Presidenti Nishani uron Atin e Shenjtë, Papa Françesku me rastin e 80-vjetorit të lindjes

17 dhjetor 2016

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani i ka dërguar një mesazh urimi Atit të Shenjtë, Papa Françesku me rastin e 80-vjetorit të lindjes, në të cilin shkruan:

“Shenjtëria Juaj!

Me rastin e lumtur të 80-vjetorit tuaj, më lejoni që në emrin tim personal dhe në emër të mbarë popullit shqiptar t’ju uroj nga zemra gëzuar ditëlindjen!

Në këtë jubile të shënuar, kam kënaqësinë dhe privilegjin që t’ju shpreh konsideratën e lartë për të gjithë kontributin tuaj të vyer në shërbim të përunjur Hyut sidomos për formësimin bashkëkohor që po i jepni kohët e fundit Kishës Katolike anembanë botës.

Gjithashtu dëshiroj të shpreh vlerësimin maksimal për mesazhet e ngrohta si dhe përkujdesjen tuaj atërore ndaj Kishës Katolike dhe besimtarëve shqiptarë si dhe për vlerësimin që vazhdoni të tregoni për ta duke shenjtëruar Nënë Terezën tonë, duke shpallur 38 martirët tanë të bekuar si dhe duke emëruar së fundmi Kardinal Ernest Troshanin.

Vizita juaj Papale në vendin tonë do të mbesë përjetësisht e gdhendur në kujtesën historike të shqiptarëve ashtu siç do të kujtohet me veneracion vlerësimi Juaj për virtytin tonë të jashtëzakonshëm kombëtar: bashkëjetesën dhe harmoninë proverbiale mes bashkësive fetare në Shqipëri.

Jetë sa më të gjatë, i shtrenjti mik i Shqipërisë dhe shqiptarëve!

Bujar Nishani”