Kreu i Shtetit shqiptar dhe Zonja e Parë urojnë Festën e Krishtlindjeve

25 dhjetor 2016

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani së bashku me Zonjën e Parë, Odeta Nishani vizituan sot në mesditë Katedralen ortodokse “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, ku u pritën nga Fortlumturia e Tij Kryepiskop Anastasi.

Presidenti Nishani dhe Zonja e Parë u përcollën personalisht urimet më të mira e të përzemërta krerëve të bashkësisë fetare ortodokse për Festën e shenjtë të Krishtlindjeve.

“Në këtë ditë të shpresës dëshiroj të përcjell urimet e mia më të mira dhe të familjes sime: Gëzuar Krishtlindjet për të gjithë besimtarët e krishterë, por edhe për mbarë popullin shqiptar për më shumë lumturi, më shumë besim, shpresë e më shumë begati!

Sot në mënyrë të veçantë dua të shpreh gjithashtu në emrin tim dhe në emër të Institucionit që përfaqësoj vlerësimin më të lartë dhe mirënjohjen për Kishën Autoqefale Shqiptare si dhe për Kryepeshkopin Anastas për mesazhin që përcjellin, atë të bashkimit dhe jo të ndarjes, mesazhin e paqes dhe jo të urrejtjes, mesazhin e shpresës dhe jo të fatalitetit, ndaj edhe njëherë gëzuar! Gëzime dhe mbarësi për të gjithë!”- u shpreh Presidenti Nishani.