet ajo që ju e konsideroni një mos entuziazëm ka të bëjë me ngërçet që me hapat e para. Po të marrin çështjen e krijimit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësisë. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi është një institucion i cili do të bëjë zgjedhjen e Inspektorit të Përgjithshëm të Drejtësisë që do të ketë të drejtën të bëjë kontrollin e verifikimeve etj etj dhe relatimin e masave disiplinore, dhe propozimin apo rankimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Ishte paraparë në Kushtetutë sepse në Kushtetutë janë vendosur disa afate. Zakonisht afatet nuk vendosen në Kushtetutë, afatet e ndërtimit, afatet vendosen në akte ligjore. Nuk mund të vendosësh afate në kushtetutë, sepse në momentin që digjet afati dhe afati ishte pesë dhjetori i muajit që kaloi …

Gazetari: Është shkelur Kushtetuta…

Presidenti Nishani: Jo nuk është shkelur thjesht Kushtetuta, por edhe bërë i pamundur realizimi i saj. Pra duke respektuar Kushtetutën aktuale ky institucion nuk mund të ngrihet dot më përpara 5 dhjetorit të këtij viti që kemi hyrë. Pra e humbëm vitin që shkoi për të ngritur do ta humbasim edhe këtë vit në se nuk bëjmë ndryshime në Kushtetutë. Në se ndryshohet afati në Kushtetutë është tjetër punë, por duhet të ndërhyhet në Kushtetutë.

Gazetari: Po bëhet ajo…?

Presidenti Nishani: Po flasim. Prandaj e përmenda seriozitetin jo pa qëllim si dimension.

Gazetari: Do të mbetet ndonjë pyetje pa bërë. Këtë kam merakun tim më të madh.

Presidenti Nishani: Një emision tjetër. Deri në 24 korrik kemi kohe.

Gazetari: Po deri me 24 korrik por zgjedhja e Presidentit në cilin afat kohor e ka…

Presidenti Nishani: Është një çështje që i takon Parlamentit unë po flas bisedën me Presidentin e Republikës. Deri më 24 korrik kemi kohë të bëjë intervista të tjera si president.

Gazetari: Po ky parlament do ta zgjedhë Presidentin?

Presidenti Nishani: Po ky parlament.

Gazetari: Vijmë tek një armë shumë e fortë që unë personalisht e quaj tek Ju Zoti President, familja juaj. E them këtë gjë sepse ne gazetarët shqiptarë rrallë përballë figurave që familjen e tyre e kanë një model shumë të fortë. Unë dua të them këtë sot, ta dëgjojnë të gjithë jua them edhe juve përballë mund të keni shumë probleme të diskutueshme në punën tuaj por një gjë e keni të padiskutueshme fare. Është një model shumë i mirë në politikën shqiptare, familja juaj. Dhe jua shpreh këtë mirënjohje dhe vlerësim sepse vetëm duke treguar dhe duke i ngritur lart modele të tilla them që shoqëria jonë do ta shikojë politikën jo si gjë të keqe por ka edhe modele të tilla si modeli i familjes suaj.

Presidenti Nishani: Unë ju falënderoj shumë Roland për këtë kompliment shumë të bukur që e bëni si çdo njeri, sepse çdo njeri jam i bindur përveç problemeve që mund të kenë njerëz të ndryshëm në rrugëtimin e tyre familjarë për shkak të rrethanash të ndryshme etj., etj., por familja mbetet një shtylla kryesore e njeriut për të kaluar edhe të mirat edhe të këqijat që kanë në jetë.

Gazetari: Zoti President a ka ndikuar në punën tuaj si President i Republikës bashkëshortja Zonja e Parë, zonja Odeta?

Presidenti Nishani: Ka qenë një nga ndihmëset kryesore në rrugëtimin tim politik. Rrugëtimi im në politik që ka qenë një rrugëtim i gjatë, ka qene një rrugëtim jo i lehtë, ka qenë një rrugëtim me shumë angazhime, më shumë investime në kontekstin e kohës, të largimit nga ambienti familjar të konsumit të kohës me terrenin, me njerëzit, me institucionet. Pastaj kur pata fatin të jem pjesë e drejtimit të Institucioneve. Dhe po padyshim pa u futur aspak në çështjet institucionale, por ka qenë një ndihmëse e jashtëzakonshme në këtë drejtim, një ndihmëse e madhe për ta vazhduar rrugën, edhe për t’u ndeshur me problemet dhe vështirësitë që kam pasur, një ndihmë e jashtëzakonshme që unë ta kisha mendjen e qetë në raport me familjen, me fëmijët me atmosferën familjare, dhe jam mirënjohës.

Gazetari: Shikonim disa aktivitet të Zonjës së Parë që ishin sociale. Pse mungojnë tani? Apo e kam unë gabim?

Presidenti Nishani: Jo, ju jeni i saktë. Nuk kam dashur ta përcjellë në opinion në fakt këtë çështje, e cila është gati gati në nivelin e qesharakes dhe gati dhe të mungesës së seriozitetit.

Gazetari: Po pse çfarë ka ndodhur?

Presidenti Nishani: Po prej shumë muaj, në më pak se një vit qeveria ka ndërhyrë në protokollin e shtetit dhe me një vendim qeverie i ka hequr nga protokolli i shteti të drejtat e parashikuara për gruan e Presidentit që ka statusin e Zonjës së Parë, i ka hequr të drejtat për të organizuar aktivitetit me funksion social dhe bamirës. E kam gjetur një sjellje…

Gazetari: Kur është vendosur kjo?

Presidenti Nishani: Po ka 7-8 muaj, 9 muaj diçka e tillë. Nuk i jam kushtuar shumë faktit për të mos përcjellë në opinionin publik një debat, i cili ndoshta për opinionin do të dukej i tepërt. Por mund t’ju them këtë që gruaja e Presidentit, apo bashkëshortja ime në statusin që i jepte ligji si Zonjë e Parë e ka shfrytëzuar atë hapësirë të Protokollit të Shtetit vërtetë për disa aktivitete që i kanë ardhur në ndihmë fëmijëve në nevojë dhe mund t’ju them duke lënë mënjanë modestinë qëndrimin tim goxha krenar, që është bërë e mundur që falë këtij angazhimi, këtyre përpjekjeve është shpëtuar jeta e disa fëmijëve, fëmijë me sëmundje të rënda të gjakut; i është lehtësuar jeta disa fëmijëve që kanë qenë me sindromën Dawn, fëmijëve me autizëm apo i është lehtësuar jeta fëmijëve që kanë qenë të braktisur nga prindërit.

Vetëm fakti që disa fëmijëve më sëmundje shumë të rënda është bërë e mundur që t’i shpëtojnë vdekjes edhe sot të jetojnë është një lumturi. Besoj që nuk i vinte e keqja as qenërisë dhe as shtetit shqiptar nga kontribute të tilla.

Gazetari: Pse e ka bërë Kryeministri këtë?

Presidenti Nishani: Kjo është një pyetje për Kryeministrin dhe jo për mua.

Gazetari: Do ta pyes Kryeministrin!

Presidenti Nishani: Po ta pyesni Kryeministrin. Ishte një akt që për të cilin nuk gjen asnjë lloj justifikimi, një akt qesharak.

Gazetari: I pakuptimtë është! Dhe për herë të parë e dëgjoj këtë!

Presidenti Nishani: Po nuk ka qenë e udhës për të prezantuar në opinion si një debat institucional. Por është ndërhyrë në protokollin e Shtetit dhe janë hequr këto të drejta dhe mundësi që kishte bashkëshortja e Presidentit, në statusin e Zonjës së Parë për të organizuar këto aktivitete.

Gazetari: Zoti President! Ne jemi mësuar këto 26 vjet që të dinim emrat e familjeve të personaliteteve, të kryeministrave, presidentëve, ministrave, deputetëve të drejtuesve më të lartë të shtetit, emrat e fëmijëve, të grave etj., etj., për shkak të akuzave dhe kundër akuzave. Unë i di personalisht, por opinioni nuk i di emrat e fëmijëve tuaj. Tashmë ata janë fëmijë të maturuar, janë fëmijë të rritur, por nuk kemi dëgjuar, djali i Bujar Nishanit, vajza e Bujar Nishanit etj., etj. Si ka arritur ky model tjetër? Sepse politikanët një gjë të vogël dhe nuk do ta kishin falur?

Presidenti Nishani: T’ju them të drejtën fëmijëve kurrë as nuk ia kemi ushqyer që, shiko se babai ka një pozitë të rëndësishme në shtet, është ministër apo deputet. Kurrë nuk ka qenë temë e familjes kjo, por ndoshta edhe jeta që neve kemi bërë. Familja është një jetë që nuk ka ndryshuar nga stili apo natyra e mënyrës se si kemi komunikuar me njëri-tjetrin, si e kemi ndërtuar jetën tonë edhe përpara se unë të kisha fatin të merrja poste të rëndësishme në shtetin shqiptar. Kështu përderisa nuk ka ndryshuar asgjë në natyrën, në kulturën, në mënyrën, e të jetuarit në familjen tonë nuk kemi pasur nevojë për lukse, për salltanete, nuk kemi pasur nevojë për ekzagjerime. Na ka mjaftuar dhe na ka kënaqur ambienti ynë familjar ndoshta kjo ka qenë edhe arsyeja që ata kanë qenë të çliruar.

Gazetari: Po si ka qene jeta e tyre me babin President ?

Presidenti Nishani: Po padyshim që unë ju kam munguar shumë fëmijëve. Më shumë ju kam munguar kur isha ministër se sa kur isha President, sepse kur u bëra President ata hynë në një moshë më të maturuar që e kishin më indipendente jetën e tyre. Ju kam munguar fizikisht, por jam munduar që t’ua kompensoj shpirtërisht mungesën time në kohën e familjes. Por, ka qenë një jetë normale, unë kurrë në shtëpi nuk e kam ndjerë veten President, në kontekstin zyrtar të fjalës. Unë e kam ndjerë veten ashtu siç kam qenë gjithmonë, përpara se të bëhesha president, përpara se të bëhesha ministër, përpara se të bëhesha deputet. Nuk kam pasur kurrë frikë nga vetja Roland, ndoshta kjo më ka ndihmuar shumë të tejkalojë çdo problem edhe të krijojë një imunitet ndaj viruseve të ndryshme që për fat të keq, jo të gjithë, por ka njerëz që i prek dhe i sëmur rëndë.

Gazetari: Zoti President është diskutuar, dhe pyetja klishe nuk do të mungojë asnjëherë në se ju mund të jeni për pesë vitet e ardhshme President për një mandat të dytë. Kësaj nuk i shpëtoj dot as unë.

Në fakt kjo është intervista e tretë që unë ju kam marr që kur u emëruat President dhe ju falënderoj për këtë. Kur ju kam intervistuar për herë të parë, ju më keni thënë : Boll! Karriera ime si President më lart nuk mund të shkojë dhe e mbyll këtu. Në fakt keni ndryshuar qëndrim. Çfarë ndodhi?

Presidenti Nishani: Jo nuk është tërësisht e saktë. Varet se si e koncepton karrierën politike. Padyshim në kontekstin…

Gazetari: Sa qejf kisha ta jepja tani insertin.

Presidenti Nishani: Patjetër! Në kontekstin institucional kur arrin të bëhesh President i Republikës ti nuk mund të pretendosh më për pozicione të tjera institucionale në kuadrin politik por për të shërbyer politikisht, është ajo që kam thënë unë dhe që vazhdoj t’i qëndroj, është një e drejtë pa qenë President, pa qenë kryeministër, minstër. Pra…

Gazetari: Si do të jetë ky kontributi juaj. Do të ktheheni në Partinë Demokratike?

Presidenti Nishani: Ju sot si gazetar shërbeni politikisht dhe të shërbesh politikisht sot nuk do të thotë vetëm në kuptimin partizan të fjalës, vetëm në suazën e partive politike. Kontributi politik jepet në sfera të ndryshme, politika i ka të gjithë dimensionet i ka çështjet e sigurisë, i ka çështjet e ekonomisë, i ka çështjet e kulturës.

Gazetari: E kam fjalën ju do të bëni jetë partiake?

Presidenti Nishani: Nuk e shoh veten dhe nuk e kam menduar akoma se si do të jem pas 24 korrikut, sepse ajo është një periudhë ende e gjatë në detyrë.

Gazetari: E di si vjen korriku?

Presidenti Nishani: Mund të vijë dhe varet si janë rrethanat. Njeriu iu përshtatet edhe rrethanave. Unë e kam thënë edhe herë të tjera dhe kjo është një e vërtetë dhe nuk është çështje e ndonjë sinqeritetit të tepruar. Kur unë u zgjodha President i Republikës ishin disa rrethana të cilat e përcaktuan zgjedhjen time si President. Nuk ishte thjesht një iniciativë e imja personale dhe angazhim im, një garim për t’u zgjedh President i Republikës, ishin edhe disa rrethana. Patjetër që unë isha mes shumë kandidatëve për shkak të kontributeve tona në politikë, për shkak të eksperiencave që kishim në çështjet e administrimit dhe të atij pushtetit që kishim pasur dhe të atyre institucioneve që kishim pasur fatin të drejtonim, për shkak të kulturës politike që kishim marrë si eksperiencë gjatë gjithë viteve brenda sistemit politik, brenda mekanizimit politik, brenda stabilshmentit politik.

Pra, rrethanat janë ato që përcaktojnë shumë gjëra dhe unë nuk mund të gjykojë në rrethanat e sotme për një angazhim timin, se ju e thatë në moshën 50-vjeçare njeriu nuk e shikon veten që është i pamundur për të kontribuar për vendin. Unë mund të them që do të investohet në fushën e biznesit. Nuk e shoh si alternativë, sepse në biznes janë njerëz që kanë dhunti, nuk e shoh atë në fushën e artit nuk e kam dhunti artin, por pse jo mund të bësh politikë edhe në fushën e gazetarisë. Unë jam shumë i apasionuar pas gazetarisë.

Gazetari: Ua kjo do të ishte kështu..?

Presidenti Nishani: Pra një formë, një mënyrë për të kontribuar politikisht për vendin. E sigurt është që nuk do të jem një pensionist, këtë kam thënë.

Gazetari: Kur ju kam kërkuar të bëni vlerësime për tetë paraardhësit tuaj, tetë presidentët Ahmet Zogu, Omer Nishani, Haxhi Lleshi, Ramiz Alia, Rexhep Meidani, Alfred Moisiu, Bamir Topi nuk më keni dhënë vlerësime për Bamir Topin se akoma nuk kishit bërë ceremoninë dhe kishit shumë pak kohë. Juve thatë që nuk është etike duhet të kalojë disa vjet që unë ta bëjë. Sot keni mundësinë zoti President të bëni vlerësimin për paraardhësin tuaj.

Presidenti Nishani: Natyrisht. Një president në detyrë mirë është që për paraardhësin të mos bëjë vlerësime dhe pasardhësin ta respektojë maksimalisht. Këtë të dytën ju garantoj që presidentin pasardhës dhe gjithë të tjerët sa të jenë do ta respektojë maksimalisht…

Gazetari: Por mund të jeni edhe ju për një mandat të dytë Zoti President?

President Nishani: Gjithmonë do të kesh një pasardhës. Me këtë kontekst le t’ia lëmë gjykimin kohës. Zoti Topi ka qenë një njeri me të cilin unë kam bashkëpunuar në politikë përpara se të bëhej President i Republikës. Ka pasur një bashkëpunim pozitiv me të në politikë në Partinë Demokratike. Kemi qenë të dy pjesë e strukturave drejtuese. Kam pasur gjithashtu edhe një bashkëpunim pozitiv gjatë kohës që zoti Topi ishte President edhe unë Ministër. Nuk kemi pasur ndonjë bashkëpunim gjatë kohës që unë kam qenë President i Republikës për shkak se zoti Topi u tërhoq në pjesën e politikës aktive. Pra, besoj se është e mjaftueshme.

Gazetari: Pyetja e fundit. A ka ndonjë gjë në se ju do të kishit një mandat të dytë si President? Do t’i afroni një gjë më shumë shtetit dhe Presidencës që ju mund ta thoni sot?

Presidenti Nishani: Ajo që unë kam deklaruar dhe do të vazhdojë të deklarojë është fakti që ka të bëjë me gatishmërinë time që tregova që në majin e 2012 për të marrë detyrën e Presidentit të Republikës. Eksperienca që kam fituar gjatë viteve në zyrën e Presidentit të Republikës, kapacitetet që i njoh vetes intelektuale, njerëzore dhe institucionale. Komponentë të tjerë që mund të lidhen me individin, me institucionin dhe me rrethanat politike. I gjithë ky kompleksitet faktorësh më bën që të them që jam i gatshëm për të vazhduar, por pa dyshim që kjo mbetet për t’u përcaktuar nga maxhoranca parlamentare sepse në sistemin tonë është parlamenti ai që e zgjedh presidentin. Është maxhoranca parlamentare që e zgjedh Presidentin. Pra, në se maxhoranca parlamentare do ta gjykojë që kjo eksperiencë e Bujar Nishani i vlen vendit, i vlen shtetit shqiptar, u vlen qytetarëve shqiptarë, unë do ta vazhdoja mandatin e dytë të Presidentit. Në se maxhoranca gjykon se nuk u vlen qytetarëve shqiptarë, nuk i vlen shtetit shqiptar, duhet një model tjetër Presidenti, duhet një natyrë tjetër Presidenti, duhet një model tjetër kulture institucionale dhe politike për President përsëri është ajo që do të vendos.

Gazetari: Zoti President ishte në nderin tim që emisionin e parë të vitit 2017 ju kisha Ju në studio. Ju falënderoj!

Presidenti Nishani: Edhe unë ju falënderoj dhe vërtetë ju komplimentoj për çfarë keni arritur në këtë emision, në këtë televizion, por në të gjithë karrierën tuaj gazetareske dhe në këtë pikë jam maksimalisht optimist për suksesin tuaj të vazhdueshëm.

Gazetari: Faleminderit!