Deklaratë e Institucionit të Presidentit të Republikës

3 gusht 2016

Institucioni i Presidentit të Republikës mbetet i çuditur nga deklarata e subjektit politik Partia Socialiste e Shqipërisë në kundërshtim të Dekretit të Presidentit për caktimin e datës së zgjedhjeve për Kryetar të Bashkisë Dibër.

Kjo deklaratë nuk është serioze dhe deformon të gjitha përcaktimet ligjore, kushtetuese dhe institucionale.

Presidenti i Republikës, bazuar në detyrimet e Tij kushtetuese, si dhe dispozitave të Ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, ka vendosur të dekretojë datën e zgjedhjeve vendore për Kryetar Bashkie të Bashkisë Dibër, të Qarkut Dibër.

Fillimisht informojmë dhe sqarojmë opinionin publik që Gjykata Kushtetuese ka njoftuar Institucionin e Presidentit të Republikës zyrtarisht, me shkresën me Nr. Prot. S-30, datë 1 gusht 2016, se kjo Gjykatë ka rrëzuar kërkesën e zotit Shukri Xhelili duke lënë në fuqi Vendimin e Këshillit të Ministrave për shkarkimin e tij.

Në këtë kuadër, përmes kësaj shkrese jemi informuar se data e vendimit të Gjykatës Kushtetuese është 1 gusht 2016, nga ku dhe fillon përllogaritja e datës së zhvillimit të zgjedhjeve vendore në këtë Bashki, të cilat në çdo rast janë vetëm: data 4 shtator ose 11 shtator 2016.

Për pasojë, data e përcaktuar në dekretin e Presidentit të Republikës, korrespondon me afatet ligjore të përcaktuara në nenin 10, pika 3 të Kodit Zgjedhor.

Rrjedhimisht, është lënë në fuqi Vendimi i Këshillit të Ministrave, nr. 361, datë 13.05.2016, “Për shkarkimin nga detyra të kryetarit të Bashkisë Dibër, zotit Shukri Xhelili”, vendim i cili kujtojmë se është botuar në Fletoren Zyrtare, me nr. 81, të datës 17 maj 2016.

Në këto kushte, bazuar edhe në nenin 10, pika 3 të Kodit Zgjedhor, Presidenti i Republikës, brenda 48 orëve nga marrja e njoftimit zyrtar mbi datën e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, dekretoi më datë 2 gusht 2016 datën e zhvillimit të zgjedhjeve për Kryetar të Bashkisë Dibër.

Institucioni i Presidentit të Republikës i shpreh keqardhjen opinionit publik për përhapjen tek ai të informacioneve të pavërteta rreth përcaktimeve ligjore dhe kushtetuese që rregullojnë organizimin e zgjedhjeve në vend si dhe mbi përmbushjen e detyrimeve institucionale të Presidentit të Republikës në këtë proces.

Presidenti uron dhe kërkon zhvillimin e lirë, të drejtë dhe të ndershëm të procesit të zgjedhjes së Kryetarit të Bashkisë Dibër.