Presidenti Nishani shpreh ngushëllimet për viktimat e helikopterit ushtarak të rënë aksidentalisht

6 prill 2016

Presidenti i Republikës, Sh.T. Z. Bujar Nishani, njëkohësisht Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura shpreh dhimbjen e thellë për dy viktimat e shkaktuara nga rënia aksidentale e helikopterit ushtarak sot në mesditë në Liqenin e Shkodrës, në zonën e Malësisë e Madhe.

“Me hidhërim të thellë mësova lajmin e rrëzimit aksidental të helikopterit ushtarak në ujërat e Liqenit të Shkodrës si dhe për humbjet e jetëve të vyera të Kapiten Florian Deliaj dhe Togerit Donald Hoxha.

Në cilësinë e Presidentit të Republikës dhe atë të Komandantit të Përgjithshëm, iu shpreh ngushëllimet më të ndiera, edhe në emër të gjithë qytetarëve shqiptarë, familjarëve dhe të afërmve të dy ushtarakëve të rënë në krye të detyrës duke i siguruar njëkohësisht se gjendem pranë tyre shpirtërisht në këto çaste të rënda e të trishtuara.

Në të njëjtën kohë i uroj shërim të shpejtë edhe ushtarit të lënduar në këtë aksident tragjik, Gerald Baramuça.

Shqipëria dhe Forcat e saj të Armatosura, do të jenë ngahera krenare dhe mirënjohëse përjetësisht për sakrificat dhe vetëmohimin e ushtarakëve tanë.” – shprehet Kreu i Shtetit shqiptar.