Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani njëkohësisht Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura uron 104-vjetorin e Ushtrisë Kombëtare

4 dhjetor 2016

Zotërinj oficerë, nënoficerë, ushtarë, aviatorë, marinarë,

Pas 28 Nëntorit të lavdishëm, ditës se shpalljes së Pavarësisë, 4 Dhjetori 1912 është data që shënon një ndër aktet më madhore në historinë e shtetit shqiptar, krijimin e Ushtrisë Kombëtare.

Edhe pse jo e institucionalizuar, qëndresa ushtarake e shqiptarëve nuk ka qenë kurrë zero.

Me aq mundësi ushtarake sa kemi pasur, kemi siguruar mbijetesën dhe integritetin kombëtar.

Shqipëria ka sot një Ushtri profesioniste, që forcohet dita-ditës, duke pasur synime të qarta për përsosjen dhe modernizimin e saj.

Sot Forcat tona të Armatosura kanë historinë e vet.

Kanë martirët dhe dëshmorët e vet.

Nderim përjetë kontributit dhe sakrificës së tyre!

4 Dhjetori, për të gjithë ushtarakët dhe për të gjithë popullin është një ditë për të shprehur respektin, mirnjohjen dhe për të nderuar gjithçka bënë heronjtë e vërtetë, duke hapur rrugën e krijimit të ushtrisë moderne të Shqipërisë që sot renditet në Aleancën më të madhe politike dhe ushtarake e më të suksesshme të të gjitha kohërave, atë të Atlantikut të Veriut.

Tashmë e kemi gjetur udhën.

Po ecim pa u ndalur drejt një të ardhmeje të sigurtë me Forca të Armatosura që kryejnë më së miri rolin e vet në botën e sotme të turbullt me plot të papritura.

Kishim ushtri “të madhe”, por nuk kishim Liri dhe eksportonim konflikt.

Kemi ushtri “të vogël”, por kemi Liri dhe eksportojmë paqe.

Garantojmë sigurinë e vendit.

Kemi pjesëmarrje shembullore në misione ndërkombëtare.

Forca dhe vitaliteti i Forcave të Armatosura qëndron tek demokracia dhe liria.

Të nderuar anëtarë të Forcave të Armatosura,

Si Komandant i Përgjithshëm, ju uroj nga zemra,

Gëzuar përvjetorin e Forcave të Armatosura!

Gëzim e lumturi personale dhe familjare!

Suksese në misionin tuaj fisnik e të pazëvendësueshëm!