Presidenti Nishani shpreh ngushëllimet për ndarjen nga jeta të gazetarit dhe analistit të njohur, Andrea Stefani

4 dhjetor 2016

Nëpërmjet një mesazhi të bërë publik, Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bujar Nishani shpreh ngushëllimet për ndarjen e parakohshme nga jeta të gazetarit, analistit dhe aktivistit të shoqërisë civile, Andrea Stefani.

“Të dashur familjarë të të ndjerit Andrea,

Lajmin për ndarjen nga jeta të bashkëshortit dhe babait tuaj të shtrenjtë e të pazëvendësueshëm, e mësova me hidhërim të madh! Në cilësinë e Kreut të Shtetit, por edhe si një njeri që e ka njohur Andrea Stefanin, dëshiroj t’ju shpreh ngushëllimet e sinqerta, duke u përpjekur t’ju gjendem shpirtërisht pranë në këto çaste përjetimi të kësaj dhimbje të thellë!

Me ikjen e parakohshme nga kjo botë, Andrea do t’ju mungojë në mënyrë të pazëvendësueshme jo vetëm ju, familjes dhe njerëzve të dashur, por edhe kolegëve të tij gazetarë dhe analistë, sidomos shoqërisë civile shqiptare, ku ai dallohej gjithmonë për shpirtin luftarak dhe pasionin e pashtershëm, me të cilët luftonte e përpiqej për kauzat dhe bindjet e veta, pa bërë kompromis për asgjë që nuk i dukej e drejtë.

Humbja e Andreas është e trishtueshme për këdo, por ajo që e lehtëson sadopak dhimbjen është trashëgimia shpirtërore dhe intelektuale, që e shpalosi gjatë gjithë jetës dhe veprimtarisë së tij profesionale, duke nderuar familjen, si dhe duke pasuruar gazetarinë dhe aktivizmin civil shqiptar.

Shpirti i Andreas u prehtë në paqe!

Bujar NISHANI”