Një historik i shkurtër i Institucionit të Presidentit të Republikës

Që nga krijimi i shtetit shqiptar më 28 nëntor 1912, Shqipëria ka provuar disa modele qeverisjeje, përfshirë protektoratin ndërkombëtar, monarkinë, regjimin e partisë – shtet si dhe republikën parlamentare. Gjatë kësaj periudhe funksioni i Presidentit të Republikës dhe i Kryetarit të Shtetit është ushtruar në forma të ndryshme.

Më 1912 u krijua qeveria e parë me Ismail Qemalin në krye, e cila kishte edhe kompetencat e Kryetarit të Shtetit. Më 6 shkurt 1914 Konferenca e Ambasadorëve emëroi Princin Vilhelm Vid si Kryetar të Shtetit shqiptar. Në periudhën shtator 1914 – janar 1920 Shqipëria u bë shesh lufte duke ndërruar disa qeveri, ku detyra e Kryetarit të Shtetit u mbulua nga qeveri-regjenca të ndryshme. Më 8 janar 1920 Kongresi i Lushnjës, zgjodhi Këshillin e Lartë prej 4 vetash, i cili do të kryente funksionet e Kryetarit të Shtetit duke rikthyer parlamentarizmin. Në vitin 1924 Fan Noli u zgjodh kryetar i qeverisë, duke ushtruar edhe funksionet e Kryetarit të Shtetit. Pas ndryshimeve të shpeshta në qeverisje, më 31 janar 1925 Asambleja Kombëtare miratoi formën republikane të regjimit dhe votoi Ahmet Zogun si President të Republikës. Më 1 shtator 1928 Shqipëria u shpall Monarki dhe Ahmet Zogu u shpall Mbret i Shqiptarëve. Pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia në prill 1939 dhe bashkimit të dy vendeve, Viktor Emanueli III u bë Mbret i Shqipërisë. Vitet 1943-‘44 nën pushtimin gjerman rikthejnë qeverisjet – regjenca.

Përfundimi i Luftës së Dytë Botërore dhe çlirimi i Shqipërisë më 1944 u shoqërua me zgjedhjet e para parlamentare të dhjetorit vitit 1945 dhe me kalimin e funksionit të Kryetarit të Shtetit në organ kolegjial, si Presidium i Kuvendit Popullor. Në periudhën 11 janar 1946 –12 dhjetor 1990, gjatë të cilës Shqipëria përjetoi diktaturën komuniste, funksionet e Kryetarit të Shtetit u kryen nga Omer Nishani (10 janar 1946 – 1 gusht 1953), Haxhi Lleshi (1 gusht 1953 – 22 nëntor 1982) dhe Ramiz Alia (22 nëntor 1982 – 22 shkurt 1991). Më 22 shkurt 1991 u krijua Këshilli Presidencial i drejtuar nga Ramiz Alia, i cili i ushtroi funksionet deri më 30 prill 1991.

Më 30 prill 1991 me zgjedhjen e Presidentit të parë të Republikës Parlamentare nga ana e një parlamenti shumëpartiak, krijohet Institucioni Kushtetues i Presidentit të Republikës.