Presidenti Nishani homazhe në Ambasadën gjermane: Unë dhe shqiptarët jemi sot më shumë se kurrë solidarë me qytetarët e Berlinit e popullit gjerman!

23 dhjetor 2016

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani zhvilloi sot paradite homazhe në Ambasadën e Republikës Federale të Gjermanisë, ku u prit nga Ambasadorja Sh. S. Znj. Susanne Schűtz, e cila e falënderoi Kreun e Shtetit duke shprehur mirënjohjen edhe në emër të popullit gjerman, si dhe duke e quajtur këtë vizitë si një tregues domethënës të solidaritetit të sinqertë të popullit shqiptar, të një miku të vërtetë dhe aleati besnik.

Kreu i Shtetit shqiptar nënshkroi Librin e Ngushëllimeve të hapur në Ambasadën gjermane në Tiranë në homazh dhe nderim të viktimave të pafajshme të aktit terrorist, duke theksuar: “Akti terrorist i mbrëmjes së datës 19 dhjetor 2016, në njërin prej tregjeve të Krishtlindjeve në Berlin, që u mori jetën 12 qytetarëve të pafajshëm dhe lëndoi shumë të tjerë, më trishtoi dhe më hidhëroi shumë. U shpreh ngushëllimet më të ndjera e të sinqerta familjarëve dhe të dashurve të viktimave, Qeverisë së Berlinit dhe asaj Federale, si dhe popullit mik gjerman. Në këto momente dhimbjeje dhe hidhërimi, unë dhe populli shqiptar jemi me ta dhe lutemi që viktimat të gjejnë prehje dhe të lëndurit të shërohen sa më shpejt e të kthehen në jetën e tyre normale.

Gjithashtu e dënoj me forcën më të madhe këtë akt çnjerëzor terrorist, pasi përgjaku jo vetëm Krishtlindjet e këtij viti në Berlin, por na dhunoi të gjithëve duke na prekur lirinë dhe vlerat tona. Unë dhe shqiptarët jemi sot më shumë se kurrë solidarë me qytetarët e Berlinit e popullit gjerman. Ngushëllime të sinqerta!”