Presidenti Nishani uron besimtarët e krishterë shqiptarë me rastin e Festës së Krishtlindjes

24 dhjetor 2016

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bujar Nishani iu shpreh urimet më të përzemërta të gjithë besimtarëve të krishterë shqiptarë:

“Me rastin e Festës së shenjtë të Krishtlindjes, kam kënaqësinë dhe privilegjin të shpreh urimet e mia më të mira e të përzemërta për të gjithë besimtarët e krishterë shqiptarë kudo ndodhen!

Një ditë e tillë aq e veçantë që përkujton lindjen e Krishtit, shënon një ngjarje të madhërishme për besimtarët e krishterë anë e mbanë botës, e cila për nga veçantia e saj i ka përcjellë mbarë njerëzimit për më shumë se dy mijë vjet mesazhin e ripërtëritjes së shpresës për një të ardhme më të mirë e më të sigurt në paqe dhe në begati.

Si çdo vit, edhe sivjet, ky kremtim i shenjtë përjetohet e festohet nën tingujt e ëmbël të kambanave, në dritën flakëruese të qirinjve si dhe përmes lutjeve të përdëllyera të besimtarëve si zanafilla e një të ardhmeje më të shndritshme e më optimiste, e cila u jep jetë fryteve të dashurisë njerëzore e shpirtërore, të paqes, të durimit, të besimit, të vëllazërisë e të dhembshurisë për më të pafatët e të vobektit. Këto virtyte dhe qëllime të mira njerëzore si dhe paqja e bekimet e Perëndisë dhe të Birit të saj gjenden me shumicë edhe në zemrat e besimtarëve shqiptarë.

Në këtë ditë feste të veçantë, në cilësinë e Kreut të Shtetit uroj që ato të triumfojnë jo vetëm në kisha dhe vende të shenjta apo në jetën tonë të përditshme, por edhe anembanë botës me qëllim të mposhten urrejtjet e pajustifikuara, ekstremizmat e ndasitë fetare të pabaza, në mënyrë që besimi tek Zoti si dhe tek vlerat më të pastra e të përdëllyera njerëzore të mbizotërojnë kudo e të na ndriçojnë rrugëtimin tonë shoqëror!

Ju uroj nga thellësia e zemrës një Festë Krishtlindjeje sa më të mbarë, shëndet, mbarësi dhe çfarë t’ju dëshirojë e bardha zemër! Gëzuar dhe përshumëvjet Krishtlindjet!”