Presidenti Nishani takohet me Presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan dhe autoritetet e tjera të larta turke në kuadrin e vizitës zyrtare në Turqi

21 dhjetor 2016

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani, me ftesë të Presidentit të Republikës së Turqisë, Sh.T.Z. Recep Tayyip Erdoğan, gjatë vizitës zyrtare në Turqi, u prit në takime të veçanta nga Presidenti Erdoğan, Kryetari i Asamblesë së Madhe të Kombit, zoti Ismail Kahraman, si dhe Kryeministri i Turqisë, zoti Binali Yildirim. Pas ceremonive dhe nderimeve ushtarake të mirëseardhjes në Pallatin Presidencial, Presidenti Nishani dhe Presidenti Erdoğan zhvilluan një takim të veçantë së bashku dhe më pas kryesuan takimet e zgjeruara mes dy delegacioneve zyrtare. Në përbërje të delegacionit zyrtar shqiptar ishin edhe Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, zoti Bujar Leskaj, Drejtori i Shërbimit Informativ Shtetëror, zoti Visho Ajazi Lika, Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, zoti Selim Belortaja, si dhe Drejtori i Agjencisë Telegrafike Shqiptare, zoti Gëzim Podgorica. Biseda me Presidentin Erdoğan u fokusua në një spektër të gjerë të marrëdhënieve dypalëshe dhe shumëpalëshe, ku një vend të rëndësishëm zunë çështjet e sigurisë dhe luftës ndaj terrorizmit dhe ekstremizmit.

Presidenti i Republikës shprehu edhe njëherë gjatë takimit keqardhjen dhe ngushëllimet për viktimat e atentateve të fundit terroriste në Stamboll dhe qytete të tjera të Turqisë, si dhe solidaritetin e palëkundur të Shqipërisë, në krah të Turqisë, në luftën kundër terrorizmit dhe sponsorizuesve të tjerë, duke iu referuar edhe dënimit nga autoritetet shqiptare të tentativës së dështuar për grusht shteti në Turqi, më 15 korrik të këtij viti. Gjithashtu, Presidenti Nishani shprehu ngushëllimet edhe për vrasjen e Ambasadorit të Federatës Ruse në Turqi, duke e dënuar me forcë dhe konsideruar si burracak këtë akt.

Presidenti Nishani i konsideroi të shkëlqyera marrëdhëniet mes dy vendeve, si dhe shprehu mirënjohjen për ndihmën e madhe dhe shumëdimensionale që Turqia i ka dhënë ndër vite Shqipërisë dhe shqiptarëve, si në fushën ekonomike ashtu edhe përmes asistencës teknike. Në mënyrë të veçantë, Presidenti Nishani vlerësoi mbështetjen e Turqise mike për modernizimin e policisë dhe të ushtrisë shqiptare, si dhe asistencën e dhënë përmes agjencisë TIKA në Tiranë, duke shprehur besimin e vijimit të aktivitetit të kësaj agjencie edhe në të ardhmen.

Kreu i Shtetit vlerësoi gjithashtu rolin shumë domethënës dhe të pazëvendësueshëm të Turqisë përsa i përket paqes dhe stabilitetit të rajonit të Ballkanit, duke evidentuar gjithashtu rëndësinë që Shqipëria i kushton bashkëpunimit rajonal dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe të bashkëpunimit me vendet e tjera të rajonit. Një vlerësim të veçantë në këtë kontekst, Presidenti Nishani e bëri edhe për ndihmën e madhe që Turqia i ka dhënë dhe i jep Kosovës për konsolidimin e shtetit dhe të njohjeve të pavarësisë nga shtetet e tjera.

Një vemendje të veçantë të dy Presidentët ia kushtuan edhe nevojës së intensifikimit të bashkëpunimit mes institucioneve dhe strukturave të inteligjencës, si dhe ato ligj-zbatuese dhe të sigurisë, në funksion të luftës kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar. “Shqipëria është e gatshme të kontribuojë me vendosmëri dhe me të gjitha mundësitë e saj krah Turqisë dhe vendeve të tjera aleate në luftën kundër terrorizmit.” – u shpreh Presidenti Nishani.

Pas takimeve zyrtare, në prani të dy Presidentëve dhe delegacioneve zyrtare u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit mes Agjencisë Telegrafike Shqiptare dhe Agjencisë turke Anadolu, si dhe u vijua me një konferencë të përbashkët për shtyp, ku pas deklaratave përkatëse, të dy Presidentët iu përgjigjën dhe interesimit të shtypit.

Mesazhet e mësipërme u theksuan edhe gjatë takimeve të veçanta me Kryetarin e Asamblesë së Madhe Kombëtare Kahraman, si dhe Kryeministrin Yildirim.

Në takimin me zotin Kahraman Presidenti Nishani dënoi sulmin ndaj parlamentit gjatë grushtit të dështuar të shtetit, duke e konsideruar të papranueshme për demokracinë, si dhe vendosi një tufë me lule në vendin e sulmuar të godinës së Parlamentit. Gjithashtu, Presidenti në takimin me zotin Kahraman evidentoi miqësinë e fortë mes dy popujve, duke e siguruar atë se nga Shqipëria dhe shqiptarët rrezatohet vetëm miqësi, respekt e bashkëpunim me Turqinë dhe popullin turk. Në mënyrë të veçantë Presidenti Nishani përshëndeti bashkëpunimin ndërparlamentar dhe theksoi nevojën e intensifikimit të mëtejshëm të këtij bashkëpunimi.

Ndërsa në takimin me Kryeministrin Yildirim, Presidenti Nishani u fokusua kryesisht tek mundësia e zgjerimit të bashkëpunimit ekonomik, realizimit së shpejti të Komisionit të Përbashkët në këtë fushë, si dhe shfrytëzimit sa më të mirë të mundësive për investime turke në Shqipëri, veçanërisht në fushat e energjisë, infrastrukturës, turizmit dhe fusha të tjera.

Me rastin e kësaj vizite zyrtare, Presidenti i Republikës vendosi edhe një kurorë me lule në Mauzoleumin e Mustafa Kemal Ataturkut, si dhe la një shënim në librin e miqve, ku evidentoi rolin e jashtëzakonshëm të Ataturk në ruajtjen dhe forcimin e lidhjeve miqësore mes dy popujve.

Në vijim deklarata e plotë e Presidentit Nishani në këtë konferencë shtypi:

“Mirëmbrëma e përshëndetje të gjithëve !

Më lejoni së pari, që të shpreh edhe publikisht, falënderimet më të mira e vëllazërore që pata rastin t’ia shpreh edhe gjatë takimit Presidentit të Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, për mikpritjen dhe atmosferën e ngrohtë që ai më krijoi mua dhe delegacionit që më shoqëron, në këtë vizitë zyrtare në Turqi.

Ju falënderoj zoti President Erdoğan edhe për fjalët e mira dhe mbështetëse për Shqipërinë dhe shqiptarët, të cilat, si gjithmonë i kanë shërbyer forcimit të mëtejshëm të lidhjeve historike, miqësore e të bashkëpunimit mes dy popujve dhe vendeve tona.

E falënderova Presidentin Erdoğan gjithashtu edhe për ftesën për të marrë pjesë në ceremoninë e djeshme të inagurimit të Tunelit Euroazia, duke më dhënë mundësinë të jem i pranishëm në inagurimin e kësaj vepre historikes me rëndësi jo vetëm për qytetin e Stambollit.

Sot, pata nderin dhe kënaqësinë të bisedoja gjatë me Presidentin Erdoğan, por edhe me autoritete të tjera të larta të Republikës së Turqisë, mbi marrëdhëniet tona dypalëshe, por dhe për zhvillimet shqetësuese të kohëve të fundit në kuadrin e sigurisë dhe paqes, në vendet dhe rajonet tona.

Sigurisht që ngjarjet e ditëve të fundit ishin në fokus të bisedave dhe shqetësimeve të përbashkëta.

Shpreha edhe njëherë ngushëllimet më të ndjera e të sinqerta për viktimat e sulmeve terroriste që kanë goditur së fundmi Stambollin dhe qytete të tjera të Turqisë, si dhe solidaritetin e palëkundur të Shqipërisë krah Turqisë në luftën kundër terrorizmit dhe sponsorizuesve të tyre.

Atentati ndaj Ambasadorit rus në Ankara ishte një krim burracak që Shqipëria e dënon me forcë dhe i shpreh ngushëllimet familjarëve të diplomatit dhe autoriteteve ruse.

Po ashtu dënova edhe njëherë aktet dhe tentativat e 15 korrikut të këtij viti për rrëzimin me dhunë të Qeverisë turke të zgjedhur demokratikisht, si dhe shpreha solidaritetin me Presidentin Erdogan, Qeverinë dhe rendin kushtetues në Turqi, për kapërcimin e plotë të pasojave të grushtit të dështuar të shtetit.

Gjithashtu, pata rastin të përshëndes rolin dhe solidaritetin e jashtëzakonshëm të Turqisë në kuadrin e përballimit të krizës së refugjatëve sirianë, si dhe vullnetin e shprehur nga autoritetet turke për të pranuar refugjatë të tjerë sirianë të evakuuar nga Siria në nevojë për ndihma humanitare dhe trajtime mjekësore.

Turqia po përballon një situatë të jashtëzakonshme e cila meriton mbështetjen e gjithanshme.

Në takimin e sotëm, një vëmendje të veçantë ia kushtuam marrëdhënieve dypalëshe, ku pata rastin të shpreh kënaqësinë për marrëdhëniet e shkëlqyera historike e tradicionalisht miqësore e vëllazërore mes dy vendeve e dy popujve.

Në muajin maj të vitit të kaluar pata nderin të mirëpres në Tiranë, në një vizitë shtetërore Presidentin Erdoğan. Ndërsa sot vijuam bashkëbisedimin me interesin maksimal dhe vullnetin e përbashkët për t’i nxitur edhe më tej marrëdhëniet e partneritetit strategjik dhe zgjeruar bashkëpunimin ekonomik e tregtar mes dy vendeve tona.

Shpreha mirënjohjen për mbështetjen personale që Presidenti Erdoğan dhe Qeveria turke i kanë dhënë Shqipërisë përmes asistencës teknike në fushën e infrastrukturës, shëndetësisë e bujqësisë, por edhe për arsimimin dhe trajnimin ndër vite, të qindra studentëve dhe oficerëve shqiptarë, në licetë dhe universitetet civile dhe ushtarake në Turqi.

Gjithashtu, falënderova autoritetet turke për ndihmën e dhënë në modernizimin e policisë dhe ushtrisë shqiptare, si dhe asistencën e dhënë përmes Agjencisë TIKA në Shqipëri.

Theksova se hapësirat e bashkëpunimit janë ende të pa-eksploruar mirë dhe institucionet e të dy vendeve mund të bëjnë më shumë për krijimin e kushteve të përshtatshme për praninë e investimeve turke në Shqipëri. Investimet turke, veçanërisht në fushat e energjetikës, logjistikës, infrastrukturës, dhe fusha të tjera, janë shumë të mirëpritura në Shqipëri.

Po ashtu vlerësuam marrëdhëniet e ngushta në fushën e mbrojtjes, si një nga fushat parësore, ku theksova mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Turqisë si aleat në NATO dhe partner strategjik në përgatitjen dhe modernizimin e forcave të armatosura dhe të atyre speciale në Shqipëri.

Vlerësuam se bashkëpunimi mbetet model edhe në kuadrin e misionit ISAF në Afganistan dhe në kuadrin e patrullimit të përbashkët në Detin Egje. Sigurisht në këto të shtimit të veprimtarisë dhe kërcënimeve terroriste, diskutuam edhe për bashkëpunimin mes strukturave të inteligjencës dhe sigurisë së dy vendeve dhe shprehëm mbështetjen për intensifikimin e bashkëpunimit mes institucioneve të inteligjencës dhe ato ligj-zbatuese, në goditjen e elementëve terroristë. Vlerësuam bashkëpunimin e shkëlqyer në shkëmbimin e informacionit, identifikimin dhe ndalimin e të ashtuquajturve “luftëtarë të huaj”. Falë edhe këtij bashkëpunimi, sot nuk flitet më për kontingjente nga Shqipëria.

Në kontekstin e bashkëpunimit rajonal, vlerësova rolin shumë të rëndësishëm dhe të pazëvendësueshëm të Turqisë në favor të paqes dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor, si dhe shpreha mirënjohjen për mbështetjen shumë domethënëse dhe të vazhdueshme për Kosovën, konsolidimin e shtetit të ri, si dhe njohjen e pavarësisë së saj nga shtete të reja.

Temat dhe fushat e bashkëpunimit janë të shumta dhe vullneti i përbashkët për t’i forcuar ato po ashtu. Ndaj dhe pas takimit të sotëm me Presidentin Erdoğan dhe autoritetet e tjera të larta turke, jam i bindur se marrëdhëniet mes institucioneve të dy vendeve tona do të intensifikohen edhe më shumë, në përputhje me nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve miqësore e vëllazërore mes dy popujve dhe në nivel politik mes dy vendeve.

Faleminderit!”