Deklaratë e Presidentit të Republikës në lidhje me ndryshimet e pritshme kushtetuese

20 korrik 2016

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani ka ndjekur me shumë vëmendje dhe orë pas ore situatën dhe zhvillimet më të fundit përsa i përket votimit të pritshëm të ndryshimeve kushtetuese në Kuvendin e Shqipërisë, nesër më 21 korrik 2016.

Kreu i Shtetit shqiptar vlerëson dhe përgëzon të gjithë aktorët dhe faktorët e përfshirë, si dhe klasën politike shqiptare në përgjithësi, mbi konsensusin e arritur përmes kompromisit që ofruan në këtë proces. Ky proces dhe të gjitha përpjekjet e bëra me persistencë treguan rëndësinë e padiskutueshme që reforma në drejtësi ka mbi të tashmen dhe të ardhmen e Shqipërisë.

Që t’u shërbejë më së miri interesave të qytetarëve shqiptarë, është thelbësore që kjo reformë të finalizohet me sukses, duke ruajtur standardet më të larta profesionale dhe parimet e shenjta demokratike duke siguruar dhe garantuar së pari dhe mbi të gjitha liritë dhe të drejtat themelore të njeriut.

Konsensusi dhe kompromisi garantojnë që reforma në drejtësi ose më saktë, ndryshimet kushtetuese do të arrijnë qëllimin aq shumë të dëshiruar e të mirëpritur nga të gjithë qytetarët shqiptarë, si dhe nga partnerët dhe aleatët tanë ndërkombëtarë për një drejtësi vërtet profesionale, efiçente dhe të pavarur.

Presidenti i Republikës, duke pasur parasysh dhe nënvizuar edhe njëherë rëndësinë jetike që përmban reforma në sistemin e drejtësisë jo vetëm për të tashmen dhe të ardhmen e vendit, por edhe për integrimin evropian me meritë të Shqipërisë, i uron punë të mbarë Kuvendit të Shqipërisë ditën e nesërme në votimin e projektit konsensual të arritur.